Shantazhet e Listës Serbe në rast se nuk bëhet pjesë e Qeverisë
Foto: Laura Hasani

Shantazhet e Listës Serbe në rast se nuk bëhet pjesë e Qeverisë

Aktuale nëntor 08, 2019 - 08:10
Detajet
Image

Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës kanë takuar në Beograd drejtorin e Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë Marko Gjuriqin, të cilin e kanë siguruar se nuk do të marrin pjesë në asnjë qeveri ose koalicion që nuk pranon vullnetin legjitim të serbëve të Kosovës, 96 për qind e të cilëve kanë votuar për Listën Serbe, shkruan sot gazeta "Zëri".

Mitrovicë. Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës kanë takuar në Beograd, të enjten, drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë Marko Gjuriqin, me të cilin kanë biseduar për hapat e mëtutjeshëm pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit, që i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje. Siç përcjell “TV Most”, serbët janë zotuar para Gjuriqit se nuk do të pranojnë statusin e qytetarëve të rendit të dytë dhe se nuk do të marrin pjesë në asnjë qeveri ose koalicion që mohon vullnetin legjitim të serbëve të Kosovës, 96 për qind e të cilëve kanë votuar për Listën Serbe. Ata madje kanë shprehur gatishmërinë e tyre që në rast se Lista Serbe nuk do të jetë në qeverinë “Kurti”, atëherë do të tërhiqen nga të gjitha institucionet e Prishtinës.

Gjuriq: Deklarata e Kurtit për reciprocitet, posaçërisht e rrezikshme

Pas përfundimit të takimit Gjuriqi ka organizuar një konferencë me gazetarë, në të cilën ka thënë se serbët nuk pranojnë që Albin Kurti ose kushdo tjetër t’i caktojë përfaqësuesit e serbëve në Qeverinë e ardhshme, përveç nëse dëshmon dhe tregon se është i gatshëm për një ndryshim prej 180 shkallësh nga ajo që ka ndodhur në periudhën e kaluar. “Serbët e Kosovës nuk pranojnë statusin e qytetarit të rendit të dytë. Në rast të presioneve të reja në institucionet serbe përfaqësuesit serbë do të jenë të gatshëm të dorëhiqen nga të gjitha institucionet e përkohshme dhe në mënyrë solidare do të zbatojnë të gjitha masat mbrojtëse jo të dhunshme”, ka përcjellë Gjuriqi konkluzionet nga takimi me serbët e Kosovës në Beograd, shkruan tutje "Zëri".

Sipas Gjuriqit, posaçërisht është e rrezikshme deklarata e Kurtit për reciprocitet, sepse aty “fshihen ndalesa më të këqija sesa taksa në mallrat e Serbisë, të cilat do të përfshinin edhe dokumente dhe qarkullimin në komunikacion, si dhe ndalesa e përkufizime të tjera. “Kërkojmë heqjen e taksës, e cila është anticivilizuese dhe e padrejtë. Ajo është e dëmshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht nacionalitetit”, ka thënë Gjuriqi, i cili ndër konkluzionet e takimit ka përmendur formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe – AKS, për të cilën tha se është obligim i pushtetit të Kosovës, siç tha ai “edhe për Kurtin, edhe për të gjithë ata që mendojnë ta formojnë Qeverinë, ndërsa pjesëmarrjen eventuale të Listës Serbe në institucionet e Prishtinë serbët do ta bazojnë pikërisht në marrëveshjet ndërkombëtare”. “Nëse Kurti vërtet dëshiron ta formojnë Qeverinë, duhet patjetër t’i respektojë Kushtetutën dhe ligjet që janë të vlefshme, sipas të cilave serbët duhet t’i kenë 7 për qind të të punësuarve në institucione, kështu që ai duhet të hapë qindra, madje edhe mijëra vende pune të reja”, ka thënë Gjuriqi.

“Lidhjen mes përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës dhe të Beogradit nuk do ta ndërpresë askush”

Një tjetër konkluzion që është arritur në takimin e serbëve të Kosovës me Gjuriqin është që të gjitha institucionet e popullit serb në Kosovë do të vazhdojnë me ritëm të shtuar ta zbatojnë planin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe të qeverisë së Serbisë për mbështetje popullit serb në Kosovë, ndërsa aktualisht janë duke u realizuar 349 projekte. “Lidhjen në mes të përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës dhe të Beogradit nuk do ta ndërpresë askush. Përfaqësuesit serbë të gjitha vendimit do t’i marrin duke u konsultuar me Vuçiqin dhe me qeverinë e Serbisë”, ka thënë Gjuriqi, i cili ka shtuar se në periudhën e ardhshme do të ketë ndryshime në institucione të ndryshme dhe në të ashtuquajturat organe të përkohshme (komuna paralele) të shtetit të Serbisë në Kosovë.

Ndërkaq nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, u ka thënë medieve serbe se përfaqësuesit e Listës Serbe nuk do të vrapojnë të jenë pjesë e Qeverisë së Kosovës, por që ka bërë të ditur se pa Listën Serbe nuk mund të bëhet asnjë qeveri. “Ligjet janë të qarta, Lista Serbe është fituese e zgjedhjeve përbrenda bashkësisë serbe dhe si e tillë ka të drejtën ekskluzive të jetë pjesë e institucioneve”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, një letër proteste për deklaratat e Kurtit se Oliver Ivanoviqi, i vrarë para 20 muajve para zyrave të partisë së tij në veri të Mitrovicës, e ka bërë SDP-ja, e cila udhëhiqet nga bashkëpunëtorja e tij, Ksenija Bozhoviq. Në një komunikatë të dërguar medive SDP-ja ka njoftuar se organet hetuese të EULEX-it në Kosovë, të cilët janë marrë me hetimet ndaj Oliver Ivanoviqit, nuk kanë pasur asnjë lidhje me krimet, por që aktakuza është ngritur në bazë të deklaratave të disa shqiptarëve jo të besueshëm.

“Kanë kaluar 21 muaj e ndërsa vrasësit e Ivanoviqit dhe urdhërdhënësit e vrasjes nuk janë gjetur. Kurti ka dhënë deklarata dhe premtime të mëdha se do ta shkatërrojë kriminalitetin dhe korrupsionin në Kosovë. Për këtë arsye nga ai kërkojmë që institucionalisht të punojë në gjetjen e vrasësve të Oliver Ivanoviqit”, thuhet mes të tjerash në komunikatën e SDP-së./ZËRI