LDK-ja, kundër zhvendosjes së ministrive
Foto: Laura Hasani

LDK-ja, kundër zhvendosjes së ministrive

Aktuale nëntor 08, 2019 - 08:21
Detajet
Image

Zyrtari i Ministrisë së Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit, Labinot Berisha, dje gjatë protestës konfirmoi se nuk do të ndalen deri në pezullimin e këtij vendimi. Duke folur në emër të punëtorëve, Berisha potencoi se nëse ky vendim nuk ndryshon, atëherë këta punëtorë do të ndërmarrin masa edhe më radikale. LDK-ja ka kundërshtuar vendimin për zhvendosjen e zyrtarëve të këtyre ministrive në objekte private, shkruan sot gazeta "Zëri".

Punëtorët e Ministrisë së Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit dje për të tretën ditë radhazi protestuan pranë objektit, në të cilin aktualisht është e vendosur kjo Ministri, si dhe ajo e Bujqësisë, e Pylltarisë dhe e Zhvillimit Rural. Zhvendosja e këtyre dy ministrive në objekte private nuk po u pëlqen punëtorëve të ministrive e që qiraja vjetore për to do të kapte shifrën mbi 1 milion euro.

Zyrtari i Ministrisë së Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit, Labinot Berisha, dje gjatë protestës konfirmoi se nuk do të ndalen deri në pezullimin e këtij vendimi. Duke folur në emër të punëtorëve, Berisha potencoi se nëse ky vendim nuk ndryshon këta punëtorë do të ndërmarrin masa edhe më radikale. “Nuk jemi të interesuar që paratë e taksapaguesve, të zyrtarëve të Ministrisë dhe të zyrtarëve të tjerë të shkojnë në objekte private. Ne objektin e Ministrisë së Kulturës nuk ka pasur ende ndonjë tendencë për zhvendosje as në fakt nuk ka ende as ndonjë shkresë, e cila tregon se duhet të zhvendoset, mirëpo ne jemi të vendosur që në çdo rrethanë ta kundërshtojmë atë vendim deri në format edhe më radikale të kundërshtimit”, ka thënë ai para medieve.

Ai po ashtu ka njoftuar që nga kjo Ministri tashmë është krijuar edhe një peticion e i cili u është adresuar Presidencës, Kryeministrisë dhe partive politike në vend. “Ne sot e kemi përfunduar një peticion. Ky peticion do t’u adresohet në fakt Presidencës, Kryeministrisë, Ministrisë së Administratës Publike, njëkohësisht edhe zyrtarëve të lartë të subjekteve politike në Kosovë dhe në këtë peticion kanë marrë pjesë pjesa dërrmuese e zyrtarëve të Ministrisë, të cilët kanë kundërshtuar vendimin e zhvendosjes”, ka thënë ndër të tjera zyrtari i MKRS-së.

Ministria e Bujqësisë pranon kërkesën për zhvendosje

Në ndërkohë Albulena Maloku, zyrtare për informim në Ministrinë e Bujqësisë, ka konfirmuar për “Zërin” se kjo Ministri ka marrë kërkesë nga MAP-i për zhvendosje në objektin e ri. “Ministria e Bujqësisë, e Pylltarisë dhe e Zhvillimit Rural, më datë 29 tetor 2019, ka pranuar kërkesën e fundit nga Ministria e Administratës Publike për lirimin e objektit, në të cilën aktualisht është i vendosur stafi i MBPZHR-së”, ka thënë Maloku për “Zërin”.

Zhvendosja e kësaj Ministrie në objektin e ri pritet të bëhet brenda 10 ditëve. “Zhvendosja në objekt të ri pritet të bëhet brenda 10 ditëve, ndërkaq të gjitha procedurat rreth zhvendosjes janë duke u zhvilluar nën udhëheqjen e Ministrisë së Administratës Publike. MBPZHR-ja që nga themelimi i institucioneve të Republikës së Kosovës ishte vendosur në ndërtesën e partive politike (ish-Komiteti), ndërsa vendimi për t’u larguar nga kjo ndërtesë është marrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka konfirmuar ajo, shkruan tutje "Zëri".

MAP-i: Ministritë do të zhvendosen në objekte private deri të gjendet një zgjidhje

Zeqir Bekolli, zëdhënës për informim në Ministrinë e Administrimit Publik, ka thënë për “Zërin” se të dyja ministritë kanë qenë të njoftuara më herët për zhvendosjen që është planifikuar të bëhet. Bekolli njoftoi se më 26 shkurt të këtij viti është mbajtur një takim në mes të tria ministrive e në të cilin është vendosur që MKRS-ja dhe MBPZHR-ja të gjejnë zgjidhje ndaras për t’u zhvendosur.

“Është zhvilluar një takim në mes të Ministrisë së Administratës Publike dhe në mes të MKRS-së e MBPZHR-së. Në këtë takim është marrë vendim që të dyja ministritë janë të obliguara ndaras të gjejnë një zgjidhje lidhur me zhvendosjen, të cilën do ta bëjnë”, ka thënë ai.

Po ashtu Bekolli konfirmoi se këto dy ministri do të zhvendosen në objekte private deri të gjendet një zgjidhje për to në institucionet publike. “Këto objekte pritet që njëherë të vendosen në objekte private deri në momentin kur për to do të gjendet një zgjedhje në institucionet publike. Në momentin kur të lirohet ndërtesa MAP-i ndërmerr hapat për meremetim, i cili konsiderohet se do të zgjasë 11 - 12 muaj”, ka pohuar tutje zëdhënësi i MAP-it.

Në këtë proces, sipas tij, detyra e MAP-it është të ofrojë mbështetje ndaj këtyre ministrive gjatë procesit të zhvendosjes. “Detyra e MAP-it është që t’u ofrojë përkrahje ministrive në bazë të kompetencave që ka me rastin e zhvendosjes dhe të vendosjes në ndonjë nga ndërtesat që ato vetë i përzgjedhin, sepse në objekte publike nuk ka hapësira”, ka thënë për “Zërin” Zeqir Bekolli.

Ka qenë Lidhja Demokratike e Kosovës nga partitë politike në vend ajo e cila ka përkrahur protestën e punëtorëve të MKRS-së. Përmes një komunikate për medie, LDK-ja ka kundërshtuar vendimin për zhvendosjen e zyrtarëve të këtyre ministrive në objekte private. Këtë vendim e ka cilësuar si të paarsyeshëm teksa në reagim thuhet se këtyre ministrive duhet t’u sigurohet në objekt në pronësi të Qeverisë ose t’u ndërtohet një objekt i ri. “Lidhja Demokratike e Kosovës kundërshton vendimin për zhvendosjen e zyrtarëve të MKRS-së dhe të MBPZHR-së nga objekti i tyre pa u siguruar fillimisht një objekt tjetër në pronësi të Qeverisë ose ndërtimin e një objekti të ri. Mbi të gjitha, ky vendim është edhe më i paarsyeshëm që po ndërmerret në kohën e tranzicionit nga një qeveri në tjetrën, pa planifikim të mirëfilltë paraprak operativ e financiar që po rezulton në një kosto enorme për qytetarët e Kosovës prej 105 mijë eurosh qira mujore për dy objekte në pronësi private”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Megjithatë kjo parti është e pajtimit që Presidenca të vendoset në një objekt të përshtatshëm, por jo duke u dëmtuar buxheti.

“Ne jemi të pajtimit që Presidenca duhet vendosur në një objekt përfaqësues dhe të përshtatshëm, por assesi duke shkaktuar rrëmujë e shkëputje në punën e MKRS-së e të MBPZHR-së dhe duke dëmtuar financat e qytetarëve të Kosovës përmes kostos marramendëse të qirasë në favor të dy pronarëve të objekteve private dhe të investimeve luksoze shumëmilionëshe në objekt nga Presidenca”, thuhet tutje në reagim.

LDK-ja përmes kësaj komunikate pohoi se është në mbështetje të zyrtarëve të MKRS-së që janë duke protestuar për mbrojtjen e buxhetit nga ky vendim.

“Kërkojmë nga përgjegjësit e MKRS-së dhe të MBPZHR-së të mos ndërmarrin vendime që dëmtojnë buxhetin e këtyre dy ministrive, të destinuar në shërbim të politikave sektoriale duke i ridestinuar për qira mujore prej 105 mijë eurosh. LDK-ja mirëpret reagimin e dinjitetshëm të zyrtarëve të MKRS-së që kanë dalë në mbrojtje të buxhetit të shtetit dhe të mbarëvajtjes së punës së tyre. Këta zyrtarë dëshmojnë se janë zëri i arsyeshëm kundër së keqes në këtë rast”, thuhet ndër të tjera në reagim./ZËRI