Studentët bojkotojnë mësimin, paralajmërojnë bllokimin e MASHT-it
Foto: Laura Hasani

Studentët bojkotojnë mësimin, paralajmërojnë bllokimin e MASHT-it

Aktuale nëntor 08, 2019 - 08:24
Detajet
Image

Përfaqësuesit e studentëve kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen nga protestat e nga bojkoti deri në realizimin e kërkesës së tyre, shkruan sot gazeta "Zëri".

Studentët e Fakultetit të Arteve dhe atij të Edukimit kanë protestuar sërish dje pranë Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë (MASHT). Vendimi i fundit nga kjo Ministri rreth mosaplikimit për bursë të studentëve të fakulteteve të lartcekura nxiti reagime të ashpra nga studentët, të cilët paralajmëruan edhe bllokim të MASHT-it. Sipas tyre, privimi nga konkursi i MASHT-it për bursistë është i padrejtë për ta, shkruan "Zëri".

MASHT-i hesht

studentët janë duke vazhduar me protesta e me bojkot, MASHT-i ka zgjedhur heshtjen për t’u kundërpërgjigjur atyre. Edhe pse ministri në detyrë, Shyqiri Bytyqi, zhvilloi një takim të mbyllur me përfaqësuesit e studentëve të fakulteteve që u janë hequr bursat, askush nga MASHT-i nuk u deklarua lidhur me këtë çështje.

Përmes një shfaqjeje artistike studentët e Fakultetit të Arteve kanë protestuar sërish dje para MASHT-it. Kërkesa e tyre primare ishte anulimi i konkursit për bursistë. “Ne prapë sot po i tregojmë ministrit Bytyqi përmes kësaj proteste se jemi të pakompromis deri në heqjen e këtij vendimi ose të ketë gjithëpërfshirje të të gjitha fakulteteve në Universitetin e Prishtinës në këtë vendim”, ka thënë Edison Bibaj, kryetar i Këshillit Studentor të Fakultetit të Arteve.

Studentët e këtij Fakulteti paralajmëruan masa edhe më radikale ndaj MASHT-it në rast se nuk anulohet ky vendim. “Sot po i themi ministrit që nëse vazhdohet në këtë mënyrë të diskriminohemi dhe të anashkalohemi, ne do të detyrohemi të marrim masa edhe më radikale ndaj këtij vendimi, i cili për ne është i pakompromis”, ka thënë ndër të tjera ai.

Studentët e Fakultetit të Edukimit paralajmërojnë bllokimin e MASHT-it

Studentët e Fakultetit të Edukimit dje kanë bojkotuar mësimin për ta kundërshtuar vendimin e MASHT-it rreth konkursit për bursistë. Ky Fakultet nuk është përfshirë në konkursin për bursa nga kjo Ministri, gjë që nxiti bojkotin e mësimit nga studentët. Kryetari i Këshillit të Studentëve të Fakultetit të Edukimit, Shkodran Murturi, pohoi se nuk do të tërhiqen nga protestat e nga bojkoti deri në realizimin e kërkesës së tyre. “Ne e bojkotojmë mësimin sot, ngase ka shkelur të drejtat e studentëve meritorë, të cilët me mund arritën këtë kriter duke u bazuar në vendimin e viteve të kaluara që ishim edhe ne pjesë e atyre që ishin përfitues të bursave. Ne kundërshtojmë vendimin që ka marrë ministri i Arsimit për largimin e Fakultetit të Edukimit nga konkursi i shpallur këtë vit akademik për bursa. Po ashtu ka larguar edhe Artin e Edukatën Fizike. Ai sipas vendimit të tij ka thënë se nuk është prioritet Fakulteti i Edukimit”, ka thënë ai, shkruan tutje "Zëri".

Studentët e Fakultetit të Edukimit kanë dërguar edhe ankesë me shkrim në MASHT, por edhe kanë mbajtur takim me ministrin në detyrë Shyqiri Bytyqi, por nuk është gjetur një gjuhë të përbashkët për anulimin e vendimit.

“Fillimisht kemi bërë protestë para Ministrisë së Arsimit, tash e kemi marrë vendimin ta bojkotojmë mësimin, që ta dinë të gjithë se jemi seriozë ndaj kësaj që kërkojmë. Nuk lejojmë të shkelen të drejtat e studentëve meritorë, studentët bursistë janë ata elitë të studentëve të Fakultetit të Edukimit. Përveç kësaj, do të vazhdojmë edhe me protesta të tjera, kemi për ta mbyllur të tërën, do ta bllokojmë Ministrinë e Arsimit dhe do të vazhdojmë të merremi me Rektoratin e me të gjitha mundësitë për të ardhur te qëllimi ynë”, ka thënë tutje ai.

Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë ka marrë vendim për ndarjen e bursave për studentët e Fakultetit të Bujqësisë – Veterinarisë, të FSHMN-së, të Mjekësisë së Përgjithshme, të Farmacisë e të Stomatologjisë, të Fakultetit Teknik dhe të Shkencave të Aplikuara./ZËRI