Taksa lë të zbrazët Fondin për Zhvillimin e Veriut
Foto: Laura Hasani

Taksa lë të zbrazët Fondin për Zhvillimin e Veriut

Aktuale November 12, 2019 - 08:20
Lexo Detajet
Image

Sipas shoqërisë civile, Fondi për Zhvillimin e Veriut e ka humbur kuptimin, pasi prej vendosjes së taksës 100 për qind në importin e produkteve të Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës para një viti nuk ka pasur të hyra nga taksat doganore në këtë fond.

Deri më 31 dhjetor 2018 në FZHV janë mbledhur 15.5 milionë euro, ndërsa janë harxhuar 11 milionë euro, shkruan sot Gazeta Zëri

Mitrovicë. Taksa 100 për qind e vendosur nga Qeveria e Kosovës para një viti në importin e produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina ka ndikuar që të ulen të hyrat nga pikat doganore për Fondin për Zhvillimin e Veriut. Sipas shoqërisë civile në veri të Mitrovicës, hyrja më pak e mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina në Kosovë në vitin e fundit ka ndikuar që dukshëm të mblidhen mjete nga taksat doganore për Zhvillimin e Fondit të Veriut, respektivisht për komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Fondi për Zhvillimin e Veriut ka ardhur si rezultat i Marrëveshjes së Brukselit për Doganat në vitin 2013, ndërsa në këtë fond derdhen mjetet nga taksat doganore nga pika kufitare 1 dhe 31 (Jarinjë dhe Bërnjak në veri të Kosovës) dhe u dedikohen katër komunave veriore për zhvillimin e tyre.

11 milionë euro janë shpenzuar për realizimin e 30 projekteve

Deri më 31 dhjetor 2018 në Fondin për Zhvillimin e Veriut janë derdhur mbi 15.5 milionë euro, nga të cilat 11 milionë janë shpenzuar për realizimin e mbi 30 projekteve, nga të cilat disa janë akoma në fazën e implementimit. Sipas Zyrës së BE-së në Kosovë, Fondi për Zhvillimin e Veriut favorizon investimet e projekteve publike, të cilat mund të ndikojnë në zhvillimin ekonomik e shoqëror në komunat veriore. Projektet e propozuara do të duhej të kishin për qëllim përmirësimin e jetës së banorëve lokalë, ato patjetër duhet të jenë financiarisht të qëndrueshme, ekonomike, të rëndësishme dhe ekologjikisht të pranueshme. Ndarja e mjeteve kryesisht bëhet për projekte infrastrukturore, duke përfshirë rrugët, ambulancat, furnizimin me ujë dhe sistemin e ujërave të zeza. Fondi gjithashtu mbështet projektet për ndërmarrje, për gra, për shoqërinë civile, për promovimin e të drejtave të njeriut, për edukimin, për qasje në mbrojtjen shëndetësore dhe për transportin.

Nga vendosja e taksës ndalen të hyrat për Fondin

“Mirëpo nga nëntori i vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën prej 100% në produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, importi nga Serbia është minimal. Nga vendosja e taksës sasia e mallrave të importuara në Kosovë ka rënë pothuajse krejtësisht e me këtë edhe të hyrat në Fondin për Zhvillimin e Veriut”, ka thënë shoqëria civile në veri të Mitrovicës.

Dragisha Mijaçiq, nga Instituti Territorial për Zhvillimin Ekonomik – InTER, siç përcjell “Kossev” në veri të Mitrovicës, ka thënë se nga vendosja e taksës mjetet në Fondin për Zhvillimin e Veriut janë zhdukur plotësisht dhe nuk ka mjete të tjera që janë mbledhur dhe rrjedhimisht as nuk ka mjete për financimin e projekteve. “Në vitin e fundit mendoj se ka pasur shumë pak mjete që janë derdhur në Fondin për Zhvillimin e Veriut dhe ky fakt është një nga efektet më negative që kanë ndodhur me vendosjen e taksës në importin e mallrave të Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës. Në këtë mënyrë edhe Fondi për Zhvillimin e Veriut e ka humbur kuptimin”, ka thënë Mijaçiqi.

Nuk ka transparencë për shpenzimin e mjeteve financiare

Ndryshe, me Fondin për Zhvillimin e Veriut udhëheq Bordi prej 3 anëtarëve, të cilin e përbëjnë përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë (kryetar), ministri i Financave i Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesi i serbëve i katër komunave veriore. Sipas informacioneve nga uebfaqja e Zyrës së BE-së në Kosovë, të hyrat nga taksat doganore nga dy pikat kufitare përcillen në xhirollogari të veçantë në Bankën Komerciale në Prishtinë, të cilat i ka caktuar BE-ja. Sipas burimeve të REL-it, të cilat i përcjell “Kosseve” në veri të Mitrovicës, nga Fondi për Zhvillimin e Veriut deri më tani janë harxhuar 11 milionë euro, ose 78 për qind e mjeteve financiare për projekte të ndryshme në katër komunat veriore. “Projektet kapitale kanë të bëjnë për furnizimin me ujë, infrastrukturën rrugore, ndërtimin ose rinovimin e shkollave, si dhe të qendrave sportive, që ndihmojnë socializmin e të rinjve”, ka thënë Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave Bedri Hamzës, ndërkaq Dragisha Mijaçiq thotë se mjetet nga ky fond janë shfrytëzuar për ndërtimin e rrugëve, blerjen e pajisjeve dhe për ndërtimin e objekteve të ndryshme. Sipas tij, pothuajse nuk është realizuar asnjë projekt që rrit zhvillimin ekonomik, por janë orientuar për zhvillimin e infrastrukturës komunale, të objekteve sportive, të kulturës dhe të edukimit. “Në kohë të fundit është zvogëluar edhe transparenca e procesit, madje edhe kur është në pyetje raportimi për projektet që janë mbështetur për financim, të cilat nuk janë realizuar, ndonëse përpara ka qenë praktikë”, thotë Mijaçiqi.

Sipas të dhënave të Zyrës së BE-së në Prishtinë, Komuna Veriore e Mitrovicës nga Fondi për Zhvillimin e Veriut ka harxhuar mbi 3.4 milionë euro, pastaj Komuna e Zveçanit 3 milionë euro, Komuna e Zubin Potokut 2.5 milionë euro dhe Komuna e Leposaviqit mbi 2 milionë euro.

Për periudhën 2010-2015 BE-ja ka financuar komunat veriore me 54.5 milionë euro

Ndryshe, prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit në prillin e vitit 2013 deri në vitin 2016 për komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, janë ndarë 32 milionë euro për 249 projekte: 9.5 milionë euro BE-ja, mbi 15 milionë Qeveria e Kosovës dhe mbi 7.5 milionë euro Fondi për Zhvillimin e Veriut. Vetëm BE-ja ua ka dhënë komunave veriore 54.5 milionë euro për periudhën 2010-2015. Mjetet janë ndarë nga tri burime për realizimin e 249 projekteve në katër komunat veriore. Ndërkaq vetëm BE-ja për periudhën 2010-2015 ua ka ndarë komunave veriore të Kosovës 54.5 milionë euro. Këto të dhëna janë nxjerrë nga një debat që është organizuar pak para disa ditësh nga hulumtuesit e projektit “Ku janë investuar 32 milionë euro në veri të Kosovës?”, në të cilin janë paraqitur rezultatet e hulumtimit. Në bazë të hulumtimit është konstatuar se prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit në prillin e vitit 2013 deri në fund të vitit 2016 për komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, janë ndarë 32 milionë euro për 249 projekte: 9.5 milionë euro BE-ja, mbi 15 milionë Qeveria e Kosovës dhe mbi 7.5 milionë euro Fondi për Zhvillimin e Veriut. Në debat, të cilin e ka përcjellë “Radio Kontakt Plus”, disa nga panelistët kanë thënë se ekziston raport në detaje për të gjitha mjetet e investuara dhe se qytetarët janë njoftuar, ndërkaq disa nga pjesëmarrësit tjerë kanë konstatuar se as asamblistët e as qytetarët nuk kanë informacione për atë se si janë harxhuar këto mjete në komunat veriore.