Edi Rama konfirmon frikën nga Albin Kurti, e pengon dega e VV’së në Shqipëri

Edi Rama konfirmon frikën nga Albin Kurti, e pengon dega e VV’së në Shqipëri

Aktuale November 12, 2019 - 16:11
Detajet

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për Top Chanel, ka folur edhe për hapjen e degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, duke treguar se e konsideron si një lajthitje të Albin Kurtit, në rrugën e kapërcimit nga opozita në pushtet, shkruan Gazeta Express.

Rama ka thënë se si do të ndiheshin qytetarët e Kosovës, nëse Partia Socialiste do të organizonte një protestë në ditën e pavarësisë së Kosovës ku do të kërkonte të mos festohej por që të reflektohej.

“Së pari qytetarët e Kosovës të përfytyrojnë që një degë e Partisë Socialiste të bëjë protestë në ditën e pavarësisë së Kosovës dhe të thotë nuk është koha për të festuar por të reflektuar. Çfarë do të mendonin njerëzit në Kosovë. Çfarë do të ishte kjo për strategji të përbashkët për bashkëpunim” ka thënë Rama, raporton Gazeta Express.

Rama në këtë intervistë gjithashtu ka thënë se ka qenë vetë në një situatë që aktualisht është Albin Kurti, dhe thotë se kreut të VV’së i duhet ende kohë për t’u bërë kryeministër.

“Unë e konsideroj një lajthitje nga kapërcimi nga opozita në qeverisje. Nga një vakum ku kam qenë edhe vetë, duhet një farë kohe për të bërë kryeministrin. Sepse kryeminstër zgjidhesh, por nuk bëhesh menjëherë”, ka thënë Edi Rama.

Të gjithë këto deklarata kryeministri i Shqipërisë , Edi Rama, i ka bërë i pyetur rreth paralajmërimit që dega e VV’së në Tiranë do të marshojë më 28 nëntor. Ndërsa ka folur edhe për përplasjet rreth nismës për Minishengenin.