Heshtja e Kurtit për ftesat e Speciales

Heshtja e Kurtit për ftesat e Speciales

Aktuale November 12, 2019 - 21:55
Detajet

Çdo ditë në opinion po bëhen të ditur emrat e rinj që po ftohen nga Prokuroria e Specializuar e Hagës për intervistim.

Ish-ushtarë, ish-komandantë e doktorë të luftës deri më tani kanë qenë cak i hetuesve të Speciales, prej të cilëve llogaritet se kanë ardhur mbi 200 ftesa në Kosovë, shkruan lajmi.net.

Sidoqoftë, për këto ftesa asnjë fjalë nuk e tha personi që me partinë e tij fitoi zgjedhjet e 6 tetorit në vend, e që me shumë gjasë do të jetë kryeministër i ri i Kosovës, Albin Kurti, shkruan lajmi.net.

Ky i fundit nuk reagoi as kur u ftuan bashkëpartiakët e tij, Rexhep Selimi e Gani Krasniqi.

Sipas njohësit të çështjeve politike në Kosovë, Blerim Burjani sjellja e Vetëvendosjes karshi speciales, krahasohet me “lepurin e zbutur”.

“Unë kam thënë se ndaj kësaj teme, koalicioni i ardhshëm do të sillet heshtur, si lepuri i zbutur. Gjykata është obligim për Kosovën,  për t’u zbardhur vrasjet civile që kanë ndodhur në Kosovë para dhe gjatë vitit 1999. Pra në mungesë të funksionimit të pavarur të gjyqësisë ka ndodhur kjo gjykatë”, tha ai.

Kurti është akuzuar ashpër për hipokrizi edhe nga ish-bashkëpartiaku i tij, Frashër Krasniqi.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ia kujtoi Kurtit deklaratat për Specialen, në kohën kur garantonte mbrojtje institucionale për të ftuarit e Speciales, gjithmonë nëse ai vije në pushtet.

“Kështu i drejtohej Albin Kurti dikur Hashim Thaçit. Kurse sot kur Gjykata Speciale po i fton një nga një ish-komandantët e UÇK-së, as deklaratë mbrojtëse nuk po lëshon. Se lëre më të bëjë diçka siç kishte premtuar. Dhe nuk po flasim këtu vetëm për komandantët e partive tjera. Ai nuk po i mbron as Rexhep Selimin e Gani Krasniqin që i ka në partinë e vet”, shkroi Krasniqi.

Pak kohë më parë, në njërin nga takimet e mbajtura mes VV-së dhe LDK-së për harmonizimin e planit qeverisës, gazetarët ishin interesuar edhe për qëndrimin që do të kenë këto dy subjekte sa i përket dhomave të specializuara, bazuar në faktin se në vitin 2020, Speciales duhet vazhduar mandati.

E nga LDK atë ditë kishin bërë të ditur se qëndrimi i përbashkët është se do t’i vazhdohet mandati këtij institucioni me seli në Hagë.