Fjala e fundit, te Supremja
Foto: Laura Hasani

Fjala e fundit, te Supremja

Aktuale November 13, 2019 - 08:05
Detajet
Image

Tre kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe një i Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilëve po u kontestohet mandati i deputetit me vendimin e PZAP-it për t’i përjashtuar nga rezultati përfundimtar votat e ardhura nga Serbia, janë ankuar në Gjykatën Supreme. Këto ankesa kanë shfaqur polemika të shumta te subjektet politike, që shpresonin te vendimi i PZAP-it, të cilat po e akuzojnë Vetëvendosjen për vjedhje të mandateve, shkruan sot gazeta "Zëri".

Pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për largim nga rezultati përfundimtar të votave që kanë ardhur nga Serbia, Lëvizja Vetëvendosje është ankuar në Gjykatën Supreme. Tre kandidatët e kësaj partie, Enver Haliti, Arta Bajralia dhe Alban Hyseni, të cilët sipas rezultatit të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e kanë fituar mandatin e deputetit, gjatë ditës së djeshme kanë apeluar ankesë në Gjykatën Supreme për vendimin e PZAP-it.

Sipas këtij vendimi, anulimi i votave të Serbisë ia mundëson koalicionit Nisma - AKR - PD ta kalojë pragun dhe të bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës, me ç’rast ia mohon Lëvizjes Vetëvendosje të ketë tre deputetë më shumë në legjislaturën e ardhshme. Për këtë vendim është ankuar edhe një deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ankesat e tilla, sipas zyrtarëve të Nismës Socialdemokrate, janë parë si tendencë e Vetëvendosjes për t’ia vjedhur mandatet koalicionit Nisma - AKR - PD.

Nëse Gjykata Supreme e vërteton si të bazuar vendimin e PZAP-it, përveç Vetëvendosjes, LDK-ja, PDK-ja dhe koalicioni AAK - PSD do të humbin nga një deputet. Ndërsa, meqë nuk ka pasur ankesa në Supreme ndaj vendimit tjetër të PZAP-it për rinumërimin e votave në 1472 vendvotime, QNR-ja pritet ta nisë sot rinumërimin.

Supremja pranon pesë ankesa për vendimin e PZAP-it

Gjykata Supreme gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se ka pranuar 5 ankesa në lidhje me vendimin e PZAP-it për përjashtimin e votave të ardhura nga Serbia nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve dhe në lidhje me vendimin për rinumërim të votave në 1472 vendvotime.

Në njoftimin e Supremes thuhet se pesë ankesat janë ankesa individuale nga deputetë të partive politike. “Një ankesë është nga një deputet i LDK-së, një nga një deputet i Kosova Demokratik Turk Partisi (KDTP), një ankesë nga një deputet i Partisë Liberale të Ashkalinjve dhe dy nga deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu Gjykata Supreme ka njoftuar se të gjitha ankesat do të shqyrtohen dhe do të vendosen brenda afatit ligjor prej 72 orësh nga koha e deponimit të tyre, shkruan gazeta "Zëri".

KQZ: Sot mund të nisë rinumërimi i votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dje ka mbajtur mbledhjen e radhës në lidhje me vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për përjashtimin e votave të ardhura nga Serbia nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve dhe për vendimin për rinumërim të votave në 1472 vendvotime.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, është shprehur se deri në orën 15:00 nuk kanë marrë kurrfarë njoftimi nga Gjykata Supreme për ankesa në lidhje me vendimin për rinumërimin e votave. Ajo theksoi se nëse nuk ka ankesa vendimi i PZAP-it e obligon KQZ-në ta nisë rinumërimin që sot.

“Ne kemi pranuar dy vendime të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Me një vendim ne jemi obliguar të rinumërojmë një numër të caktuar të kutive dhe me sa kam informatë, nga Gjykata Supreme deri në orën 15:00, sa ka qenë afati për ankimim, nuk është ankuar askush dhe ky vendim bëhet i formës së prerë, pra i plotfuqishëm dhe ne jemi të obliguar t’i rinumërojmë këto kuti ashtu siç është paraparë me këtë vendim të PZAP-it”. Ajo është shprehur se Qendra e Numërimit dhe e Rezultateve duhet të përgatitet ta nisë rinumërimin, përderisa përfaqësuesit e QNR-së njoftuan se janë të gatshëm ta nisin rinumërimin nëse marrin urdhër nga KQZ-ja.

Sa i përket vendimit tjetër për largimin e votave të Serbisë nga rezultati, Daka tha se kjo çështje kërkon kohë deri në fund të procesit. “Sa i përket vendimit tjetër, tashmë ka disa ankesa në Supreme, por ajo nuk ka ndonjë nguti, varet nga rezultatet përfundimtare, pra nuk është çështje që kërkon prej nesh ndonjë veprim, përveç në fund fare të procesit dhe nuk kemi çka të diskutojmë”, ka shtuar ajo.

Vetëvendosja: I refuzojmë pazaret e PZAP-it

Tre kandidatët e fundit në listën e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë ditës së djeshme janë ankuar në Gjykatën Supreme për ta mbrojtur votën e qytetarëve dhe të drejtën e tyre si deputetë të zgjedhur, duke e quajtur këtë vendim të PZAP-it politik. Kështu ka njoftuar përfaqësuesi i Vetëvendosjes në KQZ, Adnan Rrustemi.

“Të bindur se këto vendime janë politike në thelb e në formë, tre kandidatët tanë, Enver Haliti, Arta Bajralia dhe Alban Hyseni, të shpallur nga KQZ-ja si deputetë të listës fituese të Lëvizjes, kanë bërë ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të PZAP-it e në mbrojtje të së drejtës së tyre si deputetë të zgjedhur, si dhe votën e qytetarëve për Lëvizjen Vetëvendosje”. Sipas Rrustemit, PZAP-i ka bërë pazare me vendimet e fundit, të cilat nuk do të kenë mundësi të këmbehen financiarisht. “Javë më parë PZAP-i dy herë kishte në dorë ankesën për votat e serbëve e në të dyja rastet i kishte refuzuar. Herën e parë si të palejueshme, herën e dytë si të pasafatshme, kurse herën e tretë e njëjta u bë edhe e lejueshme, edhe e afatshme. Por jo, vetëm pazari i PZAP-it u bë vendim e vendimi i tyre do të mbetet vetëm një devizë e pakëmbyeshme financiarisht”, ka deklaruar Rrustemi, shkruan tutje "Zëri".

Nisma: Vetëvendosja po tenton t’i grabisë mandatet e Nismës

Nënkryetari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se me ankesat që Vetëvendosja i ka bërë në PZAP është treguar hipokrite, pasi votat e ardhura nga Serbia ajo më herët i kishte refuzuar. Sipas Sherifit, Vetëvendosja po tenton t’ia vjedhë mandatet Nismës. “Përderisa Vetëvendosja ishte e kënaqur me 29 mandatet që ia kishte dhënë populli, i refuzonte këto vota dhe thoshte se ishin të paligjshme e kontrabandë. Në momentin kur e pa që përmes këtyre votave mund të grabisë mandate të huaja, ato të Nismës, ajo e hoqi maskën. Nga patriotë dolën grabitqarë. Dëshirojnë të grabisin mandatet që kanë dalë nga 42 mijë votues”. Ai thotë se Nisma do të pranojë çfarëdo rezultati që vjen në mënyrë të ligjshme, por asnjëherë nuk do të pranojnë tendenca të tilla, të cilat ai i ka quajtur grabitqare.

“Rezultati që ka dhënë populli është ky: 29 mandate i ka LVV-ja, 28 LDK-ja, 24 PDK-ja, 13 koalicioni AAK - PSD dhe 6 koalicioni Nisma - AKR - PD. Vjedhja e mandateve të Nismës është e papranueshme. Ne do të pranojmë çdo rezultat që del nga votat e rregullta, por jo nga tendencat për grabitje të mandateve”, ka deklaruar Sherifi.

Nisma i kanë bërë thirrje Vetëvendosjes të heqë dorë nga këto tendenca.

PDK: Vetëvendosja, avokate e votave të Listës Serbe

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas ankesave të kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat i kanë dërguar në Gjykatën Supreme për vendimin e PZAP-it për anulimin e votave të Serbisë. Krasniqi është shprehur se me këtë veprim LVV-ja është bërë avokate e votave të Listës Serbe. “Partia e Albin Kurtit sot zyrtarisht ka dalë në mbrojtje të votave të ardhura jashtëligjshëm nga Serbia, duke kërkuar nga Gjykata Supreme t'i lejojë në rezultat zgjedhor votat për Listën Serbe. Kujt ia ka marrë mendja që partia e cila deklarohet poshtë e përpjetë që s'bën koalicion me Listën Serbe sot është bërë avokat i Listës Serbe, duke bërë ankesë në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të PZAP-it, që ka refuzuar votat e jashtëligjshme të ardhura nga Serbia”, ka thënë Krasniqi. Sipas tij, me këto ankesa Vetëvendosja ka dalë kundër deklarimeve të tyre të 29 tetorit, ku kërkonin anulimin e votave të Serbisë.

“Vonesat që po i bën Vetëvendosja në vazhdimësi për përmbylljen e procesit zgjedhor janë vetëm manipulime të vogla në vazhdën e manipulimeve e mashtrimeve të mëdha, të cilat do t'i nxjerrin të zhveshur nga çdo parim në javët dhe në muajt që po vijnë”, ka deklaruar ai./ZËRI