Supremja e dërgon përfundimisht Nismën në Kuvend
Foto: Laura Hasani

Supremja e dërgon përfundimisht Nismën në Kuvend

Aktuale November 15, 2019 - 08:20
Detajet
Image

Me vërtetimin e vendimit të PZAP-it për t’i anuluar votat e Serbisë Gjykata Supreme ia ka garantuar koalicionit Nisma – AKR – PD që të bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës. Kësisoj, përfundimisht Vetëvendosja do t’i ketë 29 deputetë, LDK-ja 28 deputetë, PDK-ja 24 deputetë, AAK- PSD-ja 13 deputetë dhe Nisma – AKR – PD-ja 6 deputetë, gjë që do ta ndërrojë edhe natyrën e kalkulimeve për koalicionin e ardhshëm qeverisës, shkruan sot gazeta "Zëri"

Gjykata Supreme ka refuzuar ankesën e tre kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Halitit, Arta Bajralijës dhe Alban Hysenit, ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili urdhëronte Komisionin Qendror të Zgjedhjeve t’i heqë nga rezultati përfundimtar mbi 3 mijë votat e ardhura nga Serbia.

Heqja e këtyre votave nga rezultati i shpallur prej KQZ-së më 7 nëntor ia mundëson koalicionit Nisma – AKR - PD ta kalojë pragun prej 5 për qind dhe të bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës. Sipas rezultateve aktuale pas këtij vendimi, Lëvizja Vetëvendosje do të përfaqësohet me 29 deputetë në Kuvendin e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës me 28 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës me 24 deputetë, koalicioni AAK - PSD me 13 deputetë, ndërsa koalicioni Nisma – AKR - PD do t’i ketë 6 deputetë në legjislaturën e shtatë. Në linjë me këtë do të ndryshojë edhe natyra e koalicioneve që do ta bëjnë qeverinë e ardhshme.

Dy partnerët potencialë për krijimin e koalicionit qeverisës LVV - LDK, tash do të kenë vështirësi të tjera në arritjen e marrëveshjes. Pas hyrjes së Nismës në Kuvend LVV-së dhe LDK-së i duhen edhe 4 deputetë, në mënyrë që të arrijnë t’i mbledhin 61 numra, shumicën e mjaftueshme për ta krijuar ekzekutivin, shkruan tutje "Zëri".

Supremja refuzon të gjitha ankesat, votat serbe përjashtohen nga rezultati

Gjykata Supreme ka vendosur që fletëvotimet e ardhura nga shteti serb, mbi 3 mijë e 700 pako, të mos jenë pjesë e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit. Ky vendim i Supremes ka ardhur pas ankesave të Vetëvendosjes, të LDK-së, të KDTP-së, të PLE-së, të PDA-së e të PDS-së në këtë organ pas vendimit të PZAP-it, i cili urdhëronte Komisionin Qendror Zgjedhor t’i heqë nga rezultati përfundimtar votat e ardhura nga Serbia.

Në një njoftim për medie, Supremja ka bërë të ditur se ka pranuar shtatë ankesa nga deputetë të subjekte të ndryshme politike dhe që të shtatat janë refuzuar. “Pas shqyrtimit nga ana e kolegjit, ankesa nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) është refuzuar, ankesa nga deputetët e Kosova Demokratik Turk Partisi (KDTP) është refuzuar, ankesa nga deputetët e Partisë Liberale Egjiptiane (PLE) është refuzuar, dy ankesa nga deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) janë refuzuar, ankesa nga deputetët e Partisë Demokratike të Ashkalinjëve (PDA) është refuzuar dhe ankesa nga deputetët e Progresivna Demokratska Stranka (PDS) është hedhur poshtë si e palejuar”, thuhet në përgjigjen e dërguar për medie.

Nisma mbërrin cakun, bëhet pjesë e Kuvendit

Pas vërtetimit të vendimit të PZAP-it për mosfutjen e votave të ardhura nga Serbia në rezultatin përfundimtar, koalicioni Nisma – AKR - PD do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, është shprehur se angazhimi i partisë së tij ka bërë që të mos lejojë të deformohet vullneti i qytetarëve të Kosovës, i cili është shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit. Ai ka theksuar se vendimi i Gjykatës Supreme e ka mbrojtur integritetin e zgjedhjeve, i cili është cenuar nga veprime të paligjshme të individëve të caktuar.

“Gjykata Supreme dhe PZAP-i me këto vendime treguan se shteti ligjor këtu funksionon dhe institucionet e këtij shteti ligjor janë gardianë në mbrojtje të ligjit dhe të demokracisë në Kosovë, se ato kanë integritet të lartë profesional e shtetëror dhe nuk lejuan asnjë ndërhyrje nga jashtë, por në mënyrë të përpiktë kthyen ligjshmërinë në këtë proces, i cili ishte sfiduar seriozisht nga njerëz të papërgjegjshëm, që për përfitime të tyre ishin të gatshëm ta dëmtojnë procesin më të rëndësishëm në një shtet ligjor, siç janë zgjedhjet e lira”, ka deklaruar Limaj, shkruan tutje "Zëri".

Në legjislaturën e shtatë koalicioni Nisma – AKR - PD do të përfaqësohet në Kuvend me 6 deputetë. Prej listës së kandidatëve të kësaj partie mandatin e deputetit e kanë fituar: Fatmir Limaj, Behxhet Pacolli, Endrit Shala, Haxhi Shala, Mirlinda Sopi-Krasniqi dhe Albulena Balaj-Halimaj.

Kandidatët që ia panë sherrin vendimit të PZAP-it

Me vendimin e PZAP-it për anulimin e votave të Serbisë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 6 tetorit nga Lëvizja Vetëvendosje mandatin e kanë humbur tre deputetë. Enver Haliti, Arta Bajralija dhe Alban Hyseni nuk do të arrijnë të jenë pjesë e legjislaturës së ardhshme të Kuvendit. Nga Lidhja Demokratike e Kosovës pjesë e Kuvendit nuk do të jetë Valentina Bunjaku, e cila ka ushtruar pozitën e deputetes në legjislaturën e kaluar.

Prej Partisë Demokratike të Kosovës mandati i deputetes i është mohuar Valdete Idrizit. Ndërsa prej koalicionit AAK - PSD kandidatja e vetme e PSD-së që kishte arritur të marrë vota për t’u futur në Kuvend me vendimin e PZAP-it dhe me konfirmimin e Supremes për anulimin e votave të Serbisë nuk do të arrijë ta marrë pozitën e deputetes, kështu duke e lënë Partinë Socialdemokrate pa asnjë përfaqësues në Kuvend prej 12 sosh sa kishte në përbërjen e kaluar, shkruan gazeta "Zëri".

Tahiri: Nëse Nisma bëhet pjesë e Qeverisë do të rritet numri i ministrive

Pas vërtetimit të vendimit të PZAP-it nga ana e Gjykatës Supreme Nisma – AKR – PD-ja do të jenë parti parlamentare, përveç nëse ndodh që rinumërimi i 1428 vendvotimeve të mos jetë i favorshëm për këtë koalicion. Kështu ka deklaruar politologu Ramush Tahiri, i cili ka theksuar se hyrja e Nismës në Kuvend do ta ndërrojë në tërësi matematikën e koalicionit që do ta bëjë qeverinë. "Nëse Nisma bëhet parti parlamentare, koalicioni mund të ndërtohet Vetëvendosje, LDK dhe Nisma, por pastaj ndarja e pushtetit do jetë më e vështirë. Nëse ka mundësi për një koalicion të tillë, atëherë nuk do të ketë më 12 ministri, por do të rritet numri së paku në 16-17, sepse Nisma nuk pranon më pak se 3 ministri", ka deklaruar Tahiri.

Por pavarësisht kësaj, Tahiri thotë se më efikase do të ishte që Qeveria të bëhej prej dy partive sesa prej 3 ose më shumë, duke aluduar kështu në praktikat e qeverive të kaluara, të cilat ai i ka quajtur të hidhura./ZËRI