MAPL-ja jep 66 mijë euro për restaurimin e shtëpisë së Zharkoviqit në veri të Mitrovicës
Foto: Laura Hasani

MAPL-ja jep 66 mijë euro për restaurimin e shtëpisë së Zharkoviqit në veri të Mitrovicës

Aktuale November 15, 2019 - 08:33
Detajet
Image

Llazar Zharkoviq ishte një pasanik serb, i cili njihet për ndërtimin e hotelit të parë në Mitrovicë “Jadran”, në vitin 1928, për ndërtimin e centralit elektrik, një mulli elektrik të kapacitetit të lartë, tjegulloren, si dhe një kompleks të ndërtesave në Zveçan dhe në Stantërg. Shtëpia e tij në veri të Mitrovicës do të rinovohet deri më 24 dhjetor dhe do ta ruajë në tërësi pamjen që kishte, shkruan sot gazeta "Zëri".

Mitrovicë. Një shtëpi e njërit prej pasanikëve më të mëdhenj serbë të viteve të 20-ta në Mitrovicë do të restaurohet dhe do të rinovohet me mjetet e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Kjo ministri ka ndarë 66 mijë euro për kryerjen e punëve, të cilat kanë filluar shumë kohë më përpara dhe që pritet të përfundojnë deri me 24 dhjetor. Sipas një njoftimi të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, të cilin e përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës, shtëpia e pasanikut serb Llazar Zharkoviq është ndërtesa më e vjetër e ndërtuar në veri të Mitrovicës.

“Ndërtuesi dhe pronari burimor i kësaj shtëpie është Llazar Zharkoviq, i cili bashkë me vëllain e tij ishte kthyer nga Amerika dhe pikërisht në Mitrovicë kishte ndërtuar centralin elektrik, që ka furnizuar me energji elektrike qytetin dhe rrethinën dhe ka mundësuar punën e industrive, ka ndërtuar një mulli automatik elektrik në katër kate me kapacitete të mëdha, ka ndërtuar tjegulloren, e cila kishte përshpejtuar ndërtimin e shumë ndërtesave dhe objekteve shtetërore, hotelin ‘Jadran’, një objekt reprezentativ hotelier, komplekse të banesave në Zveçan dhe në Stantërg”, thuhet në njoftim, të cilin e përcjellin mediet lokale serbe në veri. Siç shkruan “Kossev”-i, shtëpinë e Zharkoviqit në veri të Mitrovicës e ka brejtur “dhëmbi i kohës” dhe për këtë arsye Komuna e Mitrovicës Veriore dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal janë angazhuar për ta ruajtur këtë objekt, shkruan tutje "Zëri".

Punët rreth restaurimit të shtëpisë së Zharkoviqit, në përfundim

“Me propozim të Komunës së Mitrovicës Veriore MAPL-ja ka lejuar 66 mijë euro për rinovimin dhe restaurimin e shtëpisë së Zharkoviqit”, ka thënë ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal Adriana Hoxhiq, duke shtuar se sa u përket punëve investimet mbulojnë rinovimin e kulmit të shtëpisë, rregullimin dhe restaurimin e fasadës, rinovimin e jashtëm të zdrukthëtarisë, atje ku është e nevojshme, për arsye se banorët që jetojnë në këtë ndërtesë me mjete të veta kanë rinovuar një pjesë, si dhe kanë rregulluar hyrjen në ndërtesë.

“Në arsyetimin e propozimit të Komunës Veriore të Mitrovicës thuhet se njëra prej arsyeve është fakti se është ndërtesa më e vjetër në veri të Mitrovicës, e cila nuk duhet ta ndryshojë pamjen e vjetër dhe për këtë arsye nuk bëhet dizajni i ri i fasadës, por vetëm restaurimi siç ka qenë dikur. Punët janë në përfundim e sipër, ndërsa më 24 dhjetor, kur është afati për përfundimin e punimeve, do ta shohim shtëpinë e Zharkoviqit në një dukje krejtësisht tjetër. Tani mund të shihet fasada e re, si dhe mund të shihen disa dritare të reja dhe dera e hyrjes, të cilat janë zëvendësuar me ato të aluminit dhe të plastikës”, ka thënë Hoxhiq.

Duke folur për figurën e humanistit Zharkoviq, mediet lokale serbe konstatojnë se ai kishte shkuar në Amerikë në fillim të shekullit 20 dhe pastaj ishte kthyer në Mitrovicë. “Vendimin për t’u vendosur në Mitrovicë e kishte marrë atëherë kur bashkë edhe me 7 mijë të plagosur ishte shëruar në spitalet ushtarake në Bair, në pjesën jugore të Mitrovicës.

Ai bashkë me vëllain kishin ndërtuar centralin elektrik, që ka furnizuar me energji elektrike qytetin dhe rrethinën dhe ka mundësuar punën e industrive, ka ndërtuar një mulli automatik elektrik në katër kate me kapacitete të mëdha, ka ndërtuar tjegulloren, e cila kishte përshpejtuar ndërtimin e shumë ndërtesave dhe objekteve shtetërore, hotelin ‘Jadran’, një objekt reprezentativ hotelier, komplekse të banesave në Zveçan dhe në Stantërg”, shkruajnë mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës, duke shtuar se Zharkoviqi ishte njeriu i cili ishte i pari që e kishte sjellë në Mitrovicë kinemanë.

Shumë destinacione gjatë viteve të hotelit “Jadran”

Ish-hoteli “Jadran” është ndoshta investimi i tij më i rëndësishëm për Mitrovicën e asaj kohe. Ndërtesa e ish-hotelit “Jadran” ndodhet në qendër të qytetit, në sheshin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Kjo ndërtesë është e ndërtuar në vitin 1928. Objekti është investim i familjes pasanike Zharkoviq nga Mitrovica. Në fillim objekti ka funksionuar si hotel, pastaj si objekt administrativ i NT “Lux”, kurse më pas si bibliotekë e qytetit. Tani objekti është privatizuar dhe përdhesi i objektit kryen funksion afarist, shkruan tutje "Zëri".

Sipas një përshkrimi në bazën e të dhënave të Institutit për Trashëgimi Kulturore, ndërtesën e karakterizon stili secesionist, me planimetri në formë të shkronjës “L”. Dominon vëllimi qendror i fasadës së ndërtesës, e realizuar në vendtakimin e dy krahëve të ndërtesës, në formë harkore dhe me realizim të kulmit në formë shatorri rrethor. Dominimi i hyrjes në kënd të ndërtesës, të potencuar me dy shtylla, si dhe me ballkonin harkor në kat, të vetmin në tërë ndërtesën, krahas vendosjes dhe dominimit të objektit në kryqëzimin e rrugëve në qendër të qytetit, ofron përshtypjen e realizimit të suksesshëm të veprës arkitektonike. Ndërtesa ishte realizuar për të kryer funksione shërbyese hotelerie, si kërkesë dhe nevojë e kohës. Sipas etazheve, bodrumi ishte i destinuar për hapësirat ekonomike, përdhesi shërbente për ofrim të shërbimeve hotelerie, ndërsa kati kishte destinim për fjetje.

Materialet e ndërtimit janë tradicionale, gur, tulla të argjilës së pjekur, prodhim vendor i fabrikës së pronarit dhe konstruksione nga druri. Dominon mbulesa e kulmit me tjegulla të falcuara të argjilës së pjekur, ndërsa kulmi i vëllimit harkor dhe disa elemente tjera janë të mbuluara me pllaka të petëzuara të bakrit.

Objekti gjatë kohës ka pësuar transformime kryesisht në fasadën e përdheses – ndryshimi i numrit dhe i formës së hapjeve. Objekti sot është gjendje relativisht të mirë. Deri në ditët e sotme objekti kryesisht ka ruajtur gjendjen fillestare të ndërtimit dhe kjo veçanërisht shihet mirë në fasadat ballore të objektit. Në dhjetor 2014 u ndërmorën masat emergjente, me investime të MKRS-së./ZËRI