Lista Serbe ankohet për Kurtin në takimet me njerëzit e Merkelit në Berlin

Lista Serbe ankohet për Kurtin në takimet me njerëzit e Merkelit në Berlin

Aktuale November 15, 2019 - 11:26
Detajet

Zyrtar të Listës Serbe të prirë nga kryetari i partisë, Goran Rakiq, kanë qëndruar për një vizitë dy ditore në Berlin, ku kanë takuar zyrtarë të parlamentit gjerman dhe qeverisë së kancelares, Angela Merkel.

Në këto takime është diskutuar për zgjedhjet e 6 tetorit, krijimin e qeverisë së re dhe gjithashtu të drejtat e minoriteteve në Kosovë.

Në një njoftim të publikuar në faqen e tyre thuhet se Matias Lunberg ka potencuar se pritjet e kancelares Angela Merkel janë që të respektohet vullneti elektoral i të gjithë qytetarëve dhe gjithë komuniteteve.

Përveç tjerash thuhet se është kërkuar që qeveria e re duhet të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve shumicë dhe pakicë, transmeton Gazeta Express.

Tutje thuhet se delegacioni i Listës Serbe ka kërkuar që të respektohet vullneti demokratik i popullatës serbe.

Sipas tyre marrja e pozitave nuk është prioritet i kësaj partie, duke adresuar kështu kritika ndaj liderit të VV’së, Albin Kurtit, për të cilin thonë se ‘vazhdimisht po përpiqet të degradojë Listën Serbe dhe përfaqësuesit e saj, duke thënë se dëshiron të bisedojë vetëm më ata serbë që ai i konsideron të rëndësishëm”, raporton Gazeta Express.

Goran Rakiq ka thënë se një refuzim i tillë për të folur me përfaqësuesit, siç ka thënë ai, të vetmit të ligjshëm të zgjedhur nga qytetarët serb është mungesë e respektimit të të drejtave të serbëve, ndërkohë ka shtuar se retorika e ashpër e politikanëve shqiptarë nuk kontribuon në stabilitetin dhe rrit mosbesimin në mes të popujve në Kosovë.