Vetëvendosja nuk pranon në koalicion parti që kanë keqqeverisur me vendin

Vetëvendosja nuk pranon në koalicion parti që kanë keqqeverisur me vendin

Aktuale November 16, 2019 - 13:24
Detajet

Hyrja e koalicionit Nisma - AKR - PD në Kuvendin e Kosovës, ndonëse e ka zvogëluar numrin e deputetëve të LVV-së e të LDK-së për ta bërë Qeverinë, nuk mund ta pamundësojë krijimin e saj. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët theksojnë se pa Nismën dhe me komunitetet joserbe LVV-ja e LDK-ja do ta bëjnë Qeverinë, gjë e cila po konfirmohet edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, shkruan sot gazeta "Zëri".

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ditë më parë është shprehur se marrja ose jo e Nismës në koalicionin e LDK-së me Vetëvendosjen do të varet nga kjo e fundit, pasi Vetëvendosja është ajo që i ka fituar zgjedhjet dhe ajo që mund të vendosë.

Mirëpo marrja e Nismës në koalicionin LVV - LDK nuk po duket e pranueshme për Vetëvendosjen. Nënkryetarë të kësaj partie janë shprehur se Vetëvendosja do ta respektojë vullnetin e qytetarëve, të cilët përveçqë nuk e duan Nismën në Qeveri, nuk e deshën as në Parlament. “Nisma në fushatë ka deklaruar që është në garë për fitore. Përgjigja e qytetarëve ka qenë shumë e fuqishme, ata jo vetëm që nuk e duan Nismën në qeverisje, por madje nuk e duan fare në Parlament. Mendoj se ne si Vetëvendosje e kemi obligim ta respektojmë këtë qëndrim të qytetarëve”, ka thënë nënkryetari Besnik Bislimi.

Ndërsa nënkryetarja e Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku, ka deklaruar për “Zërin” se LVV-ja e LDK-ja nuk do ta kenë problem ta formojnë Qeverinë edhe pa Nismën, meqë partia e saj dhe LDK-ja i kanë numrat e mjaftueshëm për ta bërë Qeverinë. "Hyrja e Nismës në Kuvend nuk e paraqet asnjë pengesë në krijimin e Qeverisë. Bisedimet deri tani kanë qenë mjaft të suksesshme dhe ne tashmë bashkë me LDK-në jemi afër përmbylljes së këtij procesi, që besoj shumë se do të kurorëzohet me formimin e Qeverisë së re”, ka deklaruar Kollçaku.

Kollçaku është shprehur se e rëndësishme është në Qeverinë e re të mos ketë parti që kanë keqqeverisur me vendin, pasi kjo ka qenë kërkesë edhe e qytetarëve në zgjedhjet e 6 tetorit. “Subjektet që kanë keqqeverisur deri tani do të duhej të mbesin në opozitë që të gjitha, sepse në njëfarë mënyre ato e kanë marrë përgjigjen prej elektoratit. Një gjë e tillë do të ishte më e shëndetshme për të gjithë qytetarët deri në reflektimin e këtyre partive”, ka thënë ajo.

Ndërsa duke folur për kushtëzimet e komuniteteve joserbe për pjesëmarrje në Qeveri, Kollçaku është shprehur se do të ishte e papranueshme dhe joserioze nëse do të ketë një qasje të tillë kushtëzuese ose nëse do të kishte vetëpërjashtim të tyre nga Qeveria, meqë një gjë e tillë nuk ka qenë e shfaqur më parë./ZËRI