LVV-ja e LDK-ja s’e duan Nismën e AKR-në në Qeveri, vendi drejt zgjedhjeve
Foto: Laura Hasani

LVV-ja e LDK-ja s’e duan Nismën e AKR-në në Qeveri, vendi drejt zgjedhjeve

Aktuale November 18, 2019 - 07:56
Lexoni detajet!

Image

Image

Dy partitë që dolën të parat nga zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk do të pranojnë ta formojnë qeverinë e re me asnjërën nga partitë që kanë keqqeverisur në mandatin e kaluar, duke përjashtuar kështu një koalicion të mundshëm me Nismën dhe me AKR-në. Kësisoj, sipas analistëve vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të pranojnë të bashkëqeverisin me koalicionin Nisma – AKR, ndonëse pikërisht këto subjekte mund t’ua rrëmbejnë dy partive fituese të zgjedhjeve 4 deputetë.

Të paktën kështu kanë deklaruar përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët thonë se nuk do të ftojnë për bashkëpunim rreth formimit të qeverisë së re asnjë parti, e cila ka keqqeverisur në mandatin e kaluar, pavarësisht rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

Në anën tjetër nga koalicioni Nisma – AKR janë shprehur se nuk kanë interes të bëhen pjesë e qeverisë së re, mirëpo ata kanë theksuar se për të vendosur përfundimisht për këtë çështje duhet pritur certifikimi i rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja, shkruan më tutje "Zëri". 

Kurse njohësit e rrethanave politike vlerësojnë se koalicioni Nisma – AKR me të kaluar pragun prej 5% do të faktorizohet përsëri.

Rrjedhimisht sipas tyre, nëse Vetëvendosja nuk e fton Nismën në Qeveri, atëherë gjasat janë reale që vendi të shkojë përsëri në zgjedhje.

LVV-ja nuk pranon të qeverisë me Nismën dhe me AKR-në

Edhe pse votat e koalicionit Nisma - AKR mund ta fuqizonin më shumë qeverinë e re, Vetëvendosja nuk ka pranuar të bëjë koalicion me këto dy parti nëse ato kalojnë pragun zgjedhor.

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka thënë për “Zërin” se të gjitha subjektet të cilat kanë keqqeverisur do të shkojnë në opozitë.

“Ne si parti kemi theksuar që është shumë me rëndësi të vijë një qeveri me duar të pastra, të qeverisë ndryshe, e cila do ta luftojë krimin dhe korrupsionin e organizuar institucional dhe do të sjellë një program që do t’i mundësojë vendit zhvillim ekonomik, një shëndetësi shumë më të mirë e një arsim më cilësor. Ne kemi menduar edhe më herët se për të ndodhur kjo është me rëndësi të gjitha subjektet që kanë keqqeverisur me vendin të shkojnë në opozitë. Tani është e qartë se vota e qytetarit i ka ndëshkuar ata që kanë keqqeverisur, prandaj duke u bazuar në krejt këtë do të ishte e pritshme që këto parti të mbesin në opozitë”, ka deklaruar ajo.

Tutje Kollçaku ka konsideruar se formimi i qeverisë së re nga LVV-ja e nga LDK-ja nuk do të jetë problem.

“Kemi edhe partitë minoritare, përveç Listës Serbe, që sa i përket këtij subjekti ajo që kemi kundërshtuar ne ishte fakti se Lista Serbe nuk e pranon Republikën e Kosovës si shtet. Ne kemi edhe minoritetet tjera, të cilat deri më tani kanë qenë pjesë e Qeverisë dhe është e qartë se dikush prej tyre do të përfshihet në Qeveri”, ka thënë ajo më tej.

LDK-ja ia lë në dorë LVV-së koalicionin potencial me Nismën

Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, për “Zërin” ka thënë se i takon partisë fituese të zgjedhjeve të vendosë nëse koalicioni Nisma – AKR do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme ose jo.

Mirëpo ajo ka thënë po ashtu se për ta ditur epilogun e zhvillimeve duhet pritur certifikimi i rezultateve zgjedhore.

“Ende nuk është përmbyllur procesi zgjedhor dhe ne nuk mund të spekulojmë mbi atë se çka do të ndodhë në fund. Së dyti, LDK-ja sipas të gjitha gjasave do të dalë si subjekti i dytë, ndërsa Vetëvendosja fituese e zgjedhjeve e nëse e kemi këtë pasqyrë, atëherë pikërisht LVV-ja do ta ketë primatin ta lidhë koalicionin qeverisës. Kurse sa i përket Nismës dhe pjesëmarrjes së saj në koalicion, kjo gjë varet nga LVV-ja”, ka thënë ajo.

Rrjedhimisht Gaxherri ka theksuar se nëse Vetëvendosja ia paraqet LDK-së faktet e nevojshme se Nisma e AKR-ja duhet të jenë pjesë e qeverisë së re, atëherë LDK-ja do ta pranojë këtë gjë.

“Në qoftë se LVV-ja bisedon me LDK-në dhe i tregon argumentet se pse duhet ta marrin edhe Nismën, unë mendoj se pajtohet edhe LDK-ja, por në këtë rast LVV-ja është ajo që vendos se cilat subjekte politike i hyjnë në punë për ta pasur numrin e mjaftueshëm në koalicion”, ka shtuar tutje ajo.

Pavarësisht kësaj, ish-deputetja ka theksuar se assesi LDK-ja e LVV-ja nuk do të lejojnë që formimi i qeverisë së re të jetë pjesë e pazareve të partive ose të individëve të caktuar.

“Koalicioni LDK - LVV i ka ngritur shumë parime për harmonizimin e programit dhe kjo nënkupton se do të jetë një qeveri ndryshe. Në këtë koalicion nuk do të ketë pazare për individë të caktuar, siç kemi pasur në të kaluarën, që me një deputet ka pasur 1 ose 2 ministri. Pavarësisht nëse LVV-ja a do të bëjë bisedime edhe me Nismën, unë nuk besoj se do të ketë pazare të tilla. LDK-ja dhe LVV-ja së bashku me minoritet e tjera, pa Listën Serbe, i kanë mjaftueshëm votat, kështu që nuk besoj se duhet të bëhet koalicion për të bërë pazare me poste politike”, ka deklaruar ajo.

Nisma – AKR: S’e lusim Vetëvendosjen, nuk e kemi patjetër hyrjen në Qeveri

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, për “Zërin” ka deklaruar se aktualisht nuk kanë zhvilluar kurrfarë bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje për t’u bërë pjesë e qeverisë së re. Për këtë gjë, siç ka thënë ai, duhet të pritet certifikimi i rezultateve finale të zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Sido që të jetë koalicioni ynë është në Kuvend, kështu që do të presim të përfundojë procesi i certifikimit të rezultateve. Nuk ka pasur kurrfarë bisedime, sepse po presim certifikimin e rezultateve. Ne nuk i imponohemi askujt, mirëpo nëse ka dikush nevojë për ne, atëherë do të bisedojmë”, ka potencuar ai.

Madje ai ka thënë se koalicioni i tij nuk e ka patjetër hyrjen në Qeveri, mirëpo do të punojë gjithmonë në të mirë të interesave shtetërore.

“Në ende nuk kemi menduar a do të hyjmë në Qeveri ose jo. Nuk është që e kemi patjetër, por gjithmonë kemi vepruar dhe kemi punuar në koordinim të rregullave demokratike dhe në interes të shtetit të Kosovës. Në do të veprojmë gjithmonë në interes të shtetit”, ka shtuar ai.
Kurse anëtari i Nismës Socialdemokrate, Dardan Gashi, në një deklaratë për medie ka theksuar se sjelljet e LVV-së e kanë dëmtuar mundësinë për një partneritet në qeverinë e ardhshme.

“Tash i presim certifikimet e rezultateve, por natyrisht sjelljet e LVV-së nuk lënë hapësirë optimiste, janë të papranueshme, sepse një herë tentojnë të grabitin e pastaj ofendojnë e shajnë. Këto nuk janë shenja të mira për një partneritet të mundshëm”, ka thënë ai.

Madje ai ka shtuar se nuk kanë pasur takime me LVV-në rreth futjes në qeverinë e ardhshme. “Ende jemi larg prej koalicionit. Në kuptimin formal ne kemi pasur takime edhe më herët në nivel më të lartë me LDK-në, por jo me LVV-në”, është shprehur Gashi.

Rreziku nga zgjedhjet e reja dhe nga faktorizimi i Nismës e i AKR-së

Pavarësisht se ende nuk janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit, vendi rrezikon që përsëri të shkojë në zgjedhje.

Analisti i çështjeve politike në vend Ramush Tahiri ka thënë për “Zërin” se është e vështirë të formohet qeveria e re nga Vetëvendosja dhe nga LDK-ja. Sipas tij, Nisma do të jetë e nevojshme për funksionimin e Qeverisë.

“Me anulimin e votave që kanë ardhur nga Serbia, Nisma është bërë parti parlamentare. Mirëpo tani ajo ka hyrë në rinumërim. Rinumërimi i votave mundet të mos i japë fitore Nismës. Nëse i jep fitore, atëherë qeverisja duhet të bëhet me tri parti për t’u bërë 61 vota. Vetëm Vetëvendosja me LDK-në nuk i kanë votat e mjaftueshme. Atyre u nevojiten edhe 6 vota të Nismës. Tani është problem të bëhet qeveria e re dhe ndoshta shkon vendi në zgjedhje. Me 12 ministri problem e kanë që ta fitojnë shumicën”, ka thënë ai.

Përveç koalicionit me LDK-në, Vetëvendosja synon të lidhë koalicion edhe me minoritetet në vend, të cilat do t’ia sigurojnë asaj 10 vota në Kuvendin e Kosovës. Tahiri ka vlerësuar se edhe me votat e komuniteteve qeverisja Vetëvendosje - LDK nuk do të jetë e qëndrueshme.

“Përveç te qeverisja e Ramush Haradinajt, komunitetet nuk kanë qenë asnjëherë ata që i bëjnë numrat. Komunitetet votojnë pro, por nuk është se prej tyre varen votat. Tani Vetëvendosja nuk e ka Qeverinë shumë të suksesshme nëse e bën me LDK-në dhe me 10 minoritetet. Numrat formalisht i ka, por faktikisht nuk duket shumë Qeveri e qëndrueshme, e cila mund ta realizojë programin e Vetëvendosjes dhe gjasat janë që Vetëvendosja ta dërgojë edhe një herë vendin në zgjedhje për ta pasur fitoren e pastër herën e dytë”, ka shtuar ai.