Kështu VV po e përjashton nga qeveria NISMA-n, ky është plani i Albin Kurtit për 61 vota në Kuvend

Kështu VV po e përjashton nga qeveria NISMA-n, ky është plani i Albin Kurtit për 61 vota në Kuvend

Aktuale November 18, 2019 - 19:17
Detajet

Gjatë ditës së sotme Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka publikuar një postim ku ka njoftuar se Grupit Parlamentar të VV-së iu bashkua deputeti i Partisë Egjiptiane IRDK, Elbert Krasniqi, ku me këtë të fundit, VV-ja aktualisht bën 30 deputetë.

Sipas kësaj, duhen edhe 3 deputetë të tjerë të iu bashkohen VV-së apo LDK-së në mënyrë që këto dy subjekte të mund të formojnë qeverinë, pa pasur nevojë për koalicionin NISMA-AKR-PD.

Nëse këto dy parti arrijnë të marrin deputetë të partive të komuniteteve jo shumicë në Kosovë, atëherë do të arrijnë 61 vota për formimin e qeverisë, e me postimin e sotëm të VV-së siç duket ky është synimi i tyre.

Anëtarja e Kryesisë se VV-së, Arbërie Nagavci, në një prononcim për GazetaBlic ka thënë se synimi i VV-së është të ketë bashkëqeverisje me LDK-në.

Ajo thotë se janë në pritje të certifikimit të rezultateve dhe pas tyre do të vendoset se si të bashkëpunojnë, por një gjë është e siguritë se ky subjekt politik nuk po e do Nismën në bashkëqeverisje.

Nagavci shton se partitë jo serbe janë të mirëseardhura për bashkëpunim, mirëpo nuk do të jetë e mirëpritur asnjë parti që ka qenë në pozitë në legjislaturën e kaluar.

“Ne po presim certifikimin e rezultateve të shohim se sa do të ketë koalicioni qeverisës Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës bashkërisht dhe pastaj siç kemi shprehur qëndrimin tonë që të qeverisim me shumicën jo serbe, me pakicat jo serbe”, tha ajo.

Nagavci tha se në këtë qeverisje duan të jenë bashkë me opozitën që kanë qenë në legjilaturën e kaluar dhe të mos formohet një PAN qeverisje tjetër.

“E kemi bërë të qartë që në qeverisje duam të kemi subjektet që kanë qenë opozitë në legjislaturën e kaluar, që nuk kanë qenë pjesë e PAN qeverisjes”, tha ajo.

“Aktualisht jemi të interesuar në koalicionin qeverisës në mes të LVV-LDK dhe eventualisht në bashkëpunim me pakicat tjerë jo serbe ky është synimi jonë”, shtoi Nagavci./gazetablic/