Manxhuka: Vetëvendosja, e gatshme t’i rinisë bisedimet me LDK-në

Manxhuka: Vetëvendosja, e gatshme t’i rinisë bisedimet me LDK-në

Aktuale November 20, 2019 - 08:57
Lexoni detajet!

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ndonëse po synojnë të arrijnë një koalicion për formimin e qeverisë së re, takimin e fundit në lidhje me këtë çështje e kanë pasur dy javë më parë. Që nga 7 nëntori LVV-ja e LDK-ja përveçqë nuk janë takuar, nuk kanë caktuar as ndonjë datë se kur mund të jetë takimi i ardhshëm mes tyre edhe pse shprehen optimistë se negociatat mund të nisin gjatë javës së ardhshme, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ndonëse kanë theksuar se do ta respektojnë vendimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për vazhdimin e negociatave për formimin e Qeverisë pas certifikimit të rezultateve, nga Lëvizja Vetëvendosje pohojnë se janë të gatshëm t’i zhvillojnë bisedimet edhe para certifikimit nëse LDK-ja do të kërkonte.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, në një përgjigje për “Zërin” është shprehur se tashmë të dyja partitë kanë arritur dakordim dhe se janë duke e pritur certifikimin për t’i nisur bisedimet mes Kurtit e Mustafës.

“Ende nuk është caktuar ndonjë datë për takimin e liderëve, por sigurisht se ajo do të ndodhë. Nuk ka pasur asnjë refuzim dhe se bashkëpunimi është në nivel shumë të mirë. Për mendimin tonë takimet mund të bëhen edhe para certifikimit, por sido që të jetë pas harmonizimit në masë të madhe të programit hapi tjetër është ai i takimit të kryetarëve të subjekteve për t’i dhënë edhe shtytjen e fundit koalicionit LVV - LDK”, deklaroi ai për "Zërin".

Manxhuka ka potencuar se në qeverinë e re nuk do të përfshihen partitë të cilat kanë qenë pjesë e qeverisë së kaluar.

“Sa u përket subjekteve të tjera për përfshirje në koalicion ne kemi theksuar që zgjedhjet e 6 tetorit janë mesazh i qartë: populli ka votuar për ndryshim dhe se pozita e deridjeshme duhet të kalojë në opozitë”, ka theksuar Manxhuka. /ZERI