Mali i Zi do t’i dërgojë ftesë qeverisë së re për t’u takuar rreth shënimit të kufirit

Mali i Zi do t’i dërgojë ftesë qeverisë së re për t’u takuar rreth shënimit të kufirit

Aktuale November 20, 2019 - 10:20
Lexoni detajet!

Nga qeveria malazeze kanë thënë për “Zërin” se çështja e demarkacionit ka përfunduar me nënshkrimin e marrëveshjes, megjithëkëtë ata kanë pohuar se do të formohet Trupi i Përbashkët Punues, i cili do të merret me shënimin e kufirit Kosovë - Mali i Zi. Por as nga pala malazeze, as nga ajo kosovare nuk kanë treguar saktë se kur do të ndodhë një gjë e tillë. Ndërkohë dy subjektet që janë duke zhvilluar bisedimet për formimin e qeverisë së re në Kosovë, LVV-ja e LDK-ja, kanë dalë me qëndrime të kundërta rreth kësaj çështjeje, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Milan Paunoviq, shef i Divizionit për Menaxhimin e Integruar të Kufijve në Ministrinë e Brendshme të Malit të Zi, i cili njëherësh është edhe kryetar i Komisionit për Shënimin e Kufirit nga ky shtet, ka thënë se demarkacioni mes Kosovës dhe Malit të Zi ka përfunduar me nënshkrimin e marrëveshjes së vitit 2015.

“Demarkacioni midis Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës ka përfunduar me nënshkrimin e marrëveshjes dhe përmes kësaj marrëveshjeje Mali i Zi e Kosova kanë marrë përsipër detyrimin për ta kryer shënimin e kufirit shtetëror siç përcaktohet me këtë marrëveshje”, ka deklaruar për “Zërin” Paunoviq.

Para më shumë se një viti Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi pati dalë me një njoftim, në të cilin thuhej se Marrëveshja e Demarkacionit ka hyrë në fuqi më 4 qershor 2018, pak muaj pasi ajo ishte ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, më 21 mars 2018. Ndërkohë në Kuvendin e Malit të Zi Marrëveshja e Demarkacionit kishte kaluar më 28 dhjetor të vitit 2015.

Ndaj Paunoviq ka thënë se në bazë të marrëveshjes, brenda dy vjetësh nga hyrja e Demarkacionit në fuqi, shtetet përkatëse duhet ta shënojnë kufirin që përcaktohet në marrëveshje.

Sido që të jetë, Kosova e kishte ratifikuar Demarkacionin vetëm pasi marrëveshjes i ishte bashkëngjitur një dokument shtesë, i nënshkruar mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe homolog të tij malazez Filip Vujanoviq.

Sipas këtij dokumenti thuhej se palët pajtohen për formimin e një trupi të përbashkët punues, i cili do t’i identifikojë mosmarrëveshjet eventuale rreth shënjimit të kufirit. Në këtë drejtim, Milan Paunoviq ka thënë se një gjë të tillë do ta bëjë Trupi i Përbashkët Punues, i cili ende nuk është formuar.

“Komisionet shtetërore të kufirit, ai i Malit të Zi dhe ai i Republikës së Kosovës, në përputhje me Nenin 7 të Marrëveshjes, do ta formojnë një Trup të Përbashkët Punues, i cili do ta kryejë shënimin e kufirit shtetëror në terren, ashtu siç përcaktohet me marrëveshje”, ka theksuar ai gjatë përgjigjes dhënë për gazetën "Zëri".

Pavarësisht faktit se qysh në fillim të përgjigjes ka deklaruar se demarkacioni është çështje e përfunduar, Paunoviqi tutje ka thënë se Trupi Punues do ta ketë mundësinë të kryejë korrigjime eventuale rreth kufirit.

“Duke pasur parasysh kushtet lokale dhe gjeografike, Trupi i Përbashkët Punues gjatë shënimit të kufirit shtetëror do ta ketë mundësinë të kryejë korrigjime të nevojshme dhe të balancuara të vijës kufitare, duke u bazuar në marrëveshjen e përbashkët”, ka potencuar ai.

Më tej ai ka njoftuar se në korrik të vitit 2018 Kosovës i ishte dërguar një ftesë, përmes kanaleve diplomatike, për të organizuar një takim mes komisioneve shtetërore të të dyja vendeve, me qëllim që të bëhet shënimi i kufirit shtetëror.

Të njëjtën gjë, siç Paunoviqi ka thënë, Mali i Zi do ta bëjë edhe pas krijimit së qeverisë së re të Kosovës.

“Pas formimit të qeverisë së re të Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 2019, Mali i Zi do ta ridërgojë ftesën për të njëjtën gjë, me qëllim që të shkohet deri te zbatimi i kësaj marrëveshjeje”, ka shtuar kryetari i Komisionit për Shënimin e Kufirit nga Mali i Zi. /ZERI