LVV - LDK, me qëndrime të kundërta rreth demarkacionit

LVV - LDK, me qëndrime të kundërta rreth demarkacionit

Aktuale November 20, 2019 - 14:23
Lexoni detajet!

Nga qeveria malazeze kanë thënë për “Zërin” se çështja e demarkacionit ka përfunduar me nënshkrimin e marrëveshjes, megjithëkëtë ata kanë pohuar se do të formohet Trupi i Përbashkët Punues, i cili do të merret me shënimin e kufirit Kosovë - Mali i Zi. Por as nga pala malazeze, as nga ajo kosovare nuk kanë treguar saktë se kur do të ndodhë një gjë e tillë. Ndërkohë dy subjektet që janë duke zhvilluar bisedimet për formimin e qeverisë së re në Kosovë, LVV-ja e LDK-ja, kanë dalë me qëndrime të kundërta rreth kësaj çështjeje, shkruan Gazeta 'Zëri'. 

Përveç hetimit të punës së komisionit të mëhershëm të drejtuar nga Murat Meha, LVV-ja ka thënë se pas ardhjes në krye të Qeverisë do ta ndërmarrë edhe hapin e radhës rreth demarkacionit, i cili siç bëhet e ditur në përgjigje, do të jetë vënia e kontakteve me Malin e Zi, në mënyrë që çështja e demarkacionit të rregullohet.

“E hapi tjetër do të jetë vendosja e kontakteve me Podgoricën zyrtare për ta rregulluar këtë problematikë, tashmë të paraparë edhe në Marrëveshjen për Demarkacionin. Mirëpo të gjitha këto sigurisht se do të ndodhin pas formimit të qeverisë së re”, potencohet në përgjigjen e zyrës për medie të LVV-së.

Por ndryshe kanë deklaruar zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Teksa ka folur rreth kësaj lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se çështja e demarkacionit me Malin e Zi tashmë është e përfunduar.

Kreu i partisë së dytë të dalë nga zgjedhjet për nga numri i votave, që po synon arritjen e një koalicioni qeverisës me LVV-në, ka thënë se kjo marrëveshje është miratuar në kuvendet e të dyja shteteve.

“Marrëveshja është ratifikuar në Kuvendin e Malit të Zi, por edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kjo marrëveshje tashmë është e ratifikuar. Në qoftë se ka vullnet prej Malit të Zi që edhe një herë të rishqyrtohet është çështje tjetër, mirëpo në pikëpamje juridike, në pikëpamje legale marrëveshja është e përfunduar, sepse e kanë ratifikuar të dyja kuvendet”, ka deklaruar ai për "Zërin". 

Aneks-marrëveshja e nënshkruar nga dy presidentët, e cila është ratifikuar bashkë me Marrëveshjen e Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, sipas Mustafës nuk është asgjë më shumë sesa thjesht një deklaratë.

“Ajo është deklaratë që nuk shkon jashtë një deklarate, sepse ajo nuk është ratifikuar në Kuvendin e Malit të Zi. Ajo deklaratë është dhënë në pakon e votimeve kur është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, por Mali i Zi nuk e ka ratifikuar një deklaratë të tillë, sepse është dhënë pasi është bërë ratifikimi i marrëveshjes”, ka potencuar ish-kryeministri i Kosovës.

Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi ishte nënshkruar gjatë kohës sa në krye të ekzekutivit në Kosovë ishte pikërisht Isa Mustafa. /ZERI