Fëmijët martirë ende pa obelisk, familjarët paralajmërojnë padi për Serbinë

Fëmijët martirë ende pa obelisk, familjarët paralajmërojnë padi për Serbinë

Aktuale November 20, 2019 - 15:19
Lexoni detajet!

Në shenjë kujtimi të përjetshëm të 1432 fëmijëve martirë, të vrarë e të masakruar nga Serbia fashiste, në periudhën e viteve 1981 -1999, u bë përurimi i billbordit me pamje të obeliskut me dimensione 3 metra të gjerë e 4 metra të gjatë, i cili u vendose në hapësirën reklamuese përballë Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” të Prishtinës.

E krejt kjo u bë për ta njoftuar opinionin publik se pikërisht në atë vend do të ngritët kompleksi memorial në formë obelisku, i gjatë 30 metra dhe i gjerë 20 metra, në një sipërfaqe prej një hektarësh, ku do të mbillen 1432 pemë të tipit “poni” japonez, dhe në secilën pemë do të jetë nga një emër i fëmijëve të vrarë, data e lindjes dhe e vrasjes së tij.

Dizajnuesi i kompleksit dhe obeliskut, Rrezart Galica, tha se shënimin e ditës ndërkombëtarë të të drejtave të fëmijëve do të ishte mirë ta bënin në kompleksin memorial “Fëmijët martirë të Kosovës”, por sipas tij institucionet e Kosovës nuk kanë qenë të gatshme që këtë projekt ta zhbllokojnë dhe ta ndërtojnë ashtu si ka qenë nga fillimi i menduar, andaj kjo ka mbetur pezull dhe shpreson që vitin e ardhëm të jetë e përfunduar.

Xhavit Muqolli, familjar të cilit okupimi serb ia vrau vajzën 4-vjeçare Eronitën dhe djalin 2-vjeçar Fatosin, shpreson që ky projekt të realizohet dhe nuk do të mbetët vetëm në letër.

Ai deklaroi se fëmijët martirë të Kosovës meritojnë të kenë një kompleks memorial ku do të mund t’i kujtonin familjarët.

Ai falënderoi profesorin Nusret Pllana për ketë iniciativë për ndërtimin e kompleksit memorial.

Kryetari i Këshillit Koordinues për Persona të Zhdukur dhe Krime Lufte, Ahmet Grajqevci , tha se kjo është një ide shumë e mirë nga profesori Nusret Pllana, dhe iu lut institucioneve vendore të merren me ketë çështje mos ta lënë vetëm në dorën e humanistëve.

Ndryshe para dy ditëve  u bë promovimi i librit “Fëmijët martirë të Kosovës 1981 – 1999”, nga autorët Nusret Pllana dhe Hanëmshahe Ilazi. Ky libër u kushtohet më shumë se 1400 fëmijëve martirë të Kosovës, të vrarë e të masakruar nga Serbia në periudhën e viteve 1981 – 1999.