LVV-ja paralajmëron hetim ndaj Komisionit të Murat Mehës, atij nuk i bën përshtypje një gjë e tillë

LVV-ja paralajmëron hetim ndaj Komisionit të Murat Mehës, atij nuk i bën përshtypje një gjë e tillë

Aktuale November 20, 2019 - 15:53
Detajet

Lëvizja Vetëvendosje, partia që fitoi zgjedhjet e 6 tetorit, në vazhdimësi e ka kundërshtuar Marrëveshjen e Demarkacionit. Nga zyra për medie e këtij subjekti kanë thënë se gjëja e parë që do të bëhet rreth demarkacionit me Malin e Zi, në momentin që LVV-ja vjen në pushtet, do të jetë një hetim i krejt asaj çfarë ka bërë Komisioni i mëparshëm për shënimin e kufirit shtetëror, i cili drejtohej nga Murat Meha, shkruan sot gazeta "Zëri".

“Hapi i parë do të jetë një hulumtim dhe hetim i asaj se çfarë ka bërë komisioni paraprak, të cilit i ka prirë Murat Meha. Ai ka negociuar mbi bazë të gabueshme, me procedurë të mbrapshtë dhe ka nxjerrë rezultate të dëmshme. Në vend të demarkacionit ka bërë ndryshim kufiri, në vend që të bazohet mbi harta është bazuar në libra kadastralë dhe rrjedhimisht kemi humbur shumë tokë”, thuhet në përgjigjen e LVV-së dhënë gazetës.

Teksa ka folur rreth kësaj, Murat Meha ka thënë se Komisioni, i drejtuar nga ai, ka bërë një punë të shkëlqyeshme. Ndaj paralajmërimin e LVV-së për një hetim rreth punës së këtij Komisioni Meha ka thënë se nuk e merr fare në konsideratë, shkruan tutje "Zëri".

“Komisioni që e ka bërë punën e demarkacionit Kosovë - Mali i Zi absolutisht nuk e merr parasysh atë çka e thonë të tjerët, por merr parasysh çka kanë vlerësuar ekspertët ndërkombëtarë dhe vendorë. Puna është kryer shkëlqyeshëm dhe ajo mbetet e tillë”, ka deklaruar Murat Meha për gazetën “Zëri”.