Loja e LDK-së, i do 7 ministri, presidentin dhe kryeparlamentarin
Foto: Laura Hasani

Loja e LDK-së, i do 7 ministri, presidentin dhe kryeparlamentarin

Aktuale November 21, 2019 - 07:55
Detajet
Image

Kërkesat e LDK-së kundrejt LVV-së që pozita e kryeministrit të baras vlerësohet me 4 ministri, të kenë pozitën e kryeparlamentarit, si dhe ulësen e presidentit(pas dy viteve) po shihen si lojë e radhës e LDK-së. Analistët vlerësojnë se kushtet e tilla nga ana e LDK-së kanë për qëllim fuqizimin e kësaj partie në negociatat me Vetëvendosjen, si dhe zbehin mundësinë për bashkëpunim mes dy partive, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: Nga nesër protestohet për rritjen e tarifave për sigurimin e automjeteve

Dy partitë opozitare në legjislaturën e kaluar, LVV dhe LDK të cilat në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, shënuan fitore në raport me partitë që ishin në pushtet, tashmë disa muaj po negociojnë për arritjen e një koalicioni pas zgjedhor. Ndonëse të dyja partitë deklarativisht thonë se janë në prag të nënshkrimit të marrëveshjes, është LDK-ja ajo e cila ka potencuar se nuk dëshiron që me LVV-në të udhëheq me numër të barabartë dikasteresh qeveritare. Madje kandidatja për kryeministre nga radhët e kësaj partie, Vjosa Osmani kishte thënë se pozita e kryeministrit ka barasvlerë sa katër ministri. “Ofenduese nëse dikush thotë që pozita e kryeministrit është e barasvlershme me pozitën e kryetarit të Kuvendit. Njëjtë ofenduese nëse thuhet se ajo e kryeministrit është e njëjtë me atë të Presidentit. Nuk është e barabartë sepse vetë kryeministri ka barasvlerë sa katër ministri”, ka thënë Osmani. E njëjta gjë është ripërsëritur nga përfaqësues të kësaj partie, mirëpo është kundërshtuar ashpër nga zyrtar të “Vetëvendosjes”, të cilët thonë se assesi nuk do të pranojnë kushte nga LDK-ja. Madje sipas tyre nuk përjashtohen as zgjedhjet e reja, pasi që siç vlerësojnë ata, qeveria e re nuk do të bëhet dosido. Në anën tjetër njohësit e rrethanave politike, deklaratat e LDK-së për ministri shtesë i shohin si tentativë e tyre për ta fuqizuar rolin e tyre në raport me Vetëvendosjen. Megjithatë sipas tyre, si LDK-ja ashtu edhe LVV-ja e kanë të qartë se arritja e një koalicioni është e pashmangshme për të dyja palët.

LVV: S’duam kushte, Kurti kryeministër, fakt i pakontestueshëm

Derisa LDK-ja po kërkon që pozita e kryeministrit të baras vlerësohet me katër ministri, përfaqësues të “Vetëvendosjes” e kanë kundërshtuar ashpër një gjë të tillë. Haki Abazi nga ky subjekt ka thënë për “Zërin” se pozita e kryeministrit nuk është pjesë e negociatave, dhe se populli i Kosovës ka votuar që Albin Kurti të jetë kryeministri i ri i vendit. “Pozita e kryeministrit nuk vendoset brenda asnjë lloj negociatave, për arsyen e thjeshtë sepse kryeministri votohet nga qytetarët. Pra kjo pozitë është e caktuar nga qytetarët dhe marrëveshja jonë para zgjedhjeve ishte që ai subjekt dhe ai kandidat që merr më së shumti vota bëhet kryeministër”, ka thënë ai.
Kësisoj ai ka vlerësuar se edhe LDK-ja edhe gjitha partitë e tjera duhet ta respektojnë vullnetin e qytetarëve kosovar. “Pra ne duhet të jemi të sinqertë para votuesve, para së gjithash, jo vetëm LDK-ja por të gjithë, që kryeministri z.Kurti është caktuar nga sovrani dhe nuk është që dikush tjetër mund të mos ja jep këtë pozitë. Kryeministri pra caktohet nga sovrani, pozitat tjera mandej mund të jenë në bazë të marrëveshjeve që janë të domosdoshme për shkak të sistemit zgjedhor në Kosovë”, ka shtuar ai.

Ndërsa Albulena Haxhiu, anëtare e kryesisë së VV-së, duke i komentuar kërkesat e LDK-së, në një deklaratë ka thënë se deri tash vetëm emri për pozitën e kryeministrit është i sigurt dhe se nuk është diskutuar asnjë pozitë tjetër. E nëse LDK do t’i vinte kusht pozitën e presidentit, zyrtarja e lartë e VV-së thotë partia e saj nuk pranon me çdo kusht bashkëqeverisjen, duke mos e përjashtuar as mundësinë e zgjedhjeve të reja. “Nuk pranojmë të bashkëqeverisim bash gjithqysh. Në asnjë mënyrë nuk mund të përjashtohet mundësia e zgjedhjeve”, ka thënë Haxhiu.

LDK: Koalicioni me VV-në veçse ka ndodhur, s’ka pezullim

Në anën tjetër nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri i ka kundërshtuar zërat se negociatat mes partisë së tij dhe “Vetëvendosjes” janë pezulluar. Kësisoj ai ka thënë se marrëveshja për bashkëqeverisje ndërmjet LDK-së dhe LVV-së tashmë ka ndodhur.

Në një intervistë për media Haziri u shpreh se nuk ekziston asnjë ngërç në lidhje me krijimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës ndërmjet LDK-së dhe VV-së. Ka thënë se pritjet e rivalëve politik “janë joreale” dhe ka deklaruar se “parimisht koalicioni LDK-VV ka ndodhur”.“Nuk ka asnjë lloj ngërçi sa i përket krijimit të një koalicioni ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes. Ju siguroj se politikat sektoriale dhe programin qeverisës e kemi përafruar jashtëzakonisht shumë deri në pajtueshmëri. E gjithë ajo që këto ditë më shumë po flitet, është se nga kampet rivale politike ekzistojnë pritje joreale sepse ai [koalicioni] ka ndodhë”, ka thënë Haziri.


Ndonëse gjatë dy javëve të fundit bisedimet ndërmjet përfaqësuesve të LDK-së dhe Vetëvendosjes kanë qenë të pakta, Haziri ka theksuar se takimet janë duke i zhvilluar sipas kalendarit.

Loja e LDK-së për ta fuqizuar vetveten

Kurse njohësi i rrethanave politike, Rasim Alija për “Zërin” ka theksuar se deklaratat e LDK-së për ministri shtesë, janë strategji e kësaj partie për ta fuqizuar rolin e saj në negociata me Vetëvendosjen. Kësisoj sipas tij, kërkesat e LDK-së po fuqizohen me rritjen e mundësive që koalicioni Nisma – AKR ta kaloj pragun. “Sa i përket deklaratave për ministri shtesë, janë vetëm taktizime politike, për të rritur fuqinë negociuese. Veçanërisht pas kalimit të pragut nga Nisma dhe zvogëlimit të diferencës me mandate ndërmjet LVV dhe LDK, janë rritur kërkesat e kësaj të fundit. LDK duhet ta ketë parasysh faktin se ende nuk është e sigurt nëse Nisma do jetë pjesë e Kuvendit, deri në certifikim të rezultateve”, ka thënë Alija.

Ndërkohë Alija ka thënë që nëse në këmbim të pozitës së kryeministrit, kërkohen 4 ministri shtesë nga LDK-ja atëherë kemi të bëjmë me caktimin e kushteve të reja për lidhjen e koalicionit, dhe jo për dakordim të dyja partive. “Nëse opinionit i thuhet që marrëveshja me LVV ka arritur deri në 90% të dakordimit, e në anën tjetër kërkohen 4 ministri si kundërbalancë ndaj pozitës së kryeministrit, më nuk mund të flasim për marrëveshje, por për kushte të reja. Megjithatë të dyja subjektet e dinë se nuk kanë alternativë tjetër, pos asaj të koalicionit dhe bashkëqeverisjes”, ka theksuar ai.

A i takon presidenti LDK-së?

Një perspektiv tjetër e ka përmendur njohësi i çështjeve politike, Blerim Vela i cili ka deklaruar se pavarësisht se a hyn apo jo në Kuvend koalicioni Nisma – AKR, përsëri shumica e re qeverisëse(LDK – LVV) nuk do t’i 2/3 e votave për ta nisur procedurën për zgjedhjen e presidentit të ri. “Nëse merret për bazë rezultati zgjedhor i 6 tetorit, me dhe pa Nismën/AKR në Kuvend, shumica e re qeverisëse LVV-LDK nuk do ti ketë 2/3 e deputeteve për te filluar procedurën e zgjedhjes se Presidentit te ri. Ky është kusht i domosdoshëm për fillimin e procedurës se zgjedhjes dhe mosplotësimi i saj mund të shpie në dështimin e zgjedhjes se Presidentit te ri, shpërndarjen e Kuvendit dhe rrjedhimisht mbajtjen e zgjedhjeve te reja”, ka thënë ai.

Nisur nga kjo, Vela ka thënë se insistimi i LDK-së për ta propozuar emrin e mandatarit të ri për president pas dy viteve është i pa arsyeshëm dhe nuk mund të rezultojë i suksesshëm. “Në këtë situate, duket i paarsyeshëm insistimi i LDK-se që ajo të ketë të drejtën ekskluzive që të nominoj kandidatin/kandidaten për Presidentin e ardhshëm të vendit. Insistimi i tyre ka kuptim vetëm nëse LDK paraprakisht ka siguruar mbështetjen nga partitë opozitare (PDK, AAK dhe Nisma/AKR) për kandidatin/kandidaten e tyre. Nëse ky është rasti, atëherë kërkohet transparencë e plotë nga ana e LDK se si ka arritur këtë mbështetje”, ka shtuar tutje Vela.

Në mungesë të votave, LDK dhe LVV duhet ta propozojnë një figurë politike që mund të marr mbështetje edhe nga partitë që do të jenë opozitë në Kuvendin e Kosovës. “Përderisa koalicioni i ardhshëm nuk do të ketë mbështetjen e 2/3 te deputeteve, me arsyeshme do te ishte nominimi i një kandidature me autoritet publik por politikisht neutrale qe do te mund te merrte mbështetjen e partive opozitare. Andaj, për te arritur ketë mbështetje, LVV dhe LDK duhet te sillen ndryshe me opozitën në krahasim me qeveritë e udhëhequra nga PDK, duke e përfshirë atë në vendim-marrjen për çështjet e interesit shtetëror”, ka potencuar ai.//ZERI