Prej vitit 1999 ndërtimet në Kosovë janë pa kritere
Foto: Laura Hasani

Prej vitit 1999 ndërtimet në Kosovë janë pa kritere

Aktuale December 05, 2019 - 11:27
Detajet

Ndërtimet, të cilat janë bërë në Kosovë pas periudhës së luftës, po konsiderohen të pasigurta nga njohësit e ndërtimtarisë dhe të arkitekturës. Ata theksojnë se një tërmet si ai 26 nëntorit në Shqipëri do të rrënonte shumë ndërtime, të cilat janë bërë pa kritere e pa mbikëqyrje përgjatë këtyre 20 vjetëve, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: Ndërtimet e pasluftës në Kosovë, të pasigurta

Ylber Vokshi, arkitekt, ka thënë për gazetën se ndërtimet e pasluftës në Kosovë janë të pasigurta. Ai tha se fajtor për këto ndërtime pa kritere dhe pa mbikëqyrje janë organet shtetërore e sidomos pushtetet lokale, të cilat së fundmi kanë nisur të japin leje ndërtimi vend e pavend. Kjo sipas Vokshit ngre dyshime për hierarki kriminale, e cila mund ta dërgojë Kosovën në greminë. “Në vitet e pasluftës 1999 gjithkush ka ndërtuar si ka dashur, meqë nuk kishte kontroll shtetëror. Ishte lëmi shumë fitimprurës, pasi në tërë Kosovën kishte kërkesa enorme për strehim. Pavarësisht sugjerimeve të mia pas vitit 2002 që të mos përsërisim gabimet e shteteve të tjera, ne nuk e respektuam zhvillimin policentrit të territorit të Kosovës, i cili sot në shekullin 21 është principi themelor-bazik në fushën e planifikimit hapësinor dhe të urbanizmit në botë”, ka deklaruar Vokshi.

Vokshi theksoi se asnjë profesionist i mirëfilltë nuk mund të garantojë se a janë të sigurta ndërtimet në Kosovë. Ai thotë se nga mënyra se si është punuar në këto vite ka pasur devijime të mëdha në fushën e ndërtimeve. Sipas tij, nuk ka siguri të garantuar në raste të tërmeteve për shkak të ndërtimit pa kriter. “Tërmetet janë fenomene natyrore të paparashikueshme. Në ndërtimtari kjo dukuri trajtohet sipas zonave, gjegjësisht hartave sizmike që ekzistojnë qëmoti para luftës, në mënyrë që të zbuten pasojat e mundshme të lëvizjeve të tokës. Nuk jam në dijeni se dikush nga projektuesit e statikës i ka respektuar këto kritere pas luftës, pasi askush nuk i ka detyruar edhe pse është obligim ligjor”, ka thënë Vokshi.

Vokshi thotë se mungon edhe mbikëqyrja e objekteve në Kosovë. Me Ligjin e ri të Ndërtimit ai sqaron se nga viti 2013 ka mbikëqyrje inspektuese, e cila do të duhej të funksiononte në kuadër të komunave, por që ende nuk janë formuar ato trupa. “Mbikëqyrje neutrale deri më tani nuk ka pasur. Nëse do të kishte mbikëqyrje profesionale nga ana e shtetit nuk do të kishim devijime të mëdha në aspektin e sigurisë, të përdorimit të materialeve, të kyçjeve në infrastrukturat ekzistuese dhe të reja. Pa mbikëqyrje shtetërore ndërtimtarët luajnë vallen tyre. Kjo vlen vetëm për objektet, të cilat kanë marrë leje ndërtimi e për objektet pa leje vetëm Zoti e di se me cilat kritere janë ndërtuar”, ka potencuar ai.

Edhe arkitekti Zekë Islamaj ka deklaruar për “Zërin” se nga përfundimi i luftës në Kosovë ka pasur ndërtime për të cilat nuk janë aplikuar kritere e nuk është bashkëpunuar as me ekspertë. "Që nga viti 1999 ka shumë gjëra që nuk shkojnë me rregull në Kosovë, por më së keqi është ndërtimi. Uroj të mos ketë tërmete të tilla si ai në Durrës, sepse ai do të fliste më mirë se ne të gjithë për llojin e ndërtimeve në Kosovë pas luftës. Ndërtuesit në Kosovë punojnë sikur t'ia kenë inat vetvetes, nuk bashkëpunojnë, nuk konsultohen e as nuk paguajnë ekspertë", ka deklaruar Islamaj. //ZERI