QKUK-ja s’ka mjaftueshëm mjekë

QKUK-ja s’ka mjaftueshëm mjekë

Aktuale December 06, 2019 - 10:28
Detajet

Gjermania, Suedia e shtetet tjera të Bashkimit Evropian po vazhdojnë t’ia marrin Kosovës punëtorët shëndetësorë. Së fundmi edhe Katari ka shfaqur interesim t’i rekrutojë mjekët kosovarë. Pasojat e ikjes së mjekëve nga vendi vlerësohet se do të jenë afatgjate, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: Fluks i frikshëm i ikjes së mjekëve nga Kosova

Klinikat në QKUK vazhdimisht janë përballur me mungesë të stafit mjekësor, pavarësisht se në këto klinika gjatë këtij viti ka pasur rekrutim të mjekëve, por ai nuk ka qenë i mjaftueshëm. Një nga klinikat, e cila po përballet qe një kohë me mungesë të personelit mjekësor, është edhe ajo e Neonatologjisë. Drejtori i kësaj klinike, Xhevdet Gojnovci, ka thënë për “Zërin” se pavarësisht se ata kanë bërë kërkesa për rekrutimin e 15 infermierëve, kanë marrë vetëm pesë. “Pavarësisht se kemi bërë kërkesën për rekrutim të stafit, kemi rekrutuar vetëm 5 infermierë në klinikë. Kërkesën ne e kemi parashtruar për 15 infermierë, edhe pse nuk janë të mjaftueshëm prapë për shërbime sa më cilësore”, ka thënë ai.

Gojnovci ka treguar se kanë nevojë për më shumë staf mjekësor në sallat operative e në ato klinike, derisa ka thënë se kanë marrë premtime që do të punësojnë më shumë staf në klinikë. “Ka premtime, megjithatë duhet të presim. Ne kemi nevojë për staf për përkujdesje të foshnjave, staf në repartin e sallave operative dhe në sallat klinike”, ka potencuar ai. //ZERI