KDI: Konsensusi i brendshëm, çelësi i një dialogu të suksesshëm
Foto: Laura Hasani

KDI: Konsensusi i brendshëm, çelësi i një dialogu të suksesshëm

Aktuale December 06, 2019 - 11:28
Detajet

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) sot publikoi analizën “Konsensusi i brendshëm si parakusht për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi” ku u theksua se skena politike në Kosovë ndan dallime substanciale për dialogun me Serbinë, prandaj siç u tha nga përfaqësuesit e KDI- së, është tejet i nevojshëm konsensusi i brendshëm në Kosovë për këtë çështje, raporton "Zëri.info".

Me këtë rast Violeta Haxholli, nga KDI deklaroi se kjo analizë vjen si rezultat i zhvillimeve që kanë karakterizuar skenën politike në Kosovë që nga shpërndarja e Kuvendit e deri te dorëheqja e kryeministrit në detyrë Ramuh Haradinaj, që sipas saj shpërfaqën dukshëm qëndrimet e kundërta të partive për dialogun Kosovë - Serbi.

"Ka pasur polarizim të spektrit politik lidhur me qasjen që Kosova duhet të ketë në lidhje me dialogun Kosovë -Serbi", tha Haxholli.

Tutje ajo theksoi se me tu formuar institucionet e reja, duhet të punohet edhe drejt krijimit të një konsensusi të brendshëm në Kosovë. "Menjëherë pasi Kosova të konstituoj institucionet e reja presim që nga çështjet e para që e presin qeverinë e re është pikërisht dialogu. Mendojmë që vazhdimi i dialogut duhet ta gjejë Kosovën me një konsensus të brendshëm lidhur me qasjen e Kosovës ndaj Serbisë", tha tutje Haxholli.

Kurse Jeta Krasniqi nga po ky Institut ritheksoi nevojën për konsensus të brendshëm, proces ky që sipas saj është çelësi i një dialogu të suksesshëm. //Zëri