Kadriaj: Specialja do të dështojë, sepse lufta e UÇK-së ishte e pastër

Kadriaj: Specialja do të dështojë, sepse lufta e UÇK-së ishte e pastër

Aktuale December 06, 2019 - 11:43
Detajet

Edhe të enjten ka vazhduar intervistimi i ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga Prokuroria e Specializuar në Hagë, teksa dje para këtij organi ka dalë ish-ushtari i UÇK-së Demush Laçi, i cili ftesën për intervistim e kishte marrë më 12 nëntor. Duke u bazuar në zhvillimet e deritanishme, avokatët e akredituar nga ky institucion vlerësojnë se aktakuzat e para mund të ngrihen shumë shpejt, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: S’ndalet Specialja, vazhdon intervistimin e ish-eprorëve të UÇK-së

Ish-luftëtarja e UÇK-së, Time Kadriaj, e ka quajtur lojë punën dhe krijimin e Gjykatës Speciale, e cila sipas saj është e padrejtë dhe e papranueshme. “Qëllimi i Gjykatës, e cila është krijuar me supozimet e dhëna në raportin e Dick Martyt, e dimë se çfarë është supozuar përmes këtij raporti dhe kush kanë qenë pjesëmarrësit kryesorë që është menduar se janë të përfshirë. Nuk po dihet as pse po thirren ushtarët e UÇK-së, por është duke u bërë një lojë në mënyrë që të përfshihen sa më shumë persona. Unë mendoj që kjo gjykatë do të dështojë dhe secili ushtar/e i UÇK-së do të dëshmojë se në Kosovë është bërë luftë e drejtë dhe luftë çlirimtare, prandaj drejtësia do të triumfojë”, ka thënë ajo.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës ka thënë se krijimi i kësaj gjykate ka për tendencë t’i barazojë krimet e Serbisë me viktimat e Kosovës. “Tendenca që të barazohet krimineli me viktimën është e padrejtë dhe e papranueshme. Unë shpresoj që kjo gjykatë do të dështojë, sepse edhe fillimi i saj është i dështuar dhe në vazhdimësi po dëshmohet lufta e drejtë dhe çlirimtare e UÇK-së. Unë jam e lumtur që jam njëra nga deputetet që s’e kam votuar këtë Gjykatë dhe përsëri do ta bëja të njëjtën”, ka theksuar ajo. //ZERI