LVV – LDK-ja pa ujdi, seanca konstituive më 24 dhjetor
Foto: Laura Hasani

LVV – LDK-ja pa ujdi, seanca konstituive më 24 dhjetor

Aktuale December 12, 2019 - 08:24
Detajet
Image

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur të gjejnë gjuhë të përbashkët për bashkëqeverisje as në takimin e djeshëm, të mbajtur në nivel kryetarësh. Dakordimi i vetëm i së mërkurës ka qenë intensifikimi i bisedimeve. Sidoqoftë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thirrur seancën për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit më 24 dhjetor, shkruan sot gazeta Zëri.

paralajmërimeve të vazhdueshme të LVV - LDK-së se këto ditë do të ketë marrëveshje për bashkëqeverisje, takimi i djeshëm mes liderëve të këtyre dy subjekteve ka përfunduar pa marrëveshje për koalicion qeverisës. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe kreu i LDK-së Isa Mustafa nuk janë deklaruar fare pas takimit, megjithëkëtë përmes një njoftimi, të lëshuar për medie, është bërë e ditur se palët janë dekoruar vetëm për intensifikim të bisedimeve. Në anën tjetër, zyrtarë të të dyja subjekteve ditëve të fundit janë shprehur optimistë se negociatat dymujore shumë shpejt do të kurorëzohen me dakordim të plotë për marrëveshjen finale. Por Vetëvendosja dhe LDK-ja ende nuk janë marrë vesh për pozitën e presidentit. Insistimi i LDK-së për ta marrë këtë post po vazhdon të pasohet me kundërshtimin e fortë të LVV-së që një gjë e tillë të mos ndodhë në asnjë rrethanë. Sidoqoftë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për datën 24 dhjetor ka thirrur seancën për konsitutimin e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës.

Intensifikimi i bisedimeve, dakordimi i vetëm në takimin e djeshëm

Pavarësisht faktit se dje nuk pati marrëveshje, Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi të lëshuar pas takimit ka thënë se LVV-ja dhe LDK-ja do t’i vazhdojnë negociatat deri në arritjen e një ujdie. “Kryetari Kurti u takua sot në Kuvendin e Kosovës me kryetarin Mustafa. Ata do t’i vazhdojnë dhe do t’i intensifikojnë takimet pothuajse për çdo ditë deri në arritjen e marrëveshjes”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Vetëvendosja.

Ndërkohë pak pas përfundimit të takimit të djeshëm mes Kurtit e Mustafës për medie u deklarua zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa, i cili duke mos dhënë detaje rreth shkaqeve që çuan deri te mosarritja e marrëveshjes, tha gjithashtu se dakordimi i takimit ka qenë vazhdimi i bisedimeve. “Takimi, i nisur në orën 17:00, ka përfunduar para pak çastesh e gjithë ajo për çfarë janë marrë vesh është për t’u intensifikuar takimet deri në arritjen e marrëveshjes”, ka deklaruar shkurt Mustafa.

Gjatë deklaratës së tij Mustafa tha se takimi i radhës mund të mbahet në ditët në vijim, sot ose nesër.

Ndonëse takimi i së mërkurës përfundoi pa dakordim, lideri i LDK-së Isa Mustafa u shpreh optimist se do të ketë arritje të koalicionit. “Derisa bisedojmë, shanset janë të mira për t’u arritur marrëveshja”, deklaroi kreu i LDK-së para se të fillonte takimi.

Më 24 dhjetor, seanca konstituive

Ani pse ende nuk ka një dakordim final mes LVV - LDK-së rreth marrëveshjes për bashkëqeverisje, më 24 dhjetor pritet të mbahet seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Një vendim të tillë e ka marrë gjatë ditës së djeshme kreu i shtetit Hashim Thaçi. Nga zyra e presidentit kanë njoftuar se seanca është thirrur për në orën 09:00, e martë. “Kryetari dhe Kryesia e Legjislaturës së Gjashtë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi, do të përgatisin propozimin e rendit të ditës për mbledhjen e parë të legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

LVV - LDK-ja ende me mospajtime rreth postit të presidentit

Pavarësisht faktit se tashmë është thirrur seanca konstituive, LVV – LDK-ja ende nuk janë marrë vesh 100 për qind për koalicionin qeverisës. Sado që janë shprehur optimistë se do të ndodhë një gjë e tillë, zyrtarë të këtyre partive kanë shpërfaqur sërish mospajtimet e tyre sa i përket postit të presidentit. “Ka qenë kërkesë e LDK-së që në marrëveshje të përfshihet edhe çështja e presidentit. Kjo na ka bërë neve të rezervohemi në raport me koalicionin qeverisës. Pavarësisht se kemi pasur dallime në këtë pikë, jam shumë optimiste për koalicionin LVV - LDK. Të gjitha këto që kanë ndodhur duket se janë normale, megjithatë për LVV-në nuk ka qenë e drejtë që çështja e presidentit të përfshihet në marrëveshjen e LVV -LDK-së”, ka deklaruar anëtarja e Kryesisë së LVV-së Albulena Haxhiu.

Ndërkaq nga LDK-ja kanë konsideruar se posti i presidentit duhet t’i përkasë pikërisht Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por Haxhiu ka thënë se gara zgjedhore e tetorit nuk ka qenë për pozitën e shefit të shtetit. Ndaj po qe se LDK-ja nuk lëshon pe në këtë drejtim, Haxhiu nuk ka përjashtuar zgjedhjet e reja si opsion të mundshëm për të ecur tutje. “Nuk kemi hyrë në garë për çështjen e presidentit. Na duken komplet të pakuptueshme kërkesat e tilla. Para vetes kemi dy alternativa si LVV, e para është të kemi koalicion qeverisës ku nuk përfshihet çështja e presidentit. E dyta janë zgjedhjet, sepse LVV-ja nuk bën koalicion me ndonjë subjekt tjetër”, ka theksuar ajo.

Teksa ka folur rreth kësaj nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se subjekti që drejtohet nga Isa Mustafa nuk u frikësohet zgjedhjeve të reja. “Ne zgjedhjeve nuk u frikësohemi në asnjë moment. Aspak. Nëse nuk ka mirëbesim në ndërtimin e koalicionit për ne nuk ka asnjë problem”, është shprehur ai.

Në anën tjetër gjatë ditës së djeshme lideri i LDK-së Isa Mustafa ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, me ç’rast përmes një komunikate për medie LDK-ja ka thënë se Mustafa e ka njoftuar ambasadorin edhe për zhvillimet e negociatave LDK - LVV drejt bashkëqeverisjes.

Ditëve të fundit ka pasur disa herë thirrje nga ndërkombëtarët për formim sa më të shpejtë të qeverisë së Kosovës. I zëshëm në këtë aspekt ka qenë edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt. Një gjë të tillë gjatë kësaj jave e ka kërkuar edhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalyia Apostolova.

Tashmë janë bërë më shumë se dy javë prejse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve. Para se të ndodhte një gjë e tillë LVV-ja dhe LDK-ja në vazhdimësi qenë zotuar se marrëveshja do të realizohej menjëherë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit. Mirëpo deri më sot një dakordim i tillë nuk ka ndodhur. //ZERI