Ministria e Punës: Komisionarët do ta marrin socialin për muajin dhjetor
Foto: Laura Hasani

Ministria e Punës: Komisionarët do ta marrin socialin për muajin dhjetor

Aktuale December 12, 2019 - 11:48
Detajet

Ndonëse ndalja e ndihmës sociale për 212 familje ka qenë vendim në përputhje me ligjin, ai nuk po shihet edhe si vendim i drejtë nga organizatat për të drejtat e njeriut, madje ky veprim i Ministrisë së Punës dhe i Mirëqenies Sociale po shihet edhe si dekurajues për punësim për anëtarët e familjeve të skemës sociale, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: Ndalja e socialit për 212 familje, padrejtësi legjitime

212 familje nuk i kanë marrë ndihmat sociale për muajin nëntor, për shkak se kanë punuar ditën e zgjedhjeve dhe janë paguar nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Duke u bazuar në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale ka deklaruar se për çdo muaj bëjnë filtrimin dhe krahasimin e listave të familjeve shfrytëzuese të ndihmave sociale nëse kanë përfituar ndonjë të hyrë mbi vlerën e ndihmës sociale. “Gjatë muajit nëntor 2019, nga krahasimi i të dhënave në mes të MPSM-së dhe ATK-së ka rezultuar se 212 familje, gjegjësisht anëtarët e tyre janë gjetur si tatimpagues në ATK, me të hyra nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) për muajin tetor 2019 dhe në të njëjtën kohë kanë qenë shfrytëzues të ndihmës sociale për muajin tetor 2019”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Kësisoj pas verifikimit, në bazë të ligjit Ministria ka vendosur që t’ua ndalë ndihmat sociale këtyre personave për muajin nëntor dhe ta vazhdojë dhënien e tyre në muajin dhjetor. “Pasi të hyrat nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) kanë qenë të njëhershme, për të mos u nënshtruar procedurave të kthimit të mjeteve pa bazë ligjore dhe procedimit të rasteve në gjykata, Divizioni i Ndihmave Sociale, këto familje i ka larguar nga lista e shfrytëzueseve për muajin nëntor 2019, ndërsa në bashkëpunim me qendrat për punë sociale këto familje do t’i riaktivizojmë në ndihmë sociale për muajin dhjetor 2019”, thuhet në arsyetimin e MPMS-së dhënë “Zërit”. //ZERI