Kur mund të ngrihen aktakuzat e para? Flasin nga Specialja

Kur mund të ngrihen aktakuzat e para? Flasin nga Specialja

Aktuale December 12, 2019 - 17:34
Çështja e ngritjes së aktakuzave të mundshme mbetet një mister në vete

Pjesa e fundit e mandatit të parë pesëvjeçar të Gjykatës Speciale është karakterizuar me një sërë ftesash që kanë ardhur në drejtim të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për të dëshmuar në cilësi të ndryshme, përpara Prokurorisë Speciale në Hagë janë ftuar pothuajse të gjithë krerët e UÇK’së. Megjithatë çështja e ngritjes së aktakuzave të mundshme mbetet një mister në vete. Nga Specialja për këtë nuk japin kurrfarë informacioni, ndërkohë njohës të fushës së drejtësisë thonë se një gjë e tillë është e ligjshme për të ruajtur procesin e hetimeve.

I pyetur nga Gazeta Express për mundësinë e ngritjes së ndonjë aktakuze të mundshme brenda ndonjë afati të caktuar kohor,  zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennet, ka thënë se puna e Prokurorëve është duke vazhduar dhe që nuk japin informacione rreth hetimeve, ftesave të mundshme apo afateve kohore.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar, përveç tjerash, ka autoritet të kërkojë që të dyshuarit, viktimat dhe dëshmitarët të jenë prezent dhe t’i marrë në pyetje, të mbledh dhe ekzaminojë prova dhe informacione, dhe të marrë vendime për inicimin, vazhdimin apo ndërprerjen e procedurave penale. Kjo punë është e vazhdueshme. Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk komenton rreth hetimeve dhe nuk jep informacione rreth atyre që thirren dhe afateve kohore”, ka thënë Bennet për Gazetën Express.

E këtë model të punës nga Specialja po e sheh si plotësisht të ligjshëm, eksperti i çështjeve që ndërlidhen me drejtësinë, Ehat Miftaraj. Ai thotë se një gjë e tillë bëhet për të mos penguar hetimet.

“Praktikat dhe standardet ndërkombëtare lidhur me administrimin e drejtësisë penale i ofrojnë të drejtën Prokurorisë që në fazën e zhvillimit të hetimeve penale të rezervohen në ofrimin e informacioneve publikut që mund te pengojnë hetimet.  Andaj një qasje e tillë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar është në kuadër të asaj që e përcakton ligji, dhe që siguron integritetin e procesit hetimor”, ka thënë Miftaraj për Express.

Për mundësinë e ngritjes së ndonjë aktakuze, themeluesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë se Specialja është duke u kujdesur që në rastet kur potencialisht të ngritët ndonjë aktakuzë, ajo të jetë e bazuar në prova dhe dëshmi për shkak se bëhet fjalë për krime të cilat janë kryer përpara dy dekadave.

Sipas tij në Speciale janë trashëguar edhe dokumente edhe nga Serbia, dhe të tillat duhet trajtuar jashtëzakonisht me kujdes.

“Puna e Zyrës së Prokurorit të Specializuar është komplekse, trajton raste penale që dyshohet se janë kryer para përafërsisht 20 viteve.  Për më tepër, në si Institut i Kosovës për Drejtësi e kemi potencuar vazhdimisht se kjo zyre është duke përdorur një strategji që ka për qëllim që në rastet kur potencialisht ngritët një aktakuzë e njëjta të jetë e bazuar në prova dhe dëshmi.  Sikurse, kjo prokurori sikurse edhe është dhënë shpesh herë në publik ka trashëguar dosje që lidhen me punën e tyre nga ish Task Forca për hetimin e krimeve të pretenduara gjatë luftës në Kosovë që ishte në kuadër të EULEX.  Po ashtu, kjo prokurori ka pranuar me mijëra dokumente nga Serbia dhe trajtimi i të gjithë këtyre dokumenteve pa përfshirë intervistimet që është duke i zhvilluar në vitin e fundit marrin kohe dhe duhet trajtuar me kujdes të shtuar”, ka shtuar tutje ai.

I pyetur nëse lidhet ngritja e ndonjë aktakuze potenciale me vazhdimin e mandatit të Speciales nga Kuvendit, Miftaraj ka mohuar një gjë të tillë. Sipas tij mandati i Speciales vazhdohet me automatizëm dhe Kuvendi është i përjashtuar plotësisht nga një proces i tillë.

“Në bazë të amendamentit kushtetues, Kuvendi i Kosovës nuk ka kompetencë dhe autoritet lidhur me vazhdimin e mandatit të Gjykatës Speciale, përkundrazi si amendamenti kushtetues ashtu dhe ligji e ka përcaktuar se mandati i Dhomave të specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të specializuar do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare, përveçë nëse njoftimi i përfundimit të mandatit nuk bëhet më herët. Në këtë drejtim, sipas amendamentit kushtetues, përveç nëse gjykata nuk informon qeverinë e Kosovës për përfundimin e mandatit të saj, mandati prej pesë viteve konsiderohet se vazhdohet me automatizëm. Rrjedhimisht, Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria janë të përjashtuar për të pasur vendimmarrje lidhur me vazhdimin apo ndërprerjen e mandatit të kësaj gjykate”, ka përfunduar Miftaraj.

I fundit që është intervistuar përpara Prokurorisë Speciale në Hagë ka qenë kreu i PDK’së, Kadri Veseli. Njëjtë sikurse Specialja, as ish-kreu i SHIK-ut nuk ka pranuar të ndajë kurrfarë informacioni me mediat rreth asaj që ka ndodhur përgjatë tri orëve brenda zyrave në Hagë. Veseli nuk ka treguar as në çfarë cilësie është ftuar e as nëse ka dëshmuar apo mbrojtur në heshtje.

Ndryshe nga kryetari i Kuvendit, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, kishte dhënë dorëheqje nga posti i udhëheqësit të qeverisë për faktin se nga Specialja ishte ftuar si i dyshuar. Haradinaj në Hagë ishte mbrojtur në heshtje, siç janë mbrojtur edhe Sami Lushtaku, Azem Syla, Jakup Krasniqi, Shukri Buja e të tjerë.