Pezullohet Ligji për Paga, nga sot vendin e kaplojnë grevat
Foto: Zeri

Pezullohet Ligji për Paga, nga sot vendin e kaplojnë grevat

Aktuale December 13, 2019 - 07:59
Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dje Ligjin për Paga në Sektorin Publik deri më 30 mars të vitit vijues. Pas këtij vendimi nga sot pritet shëndetësia, arsimi, dogana e policia t’i fillojnë masat sindikale, duke mos përjashtuar as grevat e protestat e paralajmëruara
Image
Image

Ligji për Paga, i cili hyri në fuqi më 1 dhjetor të këtij viti, është pezulluar dje nga Gjykata Kushtetuese deri më 30 mars të vitit të ardhshëm. Ky vendim i Kushtetueses erdhi pasi ditë më parë institucioni i Avokatit të Popullit ka dërguar në këtë Gjykatë ankesën e bërë nga 35 sindikata dhe grupe ankuesish lidhur me kushtetutshmërinë e këtij ligji. Kundër pezullimit të këtij ligji kanë dalë katër sindikata, të cilat nga sot pritet t’i fillojnë masat sindikale, duke përfshirë këtu edhe grevat e protestat, shkruan sot gazeta "Zëri".

Sindikata e Arsimit, e Shëndetësisë dhe e Doganës sot do të mbajnë greva në shenjë pakënaqësie për pezullimin e këtij ligji teksa Sindikata e Policisë pritet që gjatë ditës të njoftojë lidhur me hapat, të cilët do t’i ndërmarrë pasi më ligj ajo nuk ka të drejtë të hyjë në grevë.

Nga Ministria e Financave gjatë ditës së djeshme është thënë për medie se nga ky institucion zbatohen vetëm ligjet, të cilat janë në fuqi dhe jo ato që shfuqizohen. Kjo i bie që derisa Gjykata Kushtetuese të mos marrë ndonjë vendim tjetër punëtorët e sektorit publik do të vazhdojnë t’i marrin pagat ashtu siç i kanë marrë deri më tani.

Grevë dyorëshe në arsim

Në të gjitha institucionet e arsimit në vend, duke përfshirë kështu edhe punëtorët e çerdheve publike, sot do të mbahet grevë dyorëshe në shenjë pakënaqësie të pezullimit të Ligjit për Paga në Sektorin Publik. Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, të Shkencës dhe të Kulturës (SBASHK), Rrahman Jashari, dhe Këshilli Drejtues kanë vendosur nga nesër të mbahet grevë dyorëshe nga punëtorët e arsimit.

“Sindikata e Arsimit, e Shëndetësisë, e Policisë dhe sindikatat tjera janë injoruar me këtë vendim të Kushtetueses dhe nuk është bërë mirë, sepse janë anashkaluar kërkesat e vullneti i mbi 60 mijë të punësuarve për disa sindikata që janë numerikisht të vogla dhe unë po them se një veprim i tillë mund të krijojë pakënaqësi të mëdha dhe mund të krijojë edhe kërkesa për përshkallëzimin e kërkesave sindikale dhe nuk jemi pajtuar”, ka thënë ai për “Zërin”.

Jashari vendimin e Gjykatës Kushtetuese e ka cilësuar si lajm tronditës për sindikalistët në fjalë, të cilët kanë pritur nëntë muaj për t’i marrë pagat me rritje. “Unë mendoj se edhe institucionet në shkuarje, por edhe ato që po pretendojnë të vijnë në pushtet duhet të ulen urgjentisht dhe të gjejnë një zgjidhje, në mënyrë që sadopak të zbutet situata, sepse njerëzit janë të zhgënjyer ngase pas nëntë muajsh premtimesh kanë pritur që pagat e dhjetorit do t’i marrin me rritje sipas Ligjit të Ri për Paga. Ky lajm është tronditës dhe është njëri nga lajmet më të këqija që kanë marrë sindikatat, jo vetëm ajo e arsimit”, ka thënë tutje ai.

Punëtorët shëndetësorë në grevë tetëorëshe

Edhe punëtorët shëndetësorë gjatë ditës së sotme do të hyjnë në grevë. Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, ka thënë për “Zërin” se në asnjë nga institucione publike të shëndetësisë në vend nuk do të jepen shërbime mjekësore, përveç shërbimeve emergjente.

Ai ka thënë se pas grevës së nesërme do të mblidhet Këshilli i Federatës dhe do të vendoset se çfarë do të bëhet më tej.

Në anën tjetër Bujar Agusholli, kryetar i Sindikatës i Spitalit të Pejës, ka thënë për gaztën se greva do të zgjasë nga ora 7:00 e deri në orën 15:00. Ai ka thënë se përveç shërbimeve emergjente, trajtim do të marrin edhe personat e hospitalizuar. “Për organizimin e grevës janë organet e rendit të njoftuara. Greva është e bazuar mbi Ligjin për Organizimin Sindikal me një qëllim. Qëllimi është që Ligji për Paga, i cili vetëm se ka hyrë në fuqi, të procedohet. Kjo është një grevë paralajmëruese. Shërbimet emergjente do të jepen, si dhe personat e hospitalizuar do t’i marrin trajtimet. Ne asnjë grevë nuk e bëjmë kundër qytetarëve, por kjo grevë është e shprehur mbi një pakënaqësi. Presim se cilat do të jenë veprimet e mëtutjeshëm”, ka thënë ai.

Kujtojmë se me Ligjin e Ri për Paga mjekët specialistë, të cilët janë paguar 661 euro, ishte paraparë të paguheshin 1195 euro, mjekët specialistë të mjekësisë familjare nga 615 euro sa janë paguar do të paguheshin 1195 euro, ndërsa mjekët në specializim nga 566 euro në 836 euro.

Hyrja e Ligjit për Paga në fuqi do ta ndalte fluksin e ikjes së mjekëve

Hyrja në fuqi e Ligjit të Pagave në muajin dhjetor do ta ndalte edhe fluksin e madh të punëtorëve shëndetësorë, të cilët po lëshojnë vendin. Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, ka thënë për “Zërin” se Ligji për Paga nuk është ligji më i mirë, porse do të ishte hap i mirë që mjekët të mos e mendonin ikjen nga vendi.

“Nuk është ligji më i mirë, por është ligji i cili ka vënë themelin e një rregulle në paga. Me siguri se do të kishte nevojë të formohej edhe në të ardhmen, sepse as mjekët e as punëtorët shëndetësorë nuk janë të kënaqur. Asnjë ligj askund në botë nuk mund të jetë qind për qind i drejtë për të gjithë. Unë mendoj se është një instrument shumë i mirë që mjekët të mos mendojnë se si hap i parë të jetë shkuarja jashtë vendit, sepse do të jetë shpërblim për mundin 6-mujor edhe 12-vjeçar që e bën një mjek specialistë”, ka potencuar ai.

Sejdiu ka thënë tutje se dëmi ndaj punëtorëve shëndetësorë nuk duhet të shkojë në vesh të shurdhër. Sipas tij, ndonëse greva nuk është masa më e mirë, punëtorët shëndetësorë kanë të drejtë ta ngrenë zërin e tyre.

Policia vendos sot për hapat, të cilët do t’i ndërmarrë

Me Ligjin për Policinë e Kosovës ky institucion nuk ka të drejtë të hyjë në grevë teksa asaj i lejohen protestat e organizuara dhe të udhëhequra nga organet përfaqësuese. Kësisoj nënkryetari i Sindikatës së Policisë, Shaban Tasholli, ka bërë të ditur për “Zërin” se sot do të ketë një takim të Këshillit Drejtues, në të cilin edhe do të vendoset se çfarë mase do të ndërmarrë Policia e Kosovës pas pezullimit të Ligjit për Paga në Sektorin Publik. “Këshilli Drejtues do të ketë takim. Ne kemi pritur që Gjykata Kushtetuese do të marrë mendimin tonë, se është punuar për këtë ligj dy vjet. E ka aprovuar edhe Qeveria, edhe Kuvendi dhe tani del një pengesë e cila i hedh të gjitha ato mundime dyvjeçare edhe të Policisë, edhe të Parlamentit, edhe të Qeverisë. Do të kemi takimin e Këshillit Drejtues dhe do të koordinohemi për veprimet tona”, ka thënë Tasholli për “Zërin”.

Prindërit, të shqetësuar me grevën në arsim

Kryetari i Prindërve të Kosovës, Ymert Reshiti, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me grevat që do të fillojnë nga nesër në sistemin arsimor. Ai për “Zërin” pohoi se pavarësisht që për fillimin e këtyre grevave nuk është përgjegjës SBASHK-u, pohoi se: “ne jemi dëshmitarë se çdo grevë në arsim i ka edhe pasojat, edhe dëmet që i shkakton. Edhe në këtë rast paralajmërimi i kësaj greve do ta dëmtojë procesin mësimor, do t’i dëmtojë nxënësit në përfitimin e mësimnxënies, por edhe te disa obligime të tjera tekniko-administrative meqë jemi në prag të përfundimit të gjysmëvjetorit të parë. Për sa i përket asaj se faji ose kush është fajtori, ne nuk mund ta akuzojmë SBASHK-un se është fajtorë dhe as Sindikatën e Shëndetësisë e as atë të Policisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, faji kryesor është tek institucionet e vendit, duke përfshirë kështu Qeverinë, e cila nuk është konsultuar me Gjykatën Kushtetuese para miratimit të këtij ligji.

“Faji kryesor është tek institucionet tona, është i qeverisë së kaluar, e cila e ka përgatitur këtë ligj, sepse për ligjet e ndjeshme është dashur së pari ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dhe ta kërkojë mendimin nëse ai ligj përputhet me Kushtetutën ose jo. Sikur ta kishin bërë këtë Qeveria ose Kuvendi atëherë ne nuk do ta kishim pasur një situatë të tillë. Ka munguar kujdesi institucional për ligjet që janë të ndjeshme”, ka thënë tutje ai./ZËRI