Emërimi i 79 noterëve të rinj, në dorë të qeverisë së re

Emërimi i 79 noterëve të rinj, në dorë të qeverisë së re

Aktuale December 13, 2019 - 08:06
Njohësit e çështjeve të drejtësisë vlerësojnë se vendimi për emërimin ose jo të noterëve të rinj i takon qeverisë së ardhshme
Image

Pas kritikave të bashkësisë ndërkombëtare, si dhe të shoqërisë civile, procesi i emërimit të 79 noterëve, që kishte nisur më 23 korrik të këtij viti, ka stagnuar. Edhe pse ministri i Drejtësisë në detyrë, Abelard Tahiri, ishte zotuar se këtë proces nuk do t’ia lërë në dorë kreut të LVV-së Albin Kurtit, njohësit e çështjeve të drejtësisë vlerësojnë se vendimi për emërimin ose jo të noterëve të rinj i takon qeverisë së ardhshme, shrkuan gazeta "Zëri".

Bashkimi Evropian, ambasadat e shteteve mike të Kosovës, Unioni Ndërkombëtar i Noterëve dhe i Odës Federale Gjermane të Noterisë, si dhe shoqëria civile në Kosovë janë bërë bashkë për ta kundërshtuar hapjen e konkursit për 79 pozita të lira për noterë në 35 komuna të Kosovës nga ana e ministrit në detyrë të Drejtësisë, Abelard Tahiri. Ata kanë kundërshtuar njëzëri kriteret e dyshimta të vëna në këtë konkurs, si dhe nepotizmin e theksuar, që sipas tyre e ka shoqëruar tërë këtë proces. Për të mos lejuar shkelje të tilla ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt, ka njoftuar se Unioni Ndërkombëtar i Noterëve do të marrë pjesë në procesin e rivendosjes së noterëve në Kosovë. “Lajm i mirë nga Unioni Ndërkombëtar i Noterëve:

Pas bisedimeve me të gjitha palët UNN-i konfirmon se do të marrin pjesë në procesin e rivendosjes së noterëve në Kosovë dhe do të japin mbështetje të mëtejshme, duke u bazuar në standardet ndërkombëtare. Pra nuk ka nevojë të nxitoheni me nominimet tani”, ka shkruar ai. Në anën tjetër përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe njohës të sistemit të drejtësisë kanë thënë se meqë emërimi i noterëve është bërë mbi baza partiake e familjare procesi duhet të riformatizohet nga qeveria e re, e cila do të formohet.

LVV-ja e kundërshton emërimin e noterëve mbi baza partiake

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidati kryesor për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, pas hapjes së konkursit për emërimin e noterëve nga qeveria në dorëheqje kishte kërkuar përgjegjësi nga të njëjtit për këtë vendim. Njësoj është deklaruar edhe deputeti i zgjedhur i kësaj partie, Haki Abazi, i cili për “Zërin” ka thënë se emërimi i noterëve të rinj nuk është bërë në bazë të rregullave të meritokracisë. “Ne qëndrojmë pikërisht në atë pikë të vendimmarrjes, por vendim nuk kemi, meqë këto vendime do të merren nga qeveria kur ta marrë detyrën, por qëndrimi është i qartë, që procesi i noterëve të rinj nuk ka shkuar sipas rregullave dhe meritokracisë dhe një numër i madh, jo të gjithë, janë njerëz të afërt të njerëzve që kanë qenë në pushtet, pra aty është bërë nepotizëm i plotë i lidhjeve familjare dhe farefisnore, të cilët i kanë përjashtuar ata që e kanë merituar këtë detyrë”, ka theksuar Abazi.

Deputeti i LVV-së ka shtuar se assesi Kosova nuk guxon të rrezikojë që të mos i njihen shërbimet e noterisë jashtë vendit. “Ne kemi parë edhe vendimin e Ambasadës Gjermane, që emërimet e noterëve do të duhej të respektohen edhe në nivel ndërkombëtar, pra ne nuk mund të rrezikojmë që shërbimet e noterisë të mos jenë të pranueshme nga institucionet jashtë Kosovës”, ka thënë më tutje ai.

Qeveria e re vendos për emërimin ose jo të noterëve të rinj

Procesin e emërimit të noterëve nga ministri në dorëheqje, Abelard Tahiri, e ka kundërshtuar që nga dita e parë edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Ehat Miftaraj, nga ky Institut, i ka thënë “Zërit” se ministri në detyrë nuk ka legjitimitet t’i emërojë noterët e rinj, prandaj ky proces duhet stagnuar deri në formimin e qeverisë së re. “Lidhur me mungesën e legjitimitetit të ministrit në emërimin e noterëve të rinj dhe në degradimin e këtij procesi kanë reaguar jo vetëm organizatat e shoqërisë civile, por edhe ambasadat e huaja në Kosovë dhe Unioni Ndërkombëtar i Noterëve. Besimi i publikut në emërimin e noterëve të rinj është baza e qeverisjes së mirë dhe e sundimit të ligjit. Ky besim është lëkundur, andaj edhe ministri Tahiri para marrjes së çfarëdo vendimi duhet këtë ta marrë për bazë. Në këtë drejtim mbesim me shpresë se ministri në dorëheqje nuk do të marrë vendim për emërimin e noterëve të rinj”, ka thënë ai.
Kësisoj, sipas tij, qeveria e re do të ketë legjitimitetin e plotë për të vendosur mbi mbarëvajtjen e procesit të noterëve të rinj. “Qeveria e re, që do të themelohet, do të ketë legjitimitetin e plotë për të vlerësuar ligjshmërinë dhe integritetin e procesit të emërimit të noterëve të rinj. Ministri i ri i Drejtësisë përmes dialogut dhe konsultimeve me faktorin ndërkombëtar, që ka investuar në fuqizimin e profesioneve të lira, duke përfshirë noterinë, Unionin Ndërkombëtar të Noterëve dhe palët e interesit, duhet të bëjnë një vlerësim të duhur”, ka shtuar Miftaraj.

Procesi i emërimit të noterëve të rikthehet në pikën zero

E njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, në një deklaratë për “Zërin” ka thënë se qeveria në largim nuk ka legjitimitet për ta udhëhequr procesin e emërimit të noterëve të rinj. Rrjedhimisht, sipas tij, ky proces do të duhej ripërsëritur nga qeveria e re, që do të formohet. “Kushtetuta qartazi thotë se qeveria në dorëheqje dhe asnjë dikaster i saj nuk kanë të drejtë kushtetuese e as ligjore brenda mandatit për të marrë vendime të tilla e aq më tepër vendime kaq të rëndësishme, siç është emërimi i njerëzve të një shërbimi publiko-privat, që është njëri ndër më të rëndësishmit në vend. Prandaj gjithsesi mendoj se edhe zëri i ambasadave të jashtme është ngritur me të drejtë, që kjo çështje të mbetet për qeverinë e re dhe në procedura të ripërsëritura të bëhet edhe shpallja e konkursit dhe emërimi i noterëve të rinj”, ka thënë Baraliu.

Baraliu vlerëson se qeveria e re gëzon të drejta ligjore edhe për emërimin ose stopimin e procesit të emërimit të noterëve.

“Qeveria e re ka të drejtë që vendimet, të cilat janë marrë pa bazë ligjore në cilindo domen të qeverisë së mëhershme, kur konstatojnë organet përkatëse që diçka është bërë gabimisht ai proces duhet të përmirësohet, sepse qeveria e ka për detyrë zbatimin e ligjeve. Prandaj këto vendime duhet të rishikohen, duke përfshirë këtu edhe vendimin e stagnuar për emërimin e noterëve”./ZËRI