Për 9 muaj nga Kosova në Serbi kanë hyrë 17.4 milionë euro mallra
Foto: Laura Hasani

Për 9 muaj nga Kosova në Serbi kanë hyrë 17.4 milionë euro mallra

Aktuale December 13, 2019 - 08:14
Detajet
Image

Sipas Odës Ekonomike të Serbisë, për 9 muaj të vitit 2019 nga Kosova janë dërguar 181 lloje të produkteve, respektivisht 41.500 tonë mallra, në vlerë prej 17.4 milionë eurosh, ose tri herë më shumë se që Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina bashkërisht kanë plasuar mallra në tregun kosovar nga vendosja e taksës 100 për qind në importin e produkteve serbe. Qeveria e Serbisë jep 250 mijë euro për “avancimin e kapaciteteve inovative në Kosovë”, shkruan gazeta "Zëri".

Mediet serbe në Beograd kanë vazhduar të shkruajnë për pasojat e taksës 100 për qind në importin e produkteve serbe, të vendosura nga Qeveria e Kosovës më shumë se një vit më përpara.

Sipas medieve serbe, produktet e Kosovës hyjnë në tregun e Serbisë pa asnjë problem, ndonëse ato të Serbisë nuk lejohen të hyjnë në Kosovë për shkak të taksës. Mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës citojnë gazetën beogradase “Politika”, sipas së cilës për 9 muaj të vitit 2019 nga Kosova në Serbi kanë hyrë 181 lloje të ndryshme të prodhimeve, në vlerë prej 17.4 milionë eurosh. Sipas tyre, këto mallra janë gati tri herë më shumë se që Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina bashkërisht kanë plasuar mallra në tregun kosovar prejse është vendosur taksa prej 100 për qind në importin e produkteve të Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës.

Sipas të dhënave të Odës Ekonomike të Serbisë, këtë vit në tregun e Serbisë kanë hyrë 181 lloje të produkteve nga Kosova, më së shumti gypa, pastaj malinë e ngrirë, linjit, dyshekë, verë, material i ndryshëm, radiatorë për ngrohje qendrore, rrush dhe çelik.

“Serbia është treg i fort për plasimin e mallrave nga Kosova dhe ato marrin pjesë rreth 5 për qind. Mallrat që hyjnë nga Kosova duhet të jenë të deklaruara me përpikëri, gjegjësisht nuk guxon që në to të ketë të shkruar ‘Republika e Kosovës’ si vend i origjinës. Çështja e deklaracionit të mallrave nga Kosova përsëri është çështje që ka dalë në opinion, pasi që mediet kanë shkruar se në Serbi shitën ‘bonboniere’ që prodhohen në Prizren, të paketuara në formë të flamurit të ‘Shqipërisë së Madhe’, me deklaracionin ‘import nga Kosova’. Drejtoria e Doganave të Serbisë ka saktësuar se këtë vit dhe vitin e kaluar kanë qenë katër dërgesa të prodhuesit ‘Kamila’ nga Kosova dhe se transportuesi ishte një firmë nga Beogradi i Ri. Kanë thënë se dokumentacioni është i kompletuar me certifikatën e domosdoshme dhe se nuk ka pasur dyshime, në mënyrë që dërgesa të kontrollohet detajisht”, theksohet në sqarimin e Odës Ekonomike të Serbisë, të cilin e përcjellin mediet në veri të Mitrovicës, shkruan tutje "Zëri".

Në anën tjetër, Qeveria e Serbisë ka orientuar 28 milionë dinarë, ose 250 mijë euro, për “avancimin e kapaciteteve inovative në Kosovë”, që përfshin edhe projekte për “vendosjen e sistemeve integruese të vëzhgimit dhe të kontrollit”. Këto mjete shfrytëzohen për realizimin e projekteve për implementimin e teknologjive të reja në kuadër të konceptit të “qyteteve të shquara dhe të sigurta”. Mjetet janë destinuar për avancimin e “infrastrukturës inovative në fushën e sigurisë, të transportit, të mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe në zhvillimin e ndërmarrësisë inovative. “Në sferën e sigurisë do të financohen: vendosja e sistemeve integruese të vëzhgimit dhe kontrollit, sistemi i vërejtjes në situatë kur rrezikohet siguria, sistemi për reagim në raste emergjente e të njëjta. Këto mjete i marrin pushtetet lokale në Kosovë, derisa programin e zbaton kabineti i ministrit pa portofol në qeverinë e Serbisë, i ngarkuar për inovacion dhe për zhvillim teknologjik, Nenad Popoviq. Aktivitetet për të cilat janë lejuar mjetet, si dhe të gjitha pagesat lidhur me realizimin e projekteve duhet të fillojnë pas nënshkrimit të kontratës, derisa pagesa kryhet deri më 31 janar 2020, ndërkaq arsyetimi për mjetet e harxhuara duhet të kryhet deri më 31 mars 2020”, thuhet mes të tjerash në një njoftim të qeverisë së Serbisë, të cilin e përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës./ZËRI