Vendimet e qeverisë në largim do të sfidohen nga qeveria e ardhshme
Foto: Laura Hasani

Vendimet e qeverisë në largim do të sfidohen nga qeveria e ardhshme

Aktuale December 13, 2019 - 08:17
Detajet
Image

Qeveria “Haradinaj” pas dorëheqjes ka marrë një varg vendimesh, të cilat po kontestohen nga ana ligjore. Dy partitë potenciale për krijimin e qeverisë së re, LVV-ja e LDK-ja, po deklarojnë se të gjitha vendimet që janë marrë brenda dhe jashtë mandatit nga Qeveria, me të cilën ka udhëhequr Ramush Haradinaj, do të shqyrtohen edhe një herë dhe do të adresohen në organet e hetuesisë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe kabineti i tij qeverisës nuk janë ndalur së marri vendime edhe pas dorëheqjes së tij nga posti i shefit të Qeverisë. Duke nisur nga emërimet e udhëheqësve të institucioneve publike, të universiteteve e të ndërmarrjeve publike, emërime u bënë edhe nëpër postet diplomatike dhe në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, pavarësisht që Qeveria nuk gëzonte kompetencë të plotë për emërime në këto pozita, për të cilat u akuzua se qenë edhe politike. Mirëpo këto vendime pritet të sfidohen nga qeveria e ardhshme. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat janë duke tentuar ta krijojnë qeverinë e re, po deklarojnë se të gjitha vendimet që janë marrë nga qeveria “Haradinaj” do të shqyrtohen një për një dhe çdo vendim që del të jetë jolegjitim do të adresohet në Prokurori. Se duhet të veprohet kështu po deklarojnë edhe njohësit e çështjeve juridike, të cilët theksojnë se sipas Kushtetutës së Kosovës qeveria konsiderohet e rënë nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera posti i tij mbetet i lirë. Kësisoj ata theksojnë se gjatë kohës sa një qeveri është në dorëheqje nuk ka të drejtë të marrë vendime të rëndësishme, të cilat mund ta afektojnë qeverinë e re, por mund të marrin vetëm vendime operativo-teknike dhe t’i zbatojnë vendimet në fuqi deri në ardhjen e qeverisë së re.

LVV: Qeveria e re do t’i shqyrtojë një për një vendimet e qeverisë “Haradinaj”

Deputeti i ardhshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, në një prononcim për “Zërin” është shprehur se qeveria në largim pas dorëheqjes ka marrë shumë vendime, të cilat përveçqë kanë qenë të kundërligjshme, disa janë marrë edhe në mënyrë jotransparente.

“Në bazë të rregulloreve dhe të ligjeve në fuqi janë të përcaktuara se çfarë vendimesh mund të marrë qeveria, e cila është në largim. Por kjo qeveri ka marrë shumë vendime, disa nga të cilat janë bërë publike dhe shumë të tjera jo, sidomos në shpenzimin e buxhetit”. Ai ka thënë se qeveria e ardhshme, e cila do të vijë, e ka për detyrë që këto vendime t’i shqyrtojë edhe një herë. “Qeveria e re e ka për detyrë të shohë edhe ligjshmërinë, por edhe ndikimin që këto vendime do ta kenë në vazhdimësinë e qeverisjes së vendit dhe sigurisht do të shqyrtohen një nga një”, ka deklaruar ai.

LDK: Vendimet e kundërligjshme të Haradinajt do të adresohen në Prokurori

Deputeti i ardhshëm i LDK-së, Avdullah Hoti, është shprehur për “Zërin” se vendimet që ka marrë qeveria “Haradinaj” gjatë kohës sa ka qenë në dorëheqje janë vendime pa kompetencë. Kësisoj ai thekson se qeveria në largim duhet të përmbahet nga marrja e vendimeve. “Në atë moment që kryeministri ka dhënë dorëheqje praktikisht ka hequr dorë nga zbatimi i programit të tij qeverisës, në bazë të të cilit është votuar qeveria e tij në shtator 2017 nga Kuvendi i Kosovës. Qeveria në detyrë duhet të kujdeset vetëm për funksionimin e institucioneve derisa të formohet qeveria e re dhe duhet të rezervohet nga marrja e vendimeve, që kanë implikime për qeverinë e ardhshme”, ka potencuar ai.

Vendimet të cilat janë marrë pa kompetencë nga ana e Qeverisë Hoti tha se do të shqyrtohen nga qeveria e re. “Çdo vendim që tejkalon këto kompetenca duhet të rishikohet nga qeveria e re. Kuvendi i Kosovës duhet që me Ligjin për Qeverinë të përcaktojë kufizimet në kompetenca të qeverisë në detyrë”, ka deklaruar Hoti.

Ndërsa deputeti tjetër i ardhshëm i kësaj partie, Armend Zemaj, ka thënë për gazetën se vendimet e kundërligjshme të qeverisë në largim do të adresohen në Prokurori. “Të gjitha vendimet që janë marrë në kundërshtim me ligjin dhe me interesin publik janë detyrë e qeverisë së re t’i ndalojë dhe t’i adresojë te organet hetimore”.

Baraliu: Të gjitha vendimet e qeverisë në largim duhet të shqyrtohen

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, është shprehur për “Zërin” se Qeveria, si në këtë rast ajo e Haradinajt, pas dorëheqjes nuk është dashur të merrte asnjë vendim që do të mundë të ndikonte në punën e qeverisë së re. “Është e qartë që pas humbjes së mandatit ose dorëheqjes në këtë rast nuk mund të merren vendime të asnjë natyre. Qeveria nuk mund të funksionojë si kabinet i tërë në kuptimin e mandatit, por mundet të kryejë detyrat e veta në kuptimin e zbatimit të vendimeve, të cilat janë marrë më herët brenda mandatit”. Ai thekson se të gjitha vendimet e marra qeveria e re duhet t’i adresojë në organet e drejtësisë. “Prej qeverisë së ardhshme mund të shtrohet çështja e rishikimit të të gjitha vendimeve që janë marrë brenda mandatit, por edhe të atyre në dorëheqje dhe të vihen nën llupën e drejtësisë”./ZËRI