Presidenti, edhe më tej pikë ndarëse mes LVV-së e LDK-së
Foto: Laura Hasani

Presidenti, edhe më tej pikë ndarëse mes LVV-së e LDK-së

Aktuale December 13, 2019 - 08:28
Ndonëse LVV-ja dhe LDK-ja janë duke i zhvilluar negociatat në kuadër të nivelit politik, këto dy subjekte ende nuk janë marrë vesh sa i përket postit të presidentit. Ditëve të fundit zyrtarë të dy partive kanë hedhur akuza të vazhdueshme ndaj njëri-tjetrit, pikërisht për shkak të qëndrimeve të kundërta rreth kësaj pozite
Image

Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja ende nuk kanë arritur një dakordim rreth postit të presidentit, pavarësisht faktit se kanë paralajmëruar marrëveshje për ditët në vijim. Lëvizja Vetëvendosje akoma nuk ka lëshuar pe sa i përket kësaj pozite, ndaj LDK-ja nuk po rresht së insistuari që ta sigurojë postin e kryetarit të Republikës së Kosovës, shkruan sot gazeta "Zëri".

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se formimi i qeverisë duhet të ndodhë para se të hapet çështja e presidentit. Pavarësisht faktit se presidenti i ri duhet të zgjidhet më 2021-n, LDK-ja po këmbëngul që në marrëveshjen me LVV-në të përfshihet edhe çështja e shefit të shtetit, gjegjësisht kjo pozitë t’i garantohet qysh tani LDK-së. Lidhur me këtë çështje ditëve të fundit ka pasur akuza e kundërakuza mes zyrtarëve të të dyja subjekteve. Ndonëse pas takimit, që u zhvillua të mërkurën mes liderëve të këtyre dy partive, u tha se palët janë dakorduar për intensifikim të takimeve, gjatë ditës së djeshme nuk pati takim mes kreut të LVV-së Albin Kurtit dhe atij të LDK-së Isa Mustafës. As LVV-ja, as LDK-ja nuk kanë njoftuar se kur do të mbahet takimi i radhës.

LVV: Takime deri në marrëveshje

Gjersa ka folur rreth zhvillimeve sa u përket negociatave me LDK-në, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti ka thënë se nuk mund të jepen lajme të reja pa pasur ndonjë rezultat konkret. “Ne jemi duke u përgatitur që të qeverisim mirë. Sa i përket çështjes së bisedimeve me LDK-në nuk mund të kem lajme të reja pa pasur rezultate konkrete. Këtë ua kam thënë edhe më herët, po e përsëris sërish. Sot nuk ka takim, do të ketë takime dhe komunikime të vazhdueshme dhe më të dendura derisa të arrijmë marrëveshjen që dëshirojmë”, ka deklaruar dje Kurti.

të reja, siç i pari i LVV-së është shprehur, mund të jepen tek atëherë kur do të ketë diçka konkrete. “Kur t’i kemi rezultatet konkrete jap lajme të reja, nuk ka rezultate konkrete. Presidenti i Kosovës e ka shtyrë në maksimum datën se kur do të mbahet mbledhja konstituive për legjislaturën e shtatë, sepse data e fundit ka qenë 26 dhjetori, na ka dhënë më shumë kohë sesa na është dashur”, ka theksuar Kurti.

Tutje kryetari i Vetëvendosjes është shprehur optimist se së shpejti do të përmbyllen negociatat me LDK-në. “Tani jemi në një pikë ku po i finalizojmë edhe bisedimet për Qeverinë. Unë jam optimist. Ka vështirësi, ka sfida, por kur ka vendosur populli më 6 tetor, ai ka bërë një lloj zgjedhjeje që nuk na ka lënë neve mundësi tjetër më tutje. Pra nuk ka mundësi për aritmetika të tjera, përveçse për qeverinë e nesërme që përbëhet nga opozita e djeshme me udhëheqjen e LVV-së, në bashkëqeverisje me LDK-në, me mua kryeministër”, ka potencuar ai.

Sa i përket postit të presidentit, Kurti ka thënë se krijimi i qeverisë duhet të ndodhë para se të shkohet te çështja e presidentit. “Ndonëse e dimë se çështja e presidentit do të bjerë nën mandatin tonë dhe ne si subjekte politike do të duhet të jemi të angazhuar, kemi shprehur besimin që është më mirë të mbyllet çështja e qeverisë para se të hapet ndonjë çështje për presidentin”, është shprehur kreu i LVV-së.

Përplasjet për presidentin

Derisa ka folur rreth çështjes së presidentit dhe zvarritjes së marrëveshjes finale, ditëve të fundit deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se po të dilte LDK-ja partia e parë nga zgjedhjet, qeveria tashmë do të ishte formuar. Në këto rrethana president, sipas tij, do të bëhej lideri i LVV-së Albin Kurti. Kësaj deklarate i është kundërpërgjigjur zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, i cili ka thënë se posti i presidentit duhet të mbetet jashtë bisedimeve LVV - LDK. “Sa i përket presidentit është gabim të spekulohet se Albin Kurti do të ishte bërë president. Ne kemi thënë në fushatë se posti i presidentit duhet të mbetet jashtë negociatave për qeverisje. Këtë e kanë thënë edhe figura të LDK-së. Ne jemi të vendosur ta mbajmë fjalën si gjithmonë”, ka deklaruar ai.

Edhe anëtarja e Kryesisë së LVV-së, Albulena Haxhiu, disa herë ka përsëritur se posti i presidentit nuk duhet të negociohet. Por këtyre deklarimeve u është kundërpërgjigjur Besa Gaxherri nga LDK-ja, e cila i ka cilësuar të papjekura politikisht. “Këto deklarata të llojit të kërcënimit na japin të kuptojmë se sa të papjekur politikisht janë këta zyrtarë të LVV-së. E kemi thënë dhe po e ripërsëris, se çdo pakënaqësi ose mospajtim i dy subjekteve duhet të mbetet në tavolinën e bisedimeve. Vetëm kur të përfundojë mundësia e koalicionit partitë mund të japin deklarata të tilla çfarë i kemi dëgjuar deri më tani nga LVV-ja”, ka deklaruar ajo.

Fyerjet sipas Gaxherrit nuk sigurojnë partner të koalicionit. “Nuk mund të bësh partner për qeverisje duke i kërcënuar, duke i shantazhuar e duke i fyer ata”, ka shtuar ajo.

Edhe deputeti i rizgjedhur i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka thënë se posti i presidentit i takon LDK-së. Në këtë mënyrë sipas tij Lidhja Demokratike e Kosovës do ta votonte qeverinë e ardhshme me kryeministër Albin Kurtin.

Pa reaguar nuk ka lënë as deputeti i LVV-së, Haki Abazi. Deklarimet që në vete përmbajnë arrogancë sipas tij janë tipare të atyre që i kanë bërë dëm Kosovës. “Deklarimi me gjuhë arrogante dhe mungesa e modestisë është karakteristikë e atyre që e kanë dëmtuar rëndë interesin e qytetarit dhe të vendit. Në atë proces LVV-ja nuk ka participuar asnjëherë dhe në asnjë moment. Arroganca e zyrtarit të LDK-së në medie nuk paraqet pikëpamjet e votuesit të LDK-së që ka votuar për ndryshimin e madh, i cili duhet të ndodhë”, është shprehur ai.

Në anën tjetër, zyrtarë të Listës Serbe kanë thënë të enjten se nuk do ta pengojnë formimin e qeverisë së ardhshme. “Lista Serbe nuk do të jetë pengesë për formimin e qeverisë së Kosovës”, ka deklaruar ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq./ZËRI