Hulumtimi serb: Nga Serbia për në Kosovë kontrabandohet sasi e madhe e drunjve
Foto: Laura Hasani

Hulumtimi serb: Nga Serbia për në Kosovë kontrabandohet sasi e madhe e drunjve

Aktuale December 13, 2019 - 08:31
Detajet
Image

Rezultatet e një hulumtimi të qendrës hulumtuese mediale të Serbisë - CINS kanë treguar se përgjatë kufirit me Kosovën nga ana e Serbisë dhe në rajonin e komunës së Leposaviqit prerja ilegale e pyjeve ka shkaktuar dëme prej 2.3 milionë eurosh, derisa drunjtë janë futur kontrabandë në Kosovë. Policia e Kosovës: Zgjidhjen e problemeve e komplikojnë raportet Kosovë - Serbi, shkruan gazeta "Zëri".

Sipas të dhënave serbe, Serbia ka humbur mbi 2 milionë euro nga prerja ilegale e pyjeve në zonën përreth kufirit me Kosovën, derisa drutë janë përpunuar dhe ilegalisht janë futur në Kosovë. Qendra hulumtuese mediale e Serbisë – CINS ka bërë një hulumtim, sipas të cilit për 20 vjet të prerjes ilegale të pyjeve në zonën përgjatë kufirit me Kosovën dhe në komunën e Leposaviqit shteti i Serbisë ka humbur saktësisht 2.5 miliardë dinarë ose 2.3 milionë euro. Sipas hulumtimit prerja ilegale e pyjeve ka vazhduar dhe nuk është ndalur as në vitin 2019, derisa Serbia ka planifikuar që deri në vitin 2021 t’i sanojë dëmet, nëse siç thonë ata, do të ketë siguri. “Frika dhe pasiguria janë të pranishme secilën herë që dilet në terren. Shumë shpesh dëgjohen të shtëna armësh me të cilat hajnat e pyjeve shërbehen për t’i frikësuar këdo që gjendet në afërsi”, CINS-i citon të ketë thënë Dejan Miletiqini, nga ndërmarrja “Srbijasume”. Ai ka treguar se gjatë aksioneve që janë ndërmarrë për t’i dëbuar dhe për t’i kapur prerësit ilegalë të pyjeve ka pasur sulme me armë, arrestime të prerësve ilegalë, konfiskim të traktorëve, madje edhe të kuajve me qerre, sharra e sëpata.

Drunjtë nga Serbia përpunohen nga qindra sharra në Kosovë

“Qëllimi ka qenë të ndërpresim, ta pengojmë vjedhjen, sepse drutë të cilat prihen menjëherë përpunohen dhe kontrabandohen në Kosovë, ku edhe shiten. Kontrabanda është e lehtë, për shkak të afërsisë së kufirit, ndërsa përbrenda territorit të Kosovës ndodhen me qindra (sharra) përpunues të drurit. Hajnat të shumtën i shfrytëzojnë rrugët e pyjeve për kontrabandimin e druve, por ka raste që ata bëjnë edhe rrugë të reja, nëpër të cilat kalojnë. Ata (hajnat) para se të dalin në terren i dërgojnë njerëzit për të vëzhguar nëse ka policë ose roje të pyllit. Jorrallë ne hasim edhe në pengesa në rrugë, të cilat i vendosin prerësit ilegalë, të shumtën drunj dhe gurë për të parë më pastaj nëse dikush ka kaluar andej”, ka thënë ai, duke siguruar se duhen 50 ose 100 vjet që pyjet të shërohen me gjithë përkujdesjen.

Sipas të dhënave të cilat Policia e Kosovës ia ka dorëzuar Qendrës Hulumtuese Mediale të Serbisë, komuna më e goditur është Leposaviqi, në të cilën jetojnë shumica serbe. Në anën tjetër të kufirit kjo komunë përkufizohet me Novi Pazarin dhe me Rashkën, ndërsa përfshin edhe një pjesë të Kopaonikut, si dhe disa kodrina e bjeshkë, në të cilat ndodh vjedhja e pyjeve. “Përreth 10 vjet Policia e Kosovës ka paraqitur 56 raste të prerjes ilegale të pyjeve, ka proceduar 82 persona, derisa në 5 raste nuk dihet se kush e ka prerë malin. Ndërkaq sipas të dhënave të ‘Srbijasume’-s për 20 vjet të kaluar në këtë zonë ilegalisht janë zhdukur 636 mijë metra kub dru dhe me këtë shtetit të Serbisë i është bërë dëmi prej 2.5 miliardë dinarësh (2.230.000 eurosh). Vetëm deri në fund të tetorit të këtij viti janë prerë drurë në vlerën prej 74.5 milionë dinarësh ose 669 mijë eurosh”, thuhet në hulumtimin e CINS-it, të cilin e përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës.

Problemi, i komplikuar nga raportet Kosovë - Serbi

Sipas hulumtimit, nga viti 1999 “Srbijasume” nuk ka mundur ta parandalojë prerjen ilegale të pyjeve në pronësi të shtetit në zonën përreth kufirit me Kosovën, për shkak se qasja është e kufizuar. Prej atëherë kjo ndërmarrje faktikisht nuk udhëheq me autoritetin pyjor në territorin e Kosovës, që është në kompetencë të institucioneve kosovare. “Rojet tanë të pyjeve, të cilët duhet të sigurojnë dhe t’i mirëmbajnë ato, nuk kanë mundësi dhe liri për qasje në pjesën më të madhe të territorit rreth vijës kufitare. Prerësit ilegalë këtë e shfrytëzojnë dhe ilegalisht presin dru dhe i kontrabandojnë në territorin e Kosovës. Për shkak të sulmeve me armë nga hajnat, punëtorët shkojnë në këtë zonë vetëm me përcjellje të policisë dhe të ushtrisë”, vijon Miletiqi nga “Srbijasume”.

E ndërkaq Branisllav Radoviqi, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, ka thënë se zgjidhjen e problemit në masë të madhe e komplikojnë raportet në mes të Kosovës e të Serbisë dhe pamundësia që institucionet, siç është Policia të punojnë bashkë për ta parandaluar krimin. “Sigurisht se do të ishte më efikase dhe më mirë sikur institucionet të mundë të bashkëpunonin për pengimin e krimit, kështu që hajnat nuk do të mundë të iknin as andej e as këndej. Kudo që shkojnë ata janë kriminelë, ata janë njerëz që shkatërrojnë ambientin përreth, përfitojnë ilegalisht, sigurisht duke shitur dru. Atyre nuk u intereson çfarë kanë lënë atje prapa, një vend të shkretë dhe krejtësisht fushë”, shprehet Radoviqi.

E sipas CINS-it, kriminelët shumë shpesh e shfrytëzojnë vakuumin juridik që të ikin në një anë ose në anën tjetër të territorit për t’u ikur arrestimeve

Në anën tjetër sipas qendrës hulumtuese mediale të Serbisë – CINS, qeveria e Serbisë ka miratuar një plan, sipas të cilit deri në vitin 2021 do të duhej t’i sanojë të gjitha begatitë pyjore që janë humbur. Plani parasheh që “Serbijasume” në vitin 2019 të fillojë pyllëzimin e hapësirave të dëmtuar nga prerësit ilegalë të pyjeve, ndërsa i gjithë procesi i pyllëzimit do të kushtojë rreth 2.1 milionë euro. Realizimi i këtij plani, sipas zyrtarëve të “Srbijasume”-s, varet krejtësisht nga situata e sigurisë dhe për këtë arsye parashikohet mbrojtja e rojeve të pyjeve, gjegjësisht prania konstante e policisë ose e ushtrisë. “Nëse puna e rojave të pyjeve në terren nuk është e sigurt, atëherë plani nuk do të zbatohet”, kanë deklaruar zyrtarë të “Srbijasume”-s, përcjellin mediet lokale serbe në veri./ZËRI