Kërkohet që sinjalizuesit e korrupsionit të shpërblehen

Kërkohet që sinjalizuesit e korrupsionit të shpërblehen

Aktuale December 14, 2019 - 14:19

Kosova tash një vit e ka miratuar Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, i cili konsiderohet ligj i avancuar përmes të cilit mundësohet sinjalizimi në sektorin publik dhe privat si dhe mbrohen sinjalizuesit.

Megjithata, praktikat e sinjalizuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë shkuar tutje, duke shpërblyer sinjalizuesit prej 15 deri në 30 % të vlerës që arrin të konfiskohet si rezultat si sinjalizimit.

Tom Devine, ekspert juridik amerikan, njëherësh drejtor ligjor i “Projektit të Llogaridhënies së Qeverisë” në Washington DC”, i cili prej vitit 1979, ka ndihmuar dhe mbrojtur mbi 8000 sinjalizues, thotë për emisionin “Betimi për Drejtësi” se Kosova ka miratuar një ligj të avancuar, por i cili duhet të zbatohet në praktikë. “Kosova duhet të jetë krenare për ligjin që ka miratuar, ai përmbush praktikat më të mira globale për të drejtat e sinjalizuesve dhe plotëson të gjitha standardet në direktivën e Bashkimit Evropian për sinjalizues dhe unë mendoj se është më i fortë se ligji për sinjalizues në SHBA. Më në fund ka disiplinë për ata që ngacmojnë dhe hakmerren kundër sinjalizuesve. Ky ligj është shumë i mirë në letër por tani vjen testi i vërtetë, duke i kthyer të drejtat në letër në realitet.”

Betim Musliu, autor dhe producent ekzekutiv i dokumentarit ekskluziv nga SHBA “Sinjalizuesit e korruspionit”, njëherësh autor i emisionit “Betimi për Drejtësi”, thotë se praktikat e mira të sinjalizimit në SHBA arrihen edhe përmes stimulimit të sinjalizuesve me shpërblime. “Përmes dokumentarit të realizuar në katër vende të ShBA-së kemi sjellë praktikat e mira të sinjalizimit të korrupsionit dhe mbrojtjes së sinjalizuesve, ku protagonistë janë sinjalizues nga FBI dhe agjenci të tjera si dhe akterë intitucional që dëshmojnë mbrojtjen e sinjalizuesve dhe shpërblimin e tyre. Në fakt, shpërblimi i sinjalizuesve është stimulim për të sinjalizuar korrupsionin dhe shkeljet e ndryshme. Ky rregulim ligjor, ne si IKD kemi rekomanduar që të shqyrtohet për tu përfshirë edhe në legjislacionin tonë”.

Sidoqoftë, sipas Musliut, Ligji në fuqi për Mbrojtjen e Sinjalizuesve në Kosovë, është mjaft i avancuar dhe duhet të testohet për tu zbatuar në praktikë. “Tanimë kemi një ligj të avancuar, i cili mundëson sinjalizimin në sektorin publik dhe privat si dhe mbron sinjalizuesit, prandaj zyrtarët publikë dhe të punësuarit në sektorin privat duhet ta shfrytëzojnë këtë ligj që të luftojnë korrupsionin përmes sinjalizimit sepse tashmë ligji i mbron.”

Dokumentari “Sinjalizuesit e korrupsionit” shfaq praktikat e mira të sinjalizimit të shkeljeve dhe mbrojtjes së sinjalizuesve, të cilat i referohen rasteve të hulumtuara në disa shtete në ShBA, si në Washington DC, New York, Chicago dhe Miami, ku do të flasin protagonistë sinjalizues të korrupsionit, aktiviteteve tjera kriminale dhe shkeljeve të ndryshme, përfaqësues të institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe gazetarë hulumtues.