Detaje nga brenda takimeve Albin Kurti- Isa Mustafa: Ky është “Propozimi Ideal” i Vetëvendosjes për postin e presidentit

Detaje nga brenda takimeve Albin Kurti- Isa Mustafa: Ky është “Propozimi Ideal” i Vetëvendosjes për postin e presidentit

Aktuale December 14, 2019 - 21:49
Detajet

Edhe pse janë zhvilluar disa takime ndërmjet liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, duket se palët ende janë larg arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Burime të Gazetës Blic të afërta me këto takime kanë bërë të ditur se posti i presidentit është ai i cili në fakt e ka bllokuar tërë procesin e arritjes së marrëveshjes ndërmjet VV-së e LDK-së.

Sipas këtyre burimeve derisa LDK po insiston se posti i presidentit u takon atyre, madje duke mos lëvizur për asnjë moment nga ky pozicion, Vetëvendosje në anën tjetër ka dalë me propozimin e saj ideal.

”Albin Kurti dhe Vetëvendosje duke kundërshtuar me çdo kusht që posti i presidentit t’i takoj LDK-së, kanë propozuar një president jashtë partiak. Ata kanë propozuar që president të vijë dikush nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, ose nga shoqëria civile, përfshirë individë që mund të kenë punuar edhe në shërbimin diplomatik”, kanë theksuar këto burime të afërta me takimet e dy liderëve.

Sipas këtyre burimeve, Albin Kurti ka insistuar se ata nuk kanë ndonjë emër konkret për këtë post, por që sipas tij, shefi i shtetit duhet ta ketë këtë “background”.

Përpos këtij “Propozimi Ideal”, që posti i presidentit t’i takoj dikujt jashtëpartiak, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar kompensim për kryetarin e Kuvendit, i cili sipas Kushtetutës i takon VV-së, por që po ia japin LDK-së.

Sipas burimeve mësohet se Vetëvendosje në takimin e djeshëm Mustafa- Kurti, ka kërkuar dy nënkryetarë të Kuvendit për vete, derisa postin e kryeparlamentarit ta marrë Lidhja Demokratike e Kosovës.

Këto burime saktësojnë se për LDK-në nuk do të jetë problem posti i nënkryetarëve, por ai i presidentit.

“Posti i nënkryetarëve do të jetë lehtë i tejkalueshëm, por problem do të jetë ai i presidentit”, tha ky burim.

Ndërkohë, këto burime thonë se në takimet e fundit nuk u diskutua fare për postet ministrore, ngase çështja k ngecur tek posti i presidentit.

Takimi i tretë radhazi i cili përfundoi para disa orësh, rezultoi i pa suksesshëm.

Para mediave kanë dalë Glauk Konjufca nga VV dhe Avdullah Hoti nga LDK, të cilët shumë shkurt, thanë s’e s’ka asgjë të re dhe marrëveshja s’është arritur.

“Mund t’ju them se sonte s’ka marrëveshje”, tha shkurt Hoti.

Derisa Konjufca, tha se “nuk ka marrëveshje, në ditët në vijim priten prapë takime”.