Hoteli u shemb dhe i zuri poshtë babain, shpallen në kërkim pronarët e “Vila Palma”

Hoteli u shemb dhe i zuri poshtë babain, shpallen në kërkim pronarët e “Vila Palma”

Aktuale December 15, 2019 - 13:41
Çifti Qato po kërkohet nga prokuroria

 

Prokuroria shpalli në kërkim pronarët e “Vila Palma”, Dëshira dhe Arben Qato. Në këtë ndërtesë humbi jetën babai i Arben Qatos, ndërsa fatmirësisht u arrit të nxirrej i gjallë djali tyre, Klajdi Qato.

Prokuroria ka konstatuar shkelje në shtimin e kateve të kësaj ndërtese. Hotel “Vila Palma” është ndërtuar 14 vite më parë. Leja e ndërtimit për këtë objekt, fillimisht 4-katësh, është dhënë në vitin 2005 nga ish-Komuna Rrashbull. Ndërkohë, nga dokumentacioni për hotelin rezulton se në vitin 2008 është marrë një tjetër shtesë kati, lokal plus papafingo.

Më herët gjatë këtij viti, Dëshira Qato u kallëzua penalisht për “Shpërdorim detyre”. “IKMT njofton zyrtarisht se kryebashkiaku Sakja akuzohet për shpërdorim detyre. Bashkë me kreun e Bashkisë Kavajë, IKMT ka kallëzuar edhe drejtoreshën e Drejtorisë së Kontrollit, Zhvillimit Urbanistik dhe Pronave, Dëshira Qaton, si dhe Kryeinspektorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit Bashkia Kavajë, Dritan Kazazi. Këta zyrtarë, thotë IKMT, me veprimet dhe mosveprimet e tyre për dhënien e lejeve të ndërtimit, kanë cenuar territorin publik të qytetit. Bëhet fjalë për 7 pallate disakatëshe të ndërtuar në territorin e Bashkisë së Kavajës“, njoftohej disa muaj më parë.

Tërmeti i 26 nëntorit shkatërroi mijëra banesa në Durrës, duke lënë të pastrehë shumë persona. Ekspertë të ndërtimeve, por edhe sizmologë të ndryshëm, thanë se pasojat e rënda që shkaktoi tërmeti 6.4 ballë, ishin edhe për shkak të cilësisë së ndërtimeve. Më herët, specialistë të ndryshëm dhe persona të prekur nga tërmeti kanë ngritur pretendime se ndërtimet në Durrës nuk kanë qenë cilësore dhe për këtë pasojat ishin edhe më të rënda.

Nga ana tjetër, 3 pallatet e shkatërruara në Thumanë të Krujës ishin të vjetër dhe dëshmi nga fshati flasin se ato janë shpallur të pabanueshme që me tërmetin e shtatorit të këtij viti, por sërish qytetarët vazhdonin të jetonin.

Njësoj si këto pallate në Thumanë janë edhe disa të tjerë, që janë të vjetur dhe kanë marrë dëmtime në dukje të parikuperueshme. Edhe për sizmologun grek, Efthymios Lekkas, dëmtimet i duhen atribuuar vetë ndërtimeve. Në lidhje me ndërtimet në zonën e Durrësit, ka folur edhe profesoresha e njohur e inxhinierisë së ndërtimit, Luljeta Bozo. Kjo e fundit, në një intervistë në “News 24”, tha se në rërën e Durrësit ka problem me bazamentin dhe prandaj para 1990 ka pasur pak ndërtime.

Image