Presidenti, “mollë sherri” mes LVV-së dhe LDK-së
Foto: Laura Hasani

Presidenti, “mollë sherri” mes LVV-së dhe LDK-së

Aktuale December 16, 2019 - 07:45
Lideri i LVV-së Albin Kurti dhe ai i LDK-së Isa Mustafa kanë mbajtur takime të njëpasnjëshme gjatë javës së kaluar, por deri më tani nuk ia kanë dalë të arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje. Meqë posti i presidentit tashmë është shndërruar në “mollë sherri” mes dy palëve, analistët politikë nuk përjashtojnë mundësinë që seanca konstituive t’i gjejë pa një ujdi të plotë LVV-në e LDK-në
Image

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa kanë zhvilluar një sërë takimesh maratonike gjatë javës së kaluar, por nuk kanë arritur që negociatat e tyre t’i kurorëzojnë me një marrëveshje përfundimtare.

I vetmi pajtim që ka buruar nga takimet e dy partive është dakordimi për t’i shpeshtuar takimet, që kanë për qëllim shkrirjen e dallimeve ekzistuese mes tyre. Ndonëse të dielën nuk u takuan fare, Kurti e Mustafa vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta sa i përket postit të presidentit, shkruan gazeta Zeri.

Derisa LDK-ja po kërkon ta marrë pozitën e shefit të shtetit, Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të ngulë këmbë se posti i presidentit nuk duhet të bëhet pjesë e marrëveshjes për qeverisjen e re. Ani pse seanca për konstituimin e Kuvendit është thirrur për datën 26 dhjetor nga presidenti Hashim Thaçi, njohësit e çështjeve politike shprehen skeptikë se LVV-ja dhe LDK-ja do të arrijnë të merren vesh mes vete para kësaj date. 

Tentativat e dy subjekteve që të kenë sa më shumë fuqi e kontroll në bashkëqeverisje, sipas tyre, rrezikojnë ta zvarrisin edhe më tej lidhjen e koalicionit. Ndërkohë, edhe zyrtarët e të dyja partive negociuese gjatë ditëve të fundit kanë thënë se nuk mund të jepet garanci se do të ketë marrëveshje.

Kërkesa e LVV-së për largimin e barrikadave nga LDK-ja


Pak para takimit të fundit LVV – LDK, që zgjati rreth tri orë, anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, i ka bërë thirrje Lidhjes Demokratike të Kosovës të heqë dorë nga barrikadimet, teksa ka shprehur skepticizëm se marrëveshja mes dy partive mund të ndodhë. “Do të bëjmë përpjekje për ta arritur koalicionin LVV – LDK, por nuk do të themi me siguri të plotë se kjo do të ndodhë, sepse ka edhe barrikadime dhe unë mendoj që për sa kohë kemi barrikadime të tilla, nuk mund të kemi një koalicion qeverisës”, ka thënë Haxhiu pas mbledhjes së Kryesisë së LVV-së, gjegjësisht para takimit me LDK-në.

Haxhiu, e cila ka fituar votat për të qenë përsëri pjesë e Kuvendit të Kosovës, kërkesën e LDK-së për postin e presidentit e ka quajtur të padrejtë, pasi sipas saj aktualisht nuk është momenti i duhur për t’u diskutuar kjo çështje. “Të premten janë shpalosur të gjitha çështjet, të cilat nuk janë shpalosur më herët. Takimi ka qenë mjaft konstruktiv. Por unë nuk mund të them me garanci që marrëveshja do të ndodhë. Është mirë të ndodhë, por nuk mund të garantoj”, është shprehur ajo në fundjavën që shkoi, shkruan tutje Zeri.


Pavarësisht faktit që takimi i së shtunës përfundoi pa marrëveshje, bisedimet mes palëve nuk vazhduan të dielën. Zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, ka konfirmuar dje për mosmbajtje të takimit, porse nuk ka folur rreth mosdakordimeve mes dy partive. Lidhur me këtë ai ka sugjeruar t’u referohemi deklaratave të pjesëtarëve të tjerë të LVV-së.

Se marrëveshja LVV - LDK nuk është afër së fundi e ka pohuar edhe anëtari i Kryesisë së Vetëvendosjes, Liburn Aliu. “Marrëveshja nuk është afër, por përpjekjet s’do t’i ndalim. Kemi mosmarrëveshje, sidomos te çështja e presidentit”, ka potencuar ai.

Edhe lideri i LDK-së Isa Mustafa ka pohuar së fundmi se nuk mund të jepet garanci kur mund të ketë marrëveshje. “Po bisedojmë dhe kur bisedojmë gjithmonë është në të mirë të marrëveshjes. Kur arrijmë marrëveshje nuk mund t’ju garantojmë”, është shprehur Mustafa.

Në anën tjetër, nënkryetari i LDK-së Agim Veliu ka thënë shkurt se të dyja partitë janë duke tentuar t’i definojnë diskutimet e tyre. “Jemi duke bërë përpjeke të definojmë çdo gjë. Biseda dhe përpjekje. S’kam çka shtoj tjetër”.

Veliu dhe zyrtarët e tjerë të LDK-së disa herë radhazi kanë përsëritur se posti i presidentit, bashkë me kryetarin e Kuvendit, duhet t’i takojë LDK-së.

Rritet skepticizmi për koalicionin LVV- LDK


Njohësi i rrethanave politike, Rasim Alija, në një deklaratë për “Zërin” ka thënë se tentativa e LVV-së dhe e LDK-së për të pasur sa më shumë fuqi e kontroll në qeverisjen e tyre të përbashkët po e zvarrit arritjen e koalicionit mes tyre. Kësisoj, sipas tij, pozita e presidentit vazhdon të jetë pikë ndarëse mes dy partive. “Të dyja subjektet po përpiqen që të kenë sa më shumë fuqi e kontroll në bashkëqeverisje. Ndërsa pika kryesore e rezistencës, që po e vonon ndërtimin e koalicionit, vazhdon të jetë marrëveshja rreth pozitës së presidentit. Madje çështja e presidentit ka qenë pikë ndarëse prej fillimit të takimeve”, ka deklaruar ai.

Ndërtimi i koalicionit tashmë, sipas tij, ka kaluar në pikën ku kërkesat, rezistenca dhe kompromisi i LVV-së dhe i LDK-së do të jenë përcaktuese jo vetëm për arritjen e koalicionit, por edhe për jetëgjatësinë dhe cilësinë e tij.
Nëse palët nuk lëshojnë pe, Alija është shprehur skeptik se LVV - LDK mund të arrijnë të dakordohen për bashkëqeverisje para datës 26 dhjetor, kur edhe është paraparë të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. “Mund të kemi edhe skenarin që seanca konstitutive e Kuvendit t’i gjejë subjektet pa marrëveshje dhe marrëveshja të ndodhë në janar. Ajo të cilën e dinë të dyja subjektet politike është që nuk kanë opsion tjetër pos koalicionit. Zgjedhjet nuk do të ishin as në leverdinë e LVV-së dhe as të LDK-së.

Madje të dyja këto subjekte e dinë se nuk e kanë të sigurt që do të merrnin rezultatin e njëjtë si në zgjedhjet e tetorit, duke e shtuar mundësinë e një koalicioni PAN 2 dhe potencialisht duke e shtuar votën ndëshkuese si reagim ndaj një dështimi të arritjes së koalicionit”, ka theksuar ai.

Ndaj, sipas tij, opsioni i vetëm që e kanë LVV-ja dhe LDK-ja është bashkëqeverisja, me ose pa kompromise dhe me ose pa plotësim e refuzim të kërkesave./ZERI