Niveli shqetësues i ndotjes së ajrit, s’ka masa për përmirësimin e gjendjes
Foto: Laura Hasani

Niveli shqetësues i ndotjes së ajrit, s’ka masa për përmirësimin e gjendjes

Aktuale December 16, 2019 - 07:53
Pavarësisht masave të ndërmarra për përmirësimin e cilësisë së ajrit në Kosovë niveli i ndotjes po vazhdon të jetë i lartë edhe më tej. Për shkak të nivelit alarmant të ndotjes së ajrit gjatë këtij muaji shumë qytetarë kanë kërkuar trajtim mjekësor për shkak të problemeve respiratore që u janë paraqitur
Image

Ndotja e ajrit po vazhdon të jetë njëra nga problematikat kryesore në Kosovë. Me uljen e temperaturave edhe gjatë këtij viti është rritur niveli i ajrit të ndotur në vend, pavarësisht  masave që janë ndërmarrë për përmirësimin e tij.

Shkaktarë të kësaj ndotjeje vlerësohet të jenë Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), numri i madh i makinave dhe përdorimi i lëndëve djegëse, gjegjësisht i thëngjillit. Nga Klinika e Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kanë bërë të ditur se brenda një muaji 15 pacientë kanë kërkuar trajtim mjekësor si pasojë e ajrit të ndotur.

Ndaj ata kanë bërë thirrje te qytetarët të ndërmarrin disa masa vetanake, siç është vënia e maskave në ambientet e hapura, në mënyrë që t’i parandalojmë dëmtimet nga ndotja e ajrit. 

. Në anën tjetër, nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) thonë se viteve të fundit janë marrë një numër i madh i masave për përmirësimin e cilësisë të ajrit, por edhe nga MMPH-ja pohojnë se këto masa nuk janë të mjaftueshme.

Masat e pamjaftueshme për përmirësimin e cilësisë së ajrit

Për uljen e nivelit të ajrit të ndotur në vend ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, ka thënë për “Zërin” se kanë marrë disa masa emergjente, të cilat sipas tij nuk janë marrë viteve të kaluara.

Megjithatë, ai ka thënë se as këto masa nuk janë të mjaftueshme për përmirësimin e ajrit, derisa ka kërkuar nga qytetarët të kenë kujdes, të mos dalin me vetura e të mos përdorin thëngjillin. “Ne kemi futur në fuqi udhëzimin administrativ për matjen e ndikimit të gazrave të veturave, pra kontrollet teknike. Ne jemi qe 6 muaj në periudhë provuese, në fund të muajit kalon periudha testuese dhe veturat duhet të vënë pullën mjedisore kur qarkullojnë në rrugë. Ne kemi ndërprerë dhënien e thëngjillit falas për punëtorët e KEK-ut, në mënyrë që ai thëngjill të mos dalë në treg për t’u shitur. E po ashtu ne kemi punuar për ndërrimin e filtrave të ‘Kosovës B’”, ka deklaruar ai, teksa ka vlerësuar se gjendja këtë vit, megjithatë, është më e mirë se në vitin e kaluar, shkruan gazeta Zeri.

Matoshi më tutje ka thënë se ajri në vend do të përmirësohet tek atëherë kur nga funksioni të hiqet termocentrali “Kosova A”, si dhe të ndërrohen filtrat e termocentralit “Kosova B”. “Ndotja është problem i rajonit e jo vetëm problem yni. Ne këtë vit jemi më mirë se Beogradi e Shkupi. Me ndotjen përballen edhe shtetet më të gjelbra në botë. Masat që i kemi marrë ne janë shumë të pamjaftueshme për të qenë ajri i pastër. Ajri i mirë në Kosovë mund të jetë kur të dekompozohet ‘Kosova A’, kur ajo të mos jetë më në funksion, kur të ndërrohen filtrat e ‘Kosovës B’, kur nuk do të lejohen veturat që ndotin ajrin të qarkullojnë e kur të shtohen hapësirat e gjelbra në një masë shumë më të madhe”, ka potencuar ai.

KEK-u, veturat e thëngjilli, ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Kosovë

Kryetari i Partisë Ekologjike të Kosovës, Arif Krasniqi, ka thënë për “Zërin” se numri i madh i veturave që qarkullojnë në Kosovë, Korporata Energjetike e Kosovës e po ashtu edhe përdorimi i thëngjillit janë shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit. “Përveç ndotjes, që na dhurohet nga sistemi i Korporatës Energjetike të Kosovës, ne përballemi me ndotje edhe nga veturat e shumta që qarkullojnë në Prishtinë e që mendohet të jenë afro 13 mijë e 5000 sosh”, ka thënë ai.

Me këtë rast ai ka konsideruar se ndotja shpeshherë nuk është e kontrolluar, pasi që mungojnë matësit adekuatë për ndotje. Gjendjen sipas tij e ka rënduar edhe mjegulla, e cila ka mbuluar vendin javëve të fundit. “Më tepër se një muaj në Kosovë e në veçanti në Prishtinë është një mot pa të reshura dhe me temperatura relativisht të larta për këtë stinë të vitit. Në këto kushte kemi pasur dhe pa dyshim që do të kemi një ndotje shumë të lartë. Këtë situatë e ka vështirësuar edhe mjegulla bukur e dendur, që ka mbajtur ditëve të kaluara”, ka deklaruar ai.

Ndaj pasojat e ajrit të ndotur, sipas Krasniqit, mund të jenë të mëdha, sidomos gjatë kohës kur në vend ka mjegull. “Pa dyshim se ndotja është një fenomen i rrezikshëm për shëndetin e njeriut. Natyrisht rrezikshmëria është më e madhe kur kjo përcillet me mjegulla të dendura, e tillë çfarë pamë para pak ditëve në Kosovë. Kjo më së tepërmi prek të sëmurët me sëmundje kardiovaskulare, respiratore, me sëmundje të diabetit etj.”, ka theksuar ai.

Brenda muajit 15 pacientë me probleme për shkak të ajrit të ndotur

Me ndotjen e ajrit është rritur edhe numri i pacientëve me probleme respiratore.

Pulmologu në Klinikën e Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Skënder Baca, ka bërë të ditur se brenda muajit janë lajmëruar 15 persona me probleme për shkak të ajrit të ndotur. Me këtë rast ai ka bërë të ditur se tre nga këta persona janë hospitalizuar dhe tek pastaj janë lëshuar për në shtëpi. “Brenda muajit 15 pacientë janë lajmëruar në ambulancë. Nga këto 15 rastet që janë lajmëruar brenda këtij muaji në ambulancë vetëm tri raste janë hospitalizuar. Brenda javës ata janë lëshuar në shtëpi. Këto janë raste sporadike, fatmirësisht nuk kemi helmim akut masiv, por individual”.

Baca më tutje ka rekomanduar qytetarët të marrin masat e duhura për t’u mbrojtur nga ajri i ndotur, i cili mund të shkaktojë edhe sëmundje të ndryshme. “Ndotja e ajrit renditet në vendin e tretë në paraqitjen e sëmundjes kronike obstruktive. Ne duhet të ndërmarrim disa masa që t’i parandalojmë dëmtimet nga ndotja e ajrit. Qytetarët duhet të konsumojmë më shumë lëngje e çaja. Qytetarët gjithmonë kur të dalin jashtë duhet ta kenë një shall, por edhe maska, si dhe duhet ta shfrytëzojmë transportin publik, që të mos i ekspozohemi ndotjes drejtpërdrejt”, është shprehur ai./ZERI