Energjia diellore mundësia e Kosovës, të harrohen hidrocentralet!

Energjia diellore mundësia e Kosovës, të harrohen hidrocentralet!

Aktuale December 16, 2019 - 07:58
Kosova duhet të krijojë hapësirë për investime në energjinë e ripërtëritshme, përkatësisht në atë diellore. Kështu thonë njohësit e fushës së energjetikës, pasi vendi ka klimë të favorshme për këtë energji alternative e ndërkohë konsiderojnë se është abuzuar me burimet hidrike
Image

Ndonëse Kosova është e pasur me thëngjill, prej nga edhe e siguron energjinë, duhet të investojë në energji solare si alternativë më pak e dëmshme për mjedisin jetësor. Kështu konsiderojnë njohësit e fushës së energjetikës, pasi Kosova ka kushte klimatike të favorshme për këtë burim të energjisë, duke mos përjashtuar edhe atë të erës.

Ndërkaq thonë se Kosova duhet t’i harrojë burimet hidrike si një mundësi të keqpërdorur dhe të shterur tashmë. Ndërkohë, sipas tyre, pa ndihmën e investitorëve Kosova vështirë se do ta arrijë standardin e caktuar nga BE-ja për të pasur 30% të burimeve të energjisë së ripërtëritshme. 

Azemi: E vështirë të arrihen standardet e BE-së për energji të ripërtëritshme

Visar Azemi, drejtori ekzekutiv i “Balkan Green Foundation” dhe njëkohësisht koordinatori i KOSID-it, teksa ka folur për standardet e caktuara nga BE-ja për energjinë e ripërtëritshme ka thënë se është e vështirë të arrihen nëse përjashtohet biomasa ose djegia e drurit. Por sipas tij një gjë e tillë është e kontestueshme, pasi djegia e drurit ka efekte anësore dhe shkakton ndotje. “Targeti, i cili është caktuar dhe që monitorohet prej Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, nëse përjashtohet biomasa, atëherë është problem që të arrihet, sepse ka ngecje në këtë fushë të energjisë së ripërtëritshme, megjithatë qeveria po e njeh biomasën që është druri në rastin tonë dhe atë po e fut në taragete, të cilat janë të paarritshme. Por një gjë e tillë pak a shumë është e kontestueshme se a duhet të jetë biomasa ose djegia e drurit, të cilin ne e kemi në sasi shumë të mëdha si energji e ripërtëritshme ose jo, sepse ka shumë efekte anësore, pastaj ndikon edhe te ndotja e ajrit”, tha ai për “Zërin”.

Azemi tha se Kosova duhet të krijojë kushte më të mira për investitorët që të vijnë dhe të investojnë në energji të ripërtëritshme sa më shumë. Në rrethanat aktuale nuk është e lehtë të gjesh investitorët e duhur. Megjithatë ai tha se ka investitorë të shumtë, të cilët janë të gatshëm të investojnë në këtë drejtim dhe këto investime duhet të vijnë sa më shpejt. Ai tutje tha se kushtet klimatike favorizojnë më shumë energjinë diellore dhe atë të erës dhe më pak atë ujit, për shkak të dëmeve të ambientit. “Kryesisht duhet të stimulohen investime në energjinë diellore dhe atë të erës dhe më pak në atë të ujit, për shkak të dëmeve ambientale. Kështu që fokusi duhet të përqendrohet në energjinë diellore, sepse Kosova ka mjaftueshëm ditë me diell përgjatë vitit që të mundë të sjellë kapacitete të mjaftueshme nga kjo energji,shkruan sot Zeri.

Pastaj duhet parë edhe burimet e erës, ku siç e dimë kemi investime në këtë fushë dhe një tjetër e cila pritet të bëhet shumë shpejt në kapacitet mbi 100 mgv, kështu që edhe kjo energji mund të shihet si e favorshme dhe e realizueshme në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Azemi ka përjashtuar si mundësi investimin në hidrocentrale pasi ky burim i energjisë është keqpërdorur. “Është keqpërdorur investimi në hidrocentrale, kështu që duhet të stopohet sepse është abuzuar me ambientin dhe me ujin, që është përdorur për të sjellë energji elektrike. Pjesë të ndryshme kanë mbetur pa ujë, sepse gati tërë kapaciteti i ujit është futur në gypa për të sjellë energji elektrike dhe janë krijuar dëme në ambient. Pra, dëmi është më i madh sesa përfitimi që mund të arrihet nga kjo energji”, u shpreh Azemi.

Ai tha se institucionet nuk po bëjnë sa duhet të këtë drejtim duke qenë se është dashur të bëhet një hartë për të parë se cili do të ishte kapaciteti i investimeve në energjinë diellore dhe të erës dhe cilat do të ishin mundësitë për të investuar.

Dida: Hidrocentralet të përjashtohen si burime të energjisë në Kosovë

Ndërkaq Agron Dida, njohës i fushës së energjetikës i ka quajtur jokompetentë ata që aktualisht po merren me sektorin e energjisë, duke kritikuar qasjen e tyre sa i përket energjisë së ripërtëritshme. Sipas tij, standardet e caktuara nga BE-ja për të arritur së paku 30% të energjisë nga energjia e ripërtëritshme mund të arrihen lehtë nëse punohet si duhet. “Mundemi dhe duhet ta mbërrijmë. Kjo punë duhet të merret më me seriozitet. Energjia është e ardhmja e domosdoshme. Kosova nuk duhet të dalë nga trendet bashkëkohore. Duhet të shërbejnë njerëz kompetentë, sepse ata po e shkatërrojnë vendin”, ka thënë ai teksa ka folur për gazetën “Zëri”.

Dida tutje tha se për Kosovën më e favorshme është energjia diellore, pasi ajo i përshtatet më shumë kushteve klimatike të vendin, ndërkaq i ka përjashtuar si mundësi hidrocentralet, ngase ky burim është shterur. “Më atraktive për ne do të ishte energjia diellore, sepse ujin e kemi shfrytëzuar dhe s’kemi më potencial. Atë Kosova duhet ta harrojë si mundësi, jo pse njerëzit po protestojnë, por sepse ka shumë pak ujë. Energjia e erës po ashtu mundet të funksionojë, por më e favorshmja për kushtet gjeografike që i kemi ne është energjia me diell”, tha Dida.

Sipas tij, deri më tani institucionet e Kosovës nuk kanë pasur interesim për rregullimin e kësaj çështjeje, pra që të inkorporohen standardet evropiane në energji./ZERI