Rritet skepticizmi për koalicionin LVV- LDK

Rritet skepticizmi për koalicionin LVV- LDK

Aktuale December 16, 2019 - 08:34
Lideri i LVV-së Albin Kurti dhe ai i LDK-së Isa Mustafa kanë mbajtur takime të njëpasnjëshme gjatë javës së kaluar, por deri më tani nuk ia kanë dalë të arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje. Meqë posti i presidentit tashmë është shndërruar në “mollë sherri” mes dy palëve, analistët politikë nuk përjashtojnë mundësinë që seanca konstituive t’i gjejë pa një ujdi të plotë LVV-në e LDK-në

Njohësi i rrethanave politike, Rasim Alija, në një deklaratë për “Zërin” ka thënë se tentativa e LVV-së dhe e LDK-së për të pasur sa më shumë fuqi e kontroll në qeverisjen e tyre të përbashkët po e zvarrit arritjen e koalicionit mes tyre. 

Kësisoj, sipas tij, pozita e presidentit vazhdon të jetë pikë ndarëse mes dy partive. “Të dyja subjektet po përpiqen që të kenë sa më shumë fuqi e kontroll në bashkëqeverisje. Ndërsa pika kryesore e rezistencës, që po e vonon ndërtimin e koalicionit, vazhdon të jetë marrëveshja rreth pozitës së presidentit. Madje çështja e presidentit ka qenë pikë ndarëse prej fillimit të takimeve”, ka deklaruar ai.

Ndërtimi i koalicionit tashmë, sipas tij, ka kaluar në pikën ku kërkesat, rezistenca dhe kompromisi i LVV-së dhe i LDK-së do të jenë përcaktuese jo vetëm për arritjen e koalicionit, por edhe për jetëgjatësinë dhe cilësinë e tij.
Nëse palët nuk lëshojnë pe, Alija është shprehur skeptik se LVV - LDK mund të arrijnë të dakordohen për bashkëqeverisje para datës 26 dhjetor, kur edhe është paraparë të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. “Mund të kemi edhe skenarin që seanca konstitutive e Kuvendit t’i gjejë subjektet pa marrëveshje dhe marrëveshja të ndodhë në janar. Ajo të cilën e dinë të dyja subjektet politike është që nuk kanë opsion tjetër pos koalicionit, shkruan Zeri.

Zgjedhjet nuk do të ishin as në leverdinë e LVV-së dhe as të LDK-së. Madje të dyja këto subjekte e dinë se nuk e kanë të sigurt që do të merrnin rezultatin e njëjtë si në zgjedhjet e tetorit, duke e shtuar mundësinë e një koalicioni PAN 2 dhe potencialisht duke e shtuar votën ndëshkuese si reagim ndaj një dështimi të arritjes së koalicionit”, ka theksuar ai.

Ndaj, sipas tij, opsioni i vetëm që e kanë LVV-ja dhe LDK-ja është bashkëqeverisja, me ose pa kompromise dhe me ose pa plotësim e refuzim të kërkesave./ Zëri