Loja e LDK-së me pozitën e presidentit
Foto: Laura Hasani

Loja e LDK-së me pozitën e presidentit

Aktuale janar 13, 2020 - 09:15
detajet

Takime të stërzgjatura, por pa rezultate konkrete u zhvilluan javën që lamë pas midis Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, parti këto që po synojnë bashkëqeverisjen për 4 vjetët e ardhshëm. Ndonëse këto bisedime kanë nisur qe tre muaj, LVV-ja dhe LDK-ja vazhdojnë të kenë dallime të theksueshme lidhur me postin e presidentit dhe tash edhe të kryeparlamentarit, shkruan Zëri.

Derisa LDK-ja vazhdon ta kërkojë me ngulm pozitën e presidentit të vendit, në medie kanë filluar të qarkullojnë emra të individëve, që mund të vijnë në këtë pozitë në vitin 2021. Deri më tash është përmendur emri i deputetit Kujtim Shala si propozim i mundshëm i LDK-së për president. Megjithatë, një gjë të tillë e kanë mohuar nga partia të cilën e drejton Isa Mustafa. LDK-ja i ka cilësuar raportimet e tilla si spekulime, me ç’rast ka theksuar se nuk do të japin emër deri të vijë koha për zgjedhjen e të parit të shtetit. “Raportimet për cilindo emër kinse të propozuar nga LDK-ja për president janë spekulime të pavërteta. LDK-ja nuk jep emër për president derisa nuk vjen koha e zgjedhjes së presidentit”, thuhet në reagimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndërkohë, pikërisht posti i presidentit ka qenë shkaktari kryesor pse deri tani nuk është arritur koalicioni LDK – LVV. Kjo pasi që LVV-ja kishte kërkuar nga LDK-ja të bënte publik emrin e pretenduesit për këtë pozitë, ndërsa nga LDK-ja kishin theksuar disa herë se emrin e bëjnë publik kur të vijë koha./Zëri