Borrelli kontakton Thaçin e Vuçiqin, kërkon rifillimin e dialogut

Borrelli kontakton Thaçin e Vuçiqin, kërkon rifillimin e dialogut

Aktuale janar 15, 2020 - 13:02

Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrel, ka kontaktuar sot me telefon me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe me atë serb Aleksandar Vuçiq ku ka theksuar nevojën që këto dy vende të rifillojnë dialogun.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Borrell, ka folur me ta për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Serbi dhe gjithashtu rëndësinë e punës për rifillimin e bisedimeve Beograd-Prishtinë, transmeton Koha.net.

Në komunikatën për media, thuhet se ai konfirmoi vendosmërinë dhe angazhimin e tij personal si lehtësues i dialogut, dhe mbështetjen e Shteteve Anëtare të BE-së.

Joseph Borrell ka kontaktuar në mënyrë të veçantë me bashkëbiseduesin e tij në Kosovë (Hashim Thaçi) për perspektivat e formimit të një qeverie të re në Prishtinë.

Në njoftim thuhet se në këtë kontekst, Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell ftoi liderët e partive të Kosovës që të procedojnë me shpejtësi, në interes të Kosovës dhe popullit të saj.

“Në diskutimet e tij bilaterale, ai diskutoi gjithashtu me bashkëbiseduesit e tij për progresin dhe perspektivat e ardhshme në rrugët e tyre përkatëse drejt BE-së dhe rëndësinë e përparimit përpara Samitit BE – Ballkan Perëndimor në Zagreb në maj 2020”, thuhet në komunikatë.

Në fund, ai përsëriti qëllimin e tij për të udhëtuar në Prishtinë dhe Beograd në javët e ardhshme.