Syla: Evropa e politikanët kosovarë qëllimisht po i largojnë mjekët nga Kosova

Syla: Evropa e politikanët kosovarë qëllimisht po i largojnë mjekët nga Kosova

Aktuale janar 15, 2020 - 13:26

Largimin e punëtorëve shëndetësorë nga Kosova kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Blerim Syla, e ka parë si shumë shqetësuese për vendin, shkruan gazeta "Zëri".

Ai ka thënë për “Zërin” se shumë shpejt punëtorët shëndetësorë do ta kenë edhe më të lehtë të ikin në shtetet tjera. Sipas tij, oferta për ta po vijnë nga shtete të shumta, si nga Gjermania, nga Austria e nga Zvicra. “Do ta shohim shumë shpejt se jo vetëm mjekët, por edhe infermierët dhe të gjitha profilet tjera sa lehtë do të mundë të mbërrinin jashtë vendit, sidomos në Gjermani, por mundësitë janë të hapura edhe në shtetet tjera, si në Austri e në Zvicër”, ka theksuar ai.

Syla ka thënë se largimi i personelit mjekësor po bëhet në mënyrë të qëllimshme. Sipas tij, politikëbërësit në vend po largojnë qëllimisht punëtorët shëndetësorë drejt shteteve, të cilat janë në krizë për ta. “Ata janë të detyruar nga politikat e mbrapshta të shtetit që ta lëshojnë Kosovën. Unë po mendoj se këto janë politika të qëllimshme. Duke parë krizat e mëdha që në Evropë kërkohet staf mjekësor, Evropa bashkë me politikëbërësit tanë po punojnë qëllimisht që t’i dërgojnë këta të rinj jashtë. Këta punëtorë diplomojnë, kryejnë fakultet, i cili jashtë vlerësohet shumë, ndërsa në Kosovë nuk ka vende të punës e as nuk u mundësohet ndonjë specializim ose edukim i vazhdueshëm”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë tutje se ikja e mjekëve nga Kosova po vlerësohet si normale.

Në anën tjetër se punëtorët shëndetësorë po i ikin jashtë vendit e ka pohuar edhe mjeku në Spitalin e Gjakovës Ahmet Asllani. Ai ka thënë për gazetën se zakonisht mjekët e rinj, të cilët u nevojiten institucioneve publike shëndetësore në vend, po ikin drejt shteteve tjera. Sipas tij, numri i mjekëve specialistë që lëshojnë vendin është më i vogël. “Nga të punësuarit në spitalin tonë nuk kemi pasur ndonjë rast, i cili ka ikur jashtë vendit. Zakonisht mjekët e rinj, për të cilët kemi nevojë, po e kryejnë fakultetin, po e bëjnë një përvojë sado të vogël dhe po ikin jashtë. Mjekët specialistë më rrallë”, ka shtuar ai./ZËRI