Gjykata Speciale fton deputetin e PDK’së

Gjykata Speciale fton deputetin e PDK’së

Aktuale January 18, 2020 - 13:08

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka bërë të ditur se ish-pjesëtari i UÇK-së, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, Elmi Reçica, është ftuar nga Gjykata Speciale për intervistim.

Në një postim në Facebook, Aliu, që është bashkëvendës i Reçicës, ka thënë se ftesa për intervistë nga Gjykata Speciale për deputetin Reçica, “do të nxjerrë një dhe vetëm një të vërtetë, atë të guximit e dashurisë për atdheun, luftës sonë për lirinë në çdo pëllëmbë të tokës stërgjyshore, idealit të kristaltë të djemve e vashave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që me gjakun e sakrificën e tyre bën ëndrrën e lirisë, realitet”.

“PDK në Ferizaj dhe mbarë Kosova është prapa luftës së lavdishme çlirimtare, është në krahë të çlirimtarëve, është në krahë të Eprorit të UÇK-së Elmi Reçica, që në çdo sfidë e zezonë të vendit, ishte kurdoherë i gatshëm të mos kursej asgjë, të sakrifikoj për Kosovën. Triumfator në luftë, triumfator në çdo sfidë”, ka shkruar Aliu.

Image

Kujtojmë se në vitin 2019 qindra ish-pjesëtarë të UÇK-së u ftuan nga Gjykata Speciale, e ftesat kanë vazhduar menjëherë me fillimin e këtij viti.

Më 9 janar është bërë e ditur se Ferat Shala është ftuar nga Gjykata Speciale, ndërsa dy ditë më parë ftesë ka marrë Agron Limani, të dy këta ish-ushtarë të UÇK-së.

Më 16 janar, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka bërë të ditur se nga Gjykata Speciale kanë marrë ftesë ish-luftëtarët Abedin Daka nga fshati Cerovik i Klinës dhe Sherif Tahiri nga Tërdevci i Komunës së Drenasit, të dy pjesë e Zonës operative të Drenicës.