“Llamkosi” i shitet ofertuesit të tretë për 4.8 milionë euro

“Llamkosi” i shitet ofertuesit të tretë për 4.8 milionë euro

Aktuale January 20, 2020 - 08:10
detajet
Image

Dy ofertuesit e parë “Emona” SHPK (oferta 6 milionë euro) dhe një kompani e përzier shqiptaro-gjermane (oferta 5.8 milionë euro) kanë dështuar ta blejnë fabrikën e llamarinës “Llamkos” në Vushtrri, pasi në afatin e paraparë nuk kanë arritur t’i paguajnë paratë. Tani “Llamkosi” i ka kaluar ofertuesit të tretë, Avdullah Kelmendit nga Vushtrria për 4.8 milionë euro, i cili ka afat deri më 22 janar 2020 t’i paguajë 4.8 milionë euro. Zotohet Kelmendi: Obligimet i kryejmë brenda afatit, shkruan e përditshmja Zëri.

Lexo edhe: Diplomacia e ryshfetit: Beteja rreth (ç)njohjeve të Kosovës

Edhe një dështim tjetër ka ardhur sa i përket privatizimit të fabrikës për përpunimin e llamarinës “Llamkos” në Vushtrri. Edhe ofertuesi i dytë, një kompani e përzier shqiptaro-gjermane është tërhequr, pasi në afatin e caktuar nuk ka arritur t’i paguajë paratë. Nëpërmes procesit të likuidimit për ta blerë “Llamkosin” kishte tre ofertues, kompania vushtrriase “Emona” SHPK me 6 milionë euro, një kompani shqiptaro-gjermane (përfaqësues Sami Hyseni nga Vushtrria), me ofertën prej 5.8 milionë eurosh dhe Avdullah Kelmendi nga Vushtrria me dy partnerë të jashtëm me ofertën prej 4.8 milionë eurosh.

 

Gazeta ka mësuar se kishte edhe një ofertë të një kompanie turke, por ajo ishte tërhequr pak para se të hapeshin ofertat. Brenda tri ditëve do të dihet saktësisht se nëse fabrika e llamarinës “Llamkos” e Vushtrrisë do të shitet ose do të përsëriten procedurat e ankandit me ofertues të tjerë, pasi saktësisht më 22 janar 2020 ofertuesi i tretë, Avdullah Kelmendi dhe partnerët e tij, kanë afatin t’i kryejnë obligimet sipas kontratës.

 

Fabrika për përpunimin e llamarinës së zinkuar “Llamkos” e Vushtrrisë është shitur më 15 prill 2019 në ankand. Çmimi minimal i caktuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës – Departamenti për Çështje Ekonomike ishte 4.8 milionë euro, ndërsa blerësi, kompania “Emona” SHPK, kishte ofertuar me 6 milionë euro, 1.2 milion euro më shumë se çmimi fillestar. Në këtë mënyrë pas procesit të falimentimit, “Llamkosi”, që ka në pronësi rreth 18 hektarë tokë, ndërtesa linjën e prodhimit, si dhe makineri e pajisje, ishte bërë për disa muaj pronë e kompanisë “Emona” SHPK, një kompani tregtare vushtrriase me nam në gjithë Kosovën. Kanë qenë edhe 20 kreditorë të “Llamkosit”, të cilët kanë kërkuar hise, në mesin e të cilëve edhe rreth 500 punëtorë të “Llamkosit”, që nuk kanë marrë pagat e tyre për më shumë se 10 muaj dhe ato arrijnë shumën prej mbi 750 mijë eurosh. Ka pasur edhe një vlerësim të një kompanie (“Deloite”), e cila e ka vlerësuar fabrikën në 16.8 milionë euro, por në fund ishte vendosur që vlera e minimale e likuidimit të jetë 4.8 milionë euro.

Dështimet e shumta të privatizimit të “Llamkosit”

Fabrika për përpunimin e llamarinës “Llamkos” në Vushtrri, njëri prej gjigantëve më të mëdhenj ekonomik jo vetëm të komunës së Vushtrrisë, as nuk po mund të privatizohet, as të rifunksionalizohet, por as të shitet, pasi ofertuesit në ankand po tërhiqen. Pas dy dështimeve për privatizim, tani ka dështuar edhe shitja e “Llamkosit”, pasi edhe ofertuesi i dytë, një kompani shqiptaro-gjermane, nuk ka arritur që në afatin e caktuar t’i paguajë 5.8 milionë. Përfaqësuesit e dy kompanive të para kishin kërkuar afat shtesë, por megjithatë nuk kishin arritur ta përmbushin kontratën.

“Gjykata Themelore e Prishtinës – Departamenti për Çështje Ekonomike, përkatësisht gjykatësi Asllan Krasniqi, më 8 shkurt 2019 ia kishte lejuar administratorit Vyrtyt Ibrahimaga, një avokat i ‘Devollëve’ për ta qitur fabrikën në ankand publik, për ta shitur pa kushte, as për t’i marrë punëtorët në punë, blerësi të ketë të drejtën t’ia ndërrojë fabrikës destinimin dhe për ta shitur për borxhe të kreditorëve, kanë qenë 4.2 milionë borxhet e kreditorëve. Si kreditor kemi qenë edhe ne punëtorët, pasi ata na i kanë pasur borxh 10 paga gjithsej 750 mijë euro. Unë pata kundërshtuar në gjykatë dhe kam kërkuar që në fabrikë të kthehen punëtorët, sepse ai është në gjendje të rregullt teknikisht dhe se për dy muaj ka mundur të fillojë funksionimi i fabrikës. Gjithashtu pata kërkuar që fabrikës të mos i ndryshohet destinimi, por asnjë kërkesë imja nuk është përfillur, respektivisht jam mbivotuar nga kreditorët tjerë dhe më pastaj u vendos që të hapet ankand publik për shitje të fabrikës. Ka pasur shumë të interesuar, madje ka qenë shumë i interesuar një biznesmen turk, i cili thoshte se menjëherë do të fillonte me prodhimin, por në fund tre ofertues dolën në ankand, por jo edhe ofertuesi turk dhe kur unë kam pyetur pse ai nuk është pjesëmarrës në ankand, më kanë shpjeguar se është tërhequr vetë”, ka shpjeguar Ragip Hasani, kryetar i SP-së së Punëtorëve të “Llamkosit”, të dielën.

Ai tha se ofertuesit të parë “Emona” SHPK i ishte dhënë afat prej 90 ditësh të paguajë 6 milionë euro, por deri më 3.07.2019 kjo kompani nuk arriti ta paguajë, kështu që “Llamkosi” i ishte ofruar ofertuesit të dytë, një kompanie shqiptaro-gjermane, përfaqësues Sami Hysni nga Vushtrria. Përfaqësuesit e kësaj kompanie thoshin se do ta lëshojnë fabrikën në punë menjëherë. Kjo kompani kishte afat gjithashtu 90 ditë, deri më 14 dhjetor që të paguaj, por nuk kishte arritur, kështu që tani “LLamkosi” i është ofruar ofertuesit të tretë, Avdullah Kelmendit nga Vushtrria për 4.8 milionë euro.

Edhe dy ditë afat për ta bërë pagesën për blerësin e ri

“Kur ka kaluar afati prej 3 muajsh kam shkuar te gjykatësi që të informohem se çka është duke ndodhur me fabrikën, sepse me administratorin nuk mund të kontaktonim, gjithmonë ikte, fshihej nga ne, gjykatësi më njoftoi se ‘Llamkosi’ i është dhënë ofertuesit të tretë Avdullah Kelmendit për 4.82 milionë euro. Bashkë me Kryesinë e Sindikatës kam shkuar tek administratori Vyrtyt Ibrahimaga, i cili na konfirmoi se ‘Llamkosi” i është dhënë Avdullah Kelmendit për 4.8 milionë euro. Administratori na ka thënë se Kelmendi ka afat deri më 22 janar 2020 që ta bëjë pagesën. Do të thotë, me Kelmendin është bërë kontrata, vetëm pritet që ajo të përmbushet”, ka sqaruar Hasani.

Ai ka ripërsëritur se në qershor të vitit 2014 kanë qenë 500 punëtorë, të cilëve u janë mbyllur vendet e punës. “Ata janë dëbuar nga puna, kanë mbetur vetëm 8 punëtorë në sigurim të fabrikës, nuk ka ujë, nuk ka as rrymë, kështu që fabrika është përgatitur të shitet për hekur. Nuk e di tani se çfarë do të bëjë ky i treti. Punëtorët janë në gjendje të rëndë, në gjendje të mjerueshme. Tani nuk kanë mbetur as 300 punëtorë, sepse 75 kanë vdekur, disa kanë migruar e 150 kanë dalë në pension të pleqërisë”, sqaron Hasani.

Ai e ka akuzuar administratorin se i ka dhënë favore blerësve në dëm të punëtorëve dhe të fabrikës, madje ai thotë se edhe 500 mijë euro, të cilat Dogana ia ka pasur ‘Llamkosit” ia ka marrë Ibrahimaga. “Ky administrator është një matrapaz, ia ka mundësuar blerësit që të mos bëjë kurrfarë investimesh, as nuk e ka kushtëzuar t’i kthejë punëtorët në punë. Merre me mend, t’i marrësh dy fabrika që kanë pasur vlerën e qindra milionë eurove e të mos japësh asgjë kjo bën vaki vetëm këtu. Ne kemi informata se Dogana ia ka pasur borxh ‘Llamkosit’ 500 mijë euro dhe ai i ka marrë vetë, i ka keqpërdorur”, shprehet këmbëngulës Ragip Hasani, kryetar i SP-së së Punëtorëve të “Llamkosit” në Vushtrri.

Gazeta “Zëri” ka provuar të kontaktojë me administratorin Vyrtyt Ibrahimaga, të dielën, por telefoni i tij nuk ka pasur qasje në rrjet. Ndërkaq ofertuesi i tretë, Avdullah Kelmendi, i ka thënë “Zërit” të dielën se ai dhe dy partnerët e tij të huaj i kanë hyrë kësaj pune për ta blerë “Llamkosin”, duke qenë i bindur se pagesat do të kryhen në afatin e paraparë, deri më 22 janar 2020. “Ne jemi duke punuar që obligimet t’i kryejmë me kohë, ndonëse për dallim nga dy ofertuesit e parë kemi afatin më të shkurtër, vetëm 30 ditë. Edhe ‘Emona’ e edhe ajo kompania tjetër kanë pasur afat nga 90 ditë. Ne besojmë se do ta kryejmë obligimin që kemi deri më 22 janar, 4.8 milionë euro nuk janë pak, por jemi të përkushtuar që ta bëjmë pagesën brenda këtij afati. Nëse rastësisht na duhet kohë shtesë do ta kërkojmë, por jemi të sigurt se kontratën do ta përmbushim. Edhe punëtorët që kanë punuar, unë jam koleg i tyre, i di problemet me të cilat përballen, kanë nevojë që kjo punë të kryhet sa më shpejt”, ka thënë Kelmendi të dielën.

Privatizimi i parë i “Lamkosit”, më 2005-n

Fabrika për përpunimin e llamarinës së zinkuar “Llamkos” në Vushtrri është privatizuar dy herë, por që në të dyja rastet privatizimi pati dështuar. “Llamkosi” ka qenë e destinuar për përpunimin e llamarinës dhe për herë të parë ishte privatizuar në vitin 2005, nga Agjencia Kosovare e Privatizimit me “Spin-Off”-in special. Kjo formë e privatizimit është aplikuar për ndërmarrjet, të cilat janë konsideruar më të mëdha se blerësi.Si rrjedhojë, blerësi nuk ka pasur të drejtë t’ua ndërrojë destinimin e gjithashtu duhej t’i punësonte një numër të caktuar të punëtorëve dhe të realizojë investime të reja.

Në vitin 2015 çështjen e “Llamkosit” e kishte marrë në trajtim Gjykata Themelore e Prishtinës, Departamenti për Çështje Ekonomike, e cila edhe e kishte caktuar një administrator, Virtyt Ibrahimagën, për t’i zbatuar procedurat e falimentimit deri në shitje të fabrikës. Sipas ankandit, blerësi eventual i “Llamkosit” (Avdullah Kelmendi) nuk do ta ketë për obligim t’i shlyejë borxhet ndaj punëtorëve të fabrikës, të cilëve kompania u ka mbetur borxh për rroga për 10 muaj. Janë më shumë se 750 mijë euro, që vlerësohet se janë obligime të pashlyera ndaj rreth 500 punëtorëve. Në anën tjetër, përkrah kërkesës që të mos i ndryshohet destinimi, punëtorët e “Llamkosit” kërkojnë me ngulm që kompania blerëse t’i punësojë rreth 500 punëtorë, si dhe t’ua paguajë pagat për 10 muaj.