Baraliu: S’ka alternativë tjetër, përveç koalicionit mes LDK-së e LVV-së
Foto: Laura Hasani

Baraliu: S’ka alternativë tjetër, përveç koalicionit mes LDK-së e LVV-së

Aktuale January 20, 2020 - 08:55
Sipas tij, LDK-ja dhe LVV-ja kanë deklaruar publikisht se do të lidhin koalicion vetëm me njëra-tjetrën

Njohësi i çështjeve politike dhe kushtetuese në vend Mazllum Baraliu është shprehur optimist se gjatë kësaj jave do të lidhet marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai ka thënë për “Zërin” se nuk ka mbetur asnjë alternativë tjetër përveç koalicionit. “Tashmë nuk ka mbetur ndonjë tjetër alternativë rezervë, veçse koalicioni. Shpresoj që në gjysmë të javës së ardhshme ose në fund të javës të lidhet koalicioni. Tashmë ata duhet ta shohin se nuk kanë zgjidhje tjetër dhe se do të humbin nëse vendi shkon në zgjedhje”, ka thënë ai.

Sipas tij, LDK-ja dhe LVV-ja kanë deklaruar publikisht se do të lidhin koalicion vetëm me njëra-tjetrën dhe se nuk kanë zgjidhje, përveçse ta bëjnë një gjë të tillë.

Sa i përket pozitës së kryeparlamentarit, Baraliu ka thënë se nëse LDK-ja këmbëngul ta marrë këtë pozitë, atëherë Vetëvendosja duhet të bëjë kompromis, në mënyrë që të lidhet marrëveshja. “LDK-ja nëse këmbëngul në diçka që vetë e ka votuar, që të ketë rikthim në gjendjen e mëparshme, atëherë kjo gjë është diçka joserioze. Edhe nëse e kërkon këtë, mendoj se Vetëvendosja duhet ta bënte kompromisin e madh, që të mos e fundosin shpresën e qytetarëve për ndryshimin e madh”, ka përfunduar ai./Zëri