Realizimi i projektit rreth liqenit, katastrofë mjedisore sipas ekologëve

Realizimi i projektit rreth liqenit, katastrofë mjedisore sipas ekologëve

Aktuale January 20, 2020 - 09:00
Ndërtimet e planifikuara, do ta rrezikonin ndjeshëm cilësinë e ujit

Ekologu Halil Ibrahimi, i cili njëherësh është profesor në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se jetësimi i projektit, i cili është proklamuar së fundmi për ndërtimin e një lagjeje në brigjet e Badocit, do të përbënte një katastrofë mjedisore për Kosovën.

“Projekti i ndërtimeve në afërsi të liqenit të Badocit përveçse është në kundërshtim edhe me ligjet ekzistuese, është edhe një katastrofë mjedisore duke e konsideruar faktin se nga ky akumulim ujor furnizohet pjesa më e madhe e Prishtinës dhe e zonave përreth”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Ashtu siç e kanë përshkruar dispozitat ligjore, sipas tij, aktivitetet e shtuara antropogjene në afërsi të zonave të tilla ndikojnë në keqësimin e kushteve të jetesës së njerëzve. Ndërtimet e planifikuara, siç Ibrahimi është shprehur, do ta rrezikonin ndjeshëm cilësinë e ujit, të cilin qytetarët e përdorin për pije. Përveç këtyre, të rrezikuara do të ishin edhe disa lloje të rralla të kafshëve në atë zonë.

“Përveç kësaj hulumtimet e kryera viteve të fundit tregojnë se zona përreth Badocit është e rëndësishme edhe në pikëpamje të biodiversitetit. Projekti i Librit të Kuq të Faunës, i realizuar nga Universiteti i Prishtinës viteve të fundit, tregoi se ekzistojnë disa lloje të kafshëve në atë zonë të cilat janë të rralla, të rëndësishme dhe të rrezikuara. Çfarëdo presioni i shtuar antropogjen në atë zonë do ta përkeqësojë ekzistencën e këtyre llojeve”, ka theksuar ai./Zëri.