Mbi 1 miliard euro shpenzime për pagesa

Mbi 1 miliard euro shpenzime për pagesa

Aktuale January 20, 2020 - 09:26
Shpenzimet për paga dhe për rroga kishin vlerën afër gjysmë miliardi euro

Gjatë nëntëmujorit të vitit paraprak mbi 1 miliard euro janë shpenzuar nga Ministria e Financave vetëm për shpenzime për paga. “Gjithsej shpenzimet gjatë nëntëmujorit pagesat ishin në shumë prej 1 miliard e 406 milionë eurosh dhe paraqesin 57% të planit vjetor për shpenzime, ndërsa duke krahasuar me realizimin e nëntëmujorit të vitit paraprak kemi rritje prej 77 milionë eurosh ose 6%”, bëhet e ditur në këtë raport, shkruan sot Zëri.

Shpenzimet për paga dhe për rroga kishin vlerën afër gjysmë miliardi euro. “Shpenzimet për paga dhe për rroga shënuan vlerën prej 457 milionë eurosh gjatë këtij nëntëmujori, duke arritur kështu normën e ekzekutimit në 73% duke krahasuar me vlerën totale vjetore të buxhetuar për këtë kategori. Shpenzimet për paga gjatë periudhës raportuese paraqesin një rritje prej 4,1% ose mbi 18 milionë euro më shumë duke krahasuar me shpenzimet e pagave në periudhën e njëjtë të vitit 2018”, theksohet aty.

Për mallra dhe për shërbime, duke përfshirë këtu edhe shpenzimet komunale, kanë arritur vlerën afër 200 milionë euro. “Shpenzimet në subvencione dhe në transferime arritën shumën prej 445 milionë eurosh (prej të cilave 361 milionë euro transferime sociale), që paraqet një rritje prej 44 milionë eurosh, duke arritur kështu normën e ekzekutimit në 73%, duke krahasuar me vlerën totale të buxhetuar për këtë kategori ose 11% më shumë duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018”, njoftohet tutje.

Ndërsa për shpenzime kapitale u shpenzuan një çerek miliardi euro. “Shpenzimet kapitale arritën vlerën prej 259 milionë eurosh, që paraqet një normë të ulët të ekzekutimit, duke krahasuar me vlerën totale vjetore të buxhetuar për këtë kategori ose periudhën e njëjtë paraprake si rezultat i aprovimit me vonesë të Ligjit për Ndarjet Buxhetore për Vitin 2019, si dhe një intensiteti të ulët i ekzekutimit të buxhetit nga organizatat buxhetore”, bëhet e ditur aty./Zëri