Rashiti: Nëse s’ka marrëveshje, VV dhe LDK bëhen si partitë tjera

Rashiti: Nëse s’ka marrëveshje, VV dhe LDK bëhen si partitë tjera

Aktuale January 21, 2020 - 19:12
Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika, tha se dy partitë, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja, duhet të arrijnë marrëveshjen për të shpëtuar veten dhe institucionet.

Ai për më tepër e quajti banale arsyen pse dy subjektet nuk po mund të pajtohen, njofton Klan Kosova.

“Gabimi madhor që e kanë bërë Lëvizja Vetëvendosje dhe dy partnerët është se kur kanë refuzuar mandatin nga presidenti që pas konstituimit të Kuvendit për të negociuar formimin e qeverisë. Ata fillimisht kanë shkelur kushtetutën dhe së dyti kanë krijuar kohën për të acaruar marrëdhëniet me njëri-tjetrin dhe nuk kanë qëndruar të fokusuar në arritjen e marrëveshjes”.

“Tash besoj që në këtë 14 ditëshin dy subjektet do të ndiejnë presion për të negociuar marrëveshje me dëmin e diskursit që njëra palë dhe tjetra kanë pasë në muajin e fundit. Por, nuk kanë mundësi tjetër pos të negociojnë. Ata janë ngatërruar në postin për presidentit dhe për acarimet e mëhershme për shfaqjen e mosbesimit mes dy subjekteve që do t’iu duhet të arrijnë marrëveshje”.

Rashiti në Info Magazine tha se edhe në këtë fazë të acarimeve të diskursit, Vetëvendosje dhe LDK mund të pajtohen.

“Megjithatë, pres që në ditët në vazhdim të përqendrohen më shumë dhe të bëjnë marrëveshje sepse arsyeja është banale për çka nuk pajtohet.

Kryetari i Kuvendit mund të kompensohet me dy apo më shumë ministri dhe si të tillë të bëjnë marrëveshjen”.

“Nëse nuk arrijnë të bëjnë marrëveshje po tregojnë se nuk po sillen aspak më ndryshe se në vitin 2014 dhe 2017 si partitë tjera. Raportimet mediale që LDK-ja të shpartallohet dhe të ndahet një grup që mbështet Vetëvendosjen nuk i shërben konsolidimit të institucioneve dhe e dëmtojnë perspektivën e tyre”.

Rashiti tha se do të ishte tmerrësisht e dëmshme dështimi i koalicionit dhe se me doemos dy partitë duhet të arrijnë marrëveshje.

“Nëse këto dy parti nuk arrijnë marrëveshje atëherë duhet që dikush tjetër të bëjë qeverinë dhe të shkohet në një qeveri teknike që të funksionojnë normalisht institucionet”.