Jakup Krasniqi: Të hapur për koalicione, s’jemi parti që refuzojmë

Jakup Krasniqi: Të hapur për koalicione, s’jemi parti që refuzojmë

Aktuale January 22, 2020 - 14:29
Krasniqi ka thënë se partitë që kanë dalë nga zgjedhjet duhet sa më parë të definohen, nëse duan ndryshim apo t’i drejtohen sërish sovranit.

Nisma Socialdemokrate është e hapur për bashkëqeverisje, edhe pse ende nuk ka marrë ofertë për bashkëpunim nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se kjo parti nuk ka marrë ende ofertë, por nëse ju vjen ftesa atëherë do ta shqyrtojnë. Krasniqi thotë se nuk janë parti që refuzojnë.

“Jo nuk kemi marrë. Duhet ta shikojmë këtë dhe nuk kemi marrë. Nëse vjen puna, ne jemi në shërbim të vendit dhe dëshirojmë ta japim kontributin tonë. Unë mendoj që qeverisja duhet ndryshojë, duhet të jetë e mirë dhe qeverisja nuk bëhet me fjalë. Qeverisja bëhet me njerëz që dinë dhe ia duan të mirën këtij vendi”.

“Në rend të parë VV dhe LDK i kanë numrat për të qeverisur. Nëse bëhet një ofertë ne do ta shqyrtojmë, në fund të fundit, partitë politike organizohen për pushtet. Ne do ta diskutojmë dhe nuk jemi ata që refuzojmë”. Megjithatë, Krasniqi thotë se njëherë duhet të presin nëse dy partitë që dolën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit, do të arrijnë të merren vesh.

Duke folur për mundësinë e arritjes së koalicionit ndërmjet VV-së dhe LDK-së, Krasniqi u shpreh i habitur se përse kjo gjë nuk ka ndodhur edhe pas 100 ditëve, ndonëse, këto dy parti kanë qenë duke funksionuar si opozitë.

“Unë kam menduar se pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë dalë si dy partitë më të mëdha nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019, do ta formojnë koalicionin qeverisës dhe ashtu ishin në opozitë, dhe duke qenë në opozitë formohet një një mënyrë më e mirë e komunikimit të subjekteve politike por po e shohim që kjo siç duket nuk u ka ndihmuar këtyre dy partive për ta parë përgjegjësinë, sepse në fund nuk është vetëm përparësi qeverisja e vendit por është edhe përgjegjësi. Unë konsideroj nuk po shikohet përgjegjësia për të qeverisur por përparësia se kush dhe çka po merr”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se partitë që kanë dalë nga zgjedhjet duhet sa më parë të definohen, nëse duan ndryshim apo t’i drejtohen sërish sovranit. E zgjedhjen e Glauk Konjufcës në krye të Kuvendit, Krasniqi nuk e sheh problem.

“Glauk Konjufca është mirë që është zgjedhur kryetar i Kuvendit sepse Kushtetuta këtë e thotë shumë qartë, se kryetari i Kuvendit duhet të jetë nga partia më e madhe e dal nga zgjedhjet. Ka përvojë si deputet, si nënkryetar i Kuvendit; i ka mundësitë dhe besoj se ai do të udhëheqë mbi bazën e rregullores së Kuvendit. Megjithatë duhet ta shohim punën e tij”, ka thënë Krasniqi.