I sulmuan kur ishin turistë, familja spanjolle do të rindërtojë një shkollë në Shqipëri

I sulmuan kur ishin turistë, familja spanjolle do të rindërtojë një shkollë në Shqipëri

Aktuale January 22, 2020 - 16:14
Përmes Kryqit të Kuq spanjoll, familja Galdon do të rindërtojë një shkollë në zonën e dëmtuar nga tërmeti.

Incidenti i verës në restorantin e Mihal Kokëdhimës dhe video e tij mbi kofanon e furgonit të turistëve spanjollë u konsiderua një njollë e zezë një turizmin shqiptar por megjithatë kjo nuk e ka prishur imazhin e familjes spanjolle Galdon për Shqipërinë.

Ata rikthehen në vendin tonë dhe këtë herë për të ndihmuar në rimëkëmbjen e dëmeve të tërmetit.

“Pavarësisht incidentit të ndodhur familja Galdon do të kthehet në Shqipëri me përshtypje të jashtëzakonshme për këtë vend. Këtë herë për të ndihmuar Shqipërinë nga goditja e tërmetit“, pohoi Eugenio Galdon, në takimin me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit z. Blendi Klosi.

Përmes Kryqit të Kuq spanjoll, familja Galdon do të rindërtojë një shkollë në zonën e dëmtuar nga tërmeti. Djemtë e familjes Galdon, do të jenë vetë prezent në Shqipëri.

“Me Z. Galdon ndamë disa mendime se si ne në Shqipëri do të kemi shumë nevojë që të shërbejmë  si një shoqëri që i shërben turizmit, ne kemi nevojë që të krijojmë njerëz  të edukuar njerëz që dinë të shërbejnë dhe po ashtu të krijojmë disa standarde të cilat do të hapin më shumë Shqipërinë për këto biznese. Me familjen Galdon padyshim është një kënaqësi të bisedosh gjithmonë dhe fal tashmë njohjes që ata kanë me Shqipërinë, nga buxheti i familjes së tyre nëpërmjet Kryqit të Kuq Spanjoll ata do të ndërtojnë një shkollë në një nga zonat e dëmtuara nga tërmeti, duke kontribuar me para, por dhe më e mira do të jenë vet në Tiranë për të ndihmuar gjatë punimeve që do të bëjnë në shkollën e re që do të ndërtohet në zonën e prekur nga tërmeti”, bëri të ditur Ministri Klosi.

Galdon ka sqaruar se do të bëhet pjesë e solidaritetit me të dëmtuarit nga tërmeti dhe shtoi se do të rikthehet përsëri për të vizituar Shqipërinë si turist.

“Unë do të ndërtoj një shkollë të zonës së dëmtuar nga tërmeti. Ka shumë mënyra se si ju mund të kontribuoni për vendin tuaj. Shqipëria është një atraksion i vërtetë dhe ne kemi ndërmend të kthehemi shumë shpejt me anijet tona dhe të vizitojmë vendin tuaj të bukur”, premtoi Galdon.

Ministri Klosi dhe zoti Galdon diskutuan gjerësisht për zhvillimin  e turizmit blu në Shqipëri, ku ai premtoi të ndihmojë këtë nismë të zhvillohet dhe të jetë e standardeve të vendeve mesdhetare. /Opinion.al